Një shtetas i Kosovës është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, ku akuzohet për krime kibernetike në dëm të qytetarëve amerikanë, ka njoftuar Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Ndaj Liridon Masuricës, 33-vjeçar nga Gjilani, i njohur si “@blackdb”, rëndojnë akuzat për konspiracion për mashtrime dhe për përdorim dashakeq të 15 apo më shumë instrumenteve të paautorizuara elektronike.
Nëse shpallet fajtor, Masurica mund të dënohet me burgim në kohëzgjatje maksimale prej 55 vjetësh.
Masurica ishte arrestuar nga autoritetet e Kosovës më 12 dhjetor 2024, ndërsa është ekstraduar në SHBA më 9 maj, në përputhje me marrëveshjen e ekstradimit mes dy vendeve, ka njoftuar Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ekstradimi i Masuricës “është dëshmi konkrete e zotimit të palëkundur për sundimin e ligjit pa përjashtim dhe pa kompromis”.
Sipas saj, “ky veprim është një hap i madh përpara në ndërtimin e besimit në drejtësi dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Ky është vetëm një rezultat nga hapat që po ndërmarrim për të dëshmuar se Kosova është një vend ku krimi nuk gjenë strehim”, është shprehur ajo.
Ekstradimin e ka përshëndetur edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, e cila ka vlerësuar “bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyeshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.
Për ekstradimin e Masuricës në SHBA ka njoftuar fillimisht prokurori amerikan, Gregory W. Kehoe.
I pandehuri thuhet se ka bërë paraqitjen fillestare në një gjykatë federale në Tampa të Floridas më 12 maj, para gjyqtares Lindsay Saxe Griffin, e cila ka urdhëruar që ai të mbahet në paraburgim.
Sipas aktakuzës, Masurica ka qenë kryeadministrator i BlackDB.cc – një treg i zi online që ka funksionuar nga viti 2018 deri më tani.
BlackDB.cc, sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, ka ofruar ilegalisht në shitje kredenciale të vjedhura të llogarive dhe serverëve, informata për kartela të kreditit dhe informata të tjera identifikuese të individëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
“Pasi i kanë blerë, kriminelët kibernetikë kanë përdorur gjërat e blerave në BlackDB.cc për të kryer një varg aktivitetesh ilegale, përfshirë mashtrime me taksa, mashtrime me kartela krediti dhe vjedhje identiteti.
Hetimi ndaj Masuricës është kryer nga Byroja Federale amerikane e Hetimeve (FBI), në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë bërë të ditur autoritetet amerikane, të cilat kanë thënë se Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë ofruar ndihmë të konsiderueshme për arrestimin e të dyshuarit.
Disa javë më parë, dy kosovarë ishin ekstraduar në SHBA, ku akuzohen për mashtrim dhe vjedhje identiteti të amerikanëve.
Bëhet fjalë për dy të rinj – Ardit Kutleshin, 26 vjeç, dhe Jetmir Kutleshin, 28 vjeç – të cilët ishin arrestuar më 12 dhjetor të vitit të kaluar, në bazë të kërkesës së SHBA-së për ekstradim./REL