Nga Artan Rama
Në 21 mars, Këshilli Bashkiak i Kamzës miratoi planin e ri të menaxhimit të mbetjeve. Gjatë mbledhjes nuk pati asnjë diskutim. I vetmi që pyeti për planin ishte anëtari Alfred Halili (PD), por nuk mori përgjigje. Gazetarët nuk u lejuan që të merrnin pjesë. Dy javë më vonë, nëpërmjet një emaili, bashkia u justifikua duke fajësuar hapësirën e vogël të sallës për moslejimin e të vetmit gazetar që kishte paraqitur kërkesën për pjesëmarrje, që isha unë. Kjo është gënjeshtër, sepse gjysma e sallës ishte bosh. Bashkia i vazhdoi marifetet, kur në faqen e saj online nxorri një njoftim të rremë mbi mbajtjen e një dëgjese për të diskutuar planin e mbetjeve me publikun. Por verifikimi i metadata-ve tregoi se dokumenti (.docx) ishte krijuar një javë pas mbledhjes. Përse ftohej publiku në një takim i cili kishte përfunduar?! Cila ishte dobia e një manipulimi të tillë? Si mund t’i ftosh njerëzit në një ngjarje të shkuar?! Me gjasë, për të përcjellë mendimin se dëgjesat ishin zhvilluar. Por mbajtja e dëgjesave është një proces që synon tërheqjen e opinioneve dhe mendimeve të publikut shumë ditë përpara miratimit të planit e jo kur plani është miratuar. Legjislacioni mjedisor e ka të përcaktuar me hollësi këtë proces. Përfundimisht, rreth tre milionë euro shpenzime për menaxhimin e mbetjeve urbane të Kamzës, vetëm për 2025, u miratuan nga një grusht nëpunësish bashkiakë, të mbështetur nga vota e disa pak këshilltarëve “të heshtur”.
Përgjatë javëve të fundit, komunikimi me bashkinë për mbetjet, ka qënë tejet i vështirë, për shkak të refuzimeve të njëpasnjëshme që i bëri kërkesave të mia për informacion. I jam drejtuar Komisionerit për të Drejtën për Informim, duke qëndruar në pritje për marrjen e informacioneve. Por edhe tani që shkrimi u publikua, shumë prej pyetjeve kanë mbetur pa përgjigje.
Në përpjekje për burime alternative, i drejtova një e-mail projektit “Bashki të Forta” që mbështet përpjekjet e bashkive për menaxhimin e mbetjeve bashkiake sipas praktikave pozitive ndërkombëtare. Programi financohet nga dy agjenci zhvillimi: zviceriane (SDC) dhe suedeze (SIDA) dhe ka në përbërje strategë politikash dhe ekspertë të fushës (siç vetë ata prezantohen). Një përfaqësues nga projekti ishte pjesëmarrës në mbledhjen e miratimit të planit të mbetjeve, në Kamëz. Shpresoja për më shumë transparencë tek ata, për shkak të një paanësie të natyrshme që mund të kishin ndaj debatit të zhvilluar dhe përplasjen e palëve, por edhe pse kaloi një javë, nuk pata përgjigje. Këmbëngula, duke ia përsëritur kërkesën drejtorit të projektit, përmes dërgimit të emailit drejtpërdrejt në adresën e tij, i cili, ia delegoi ekipit: ekspertë të cilët kishin bashkëpunuar me nëpunësit e bashkisë në përgatitjen e planit. Nuk vonoi dhe të nesërmen një prej tyre më shkruajti. “Së shpejti do të kemi mundësi të punojmë së bashku”, ishte përgjigjja. “Në momentin e duhur, do të jetë kënaqësi që të takohemi personalisht dhe të diskutojmë për mbetjet”. Pyetjet e mia eksperti i konsideroi detaje dhe me mirësjellje burokratike sugjeroi të kontaktoja ekspertin e bashkisë, përmes një emaili zyrtar, adresë të cilën e ofroi me bujari.

Por le t’i kthehemi bashkisë. Nevoja për një plan të ri të menaxhimit të mbetjeve, përpos vjetërsisë së planit në fuqi, u bë më e dukshme pranverën e shkuar, kur shoqëria koncensionare Eco Cleaning sh.p.k. u tërhoq nga kontrata 12-vjeçare me bashkinë, të cilën e kishte nënshkruar qysh në 2018. Shoqëria fajësoi Agjensinë Kombëtare të Mjedisit (AKM), për shkak se nuk i dha lejen mjedisore. Por, sipas AKM, refuzimi erdhi për shkak së shoqëria nuk kishte plotësuar disa kushte, ndërkohë që “Eco Cleaning” pretendon se mosmarrja e lejes ishte prej pengesave ligjore dhe jo prej mospërmbushjes së kushteve nga ana e saj. Për t’i dhënë pak më shumë kontekst këtij refuzimi, le të futemi disi më në brendësi të objektit të kontratës për të cilën shoqëria dhe bashkia kishin rënë dakort ta përmbushnin. Kontrata parashikonte, ndër të tjera, që shoqëria të ndërtonte stacionin e transferimit, përpara se mbetjet e grumbulluara të dërgoheshin në landfillin e Sharrës. Pa këtë leje, shoqëria nuk mund ngrinte asnjë stacion transferimi, çka kompromentonte zbatimin e kontratës dhe natyrisht, mund të ndikonte stabilitetin financiar të shoqërisë. Ndërkaq, shtatë muaj pas nënshkrimit, në orët e fundit të 2018, bashkia mori një paralajmërim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) që të tërhiqej nga ndërtimi i stacionit të transferimit, pasi e drejta për shfrytëzimin dhe përpunimin e mbetjeve të Qarkut të Tiranës i ishte dhënë një shoqërie tjetër koncensionare. Fjala ishte për kontratën koncensionare të Sharrës, e lidhur në vitin 2017, mes shoqërisë Integrated Energy BV SPV dhe Ministrisë së Turizmit (sot MTM). Çështja përfundoi në gjykatë. Gjykata mbështeti AKM, por shtoi se kontrata e lidhur mes shoqërisë dhe bashkisë krijonte mbivendosje të shërbimeve me kontratën koncensionare “Integrated Energy”. Edhe gjykata arriti në të njëjtin përfundim se ndërtimi i stacionit të trasferimit përfshihej në fushën e koncensionit të dhënë në këtë kontratë dhe se ishte një e drejtë ekskluzive që garantohej nga shteti. “Eco Cleaning” apeloi vendimin, por vijoi t’i qëndronte kontratës me bashkinë, pavarësisht se përpjekja për ngritjen e stacionit të transferimit të mbetjeve kishte dështuar.
Do t’i kthehem “mbivendosjes” së kontratave me njëra-tjetrën, pasi është tepër e dobishme për të kuptuar sesi i ndikon kontrata koncensionare e Sharrës faktorët e menaxhimit efektiv të ekonomisë së mbetjeve, por po vijoj me shpjegimin kronologjik të ngjarjeve, deri në çastin kur bashkia vendosi që t’i merrte vetë përgjegjësitë e menaxhimit. Kështu, pamundësia për ngritjen dhe operimin e stacionit të transferimit dhe të seleksionimit të mëtejshëm të mbetjeve, përpara se ato t’i drejtoheshin trajtimit përfundimtar, tregon se mbetjet do të shkonin që të gjitha, drejtpërdrejt, në Sharrë. “Marrëveshja me Kamzën ishte që të ndanim mbetjet dhe t’i shisnim e pastaj, me një pjesë të parave të paguanim depozitimet në Sharrë”, – më tregon administratori i “Eco Cleaning”, Taulant Godroli. Taulanti vazhdoi për më shumë se tre vjet, duke negociuar, krahas bashkisë, me të tjera institucione shtetërore, por pa sukses. “Projekti nuk ishte më rentabël. Prita sa prita dhe u tërhoqa”, – përfundon ai. Me largimin e tij, menaxhimin e mbetjeve e vazhdoi bashkia, nëpërmjet ndërmarrjes së saj të pastrimit. Ishte ky momenti kur fillova të eksploroj nga afër territorin e Kamzës për gjendjen e mbetjeve urbane.

Kamza është qyteti më i rëndësishëm që u rithemelua në Shqipërinë e re postsocialiste. Për shkak të zhvillimit të shpejtë e të vrullshëm, qyteti la në hije një numër qytezash përreth tij, dikur të spikatura, por edhe bashkoi, duke krijuar komunitete të reja. Me një panoramë diverse, ku ndërthuret peizazhi pastoral me territore tejet të urbanizuara, qyteti i ri vijon të ushtrojë një influencë relative kundrejt Tiranës, me qendrën e të cilës e ndajnë shtatë kilometra, në vijë ajrore. Kur fillova të shkruaj për herë të parë për mbetjet në 2017, ato digjeshin në qiell të hapur në lindje të Kamzës, pranë lumit Tërkuzë. Tani, në të hyrë të prillit, unë gjendesha, saktësisht, aty. Përtej çdo parashikimi, një pjesë e mbetjeve vazhdonte të digjej anës brigjeve. Por këtë radhë brigjet ishin transformuar, siç transformohet terreni fizik pas një katastrofe mjedisore apokaliptike. Krahas mbeturinave të shumta dhe pirgjeve me dhe, në një vend të hapur, pranë një ure të gjatë hekuri të ndryshkur, shtrihej një varrezë betonierash; grumbuj fuçish alumini të braktisura, kabina makinash, karroceri të pasme, si dhe dhjetëra goma të përmasave të mëdha, të dala jashtë përdorimit. Nuk ishte e lehtë të kuptoje se nën këtë depozitim të larmishëm, ndodhej shtrati i lumit. Në një pjesë të shtratit ishte hedhur dhe. Më pas e kishin ngjeshur dhe mbi të kishin ngritur një fabrikë përpunimi të zhavorrit. Lumin e kishin devijuar dhunshëm në një itinerar të ri, artificial. Një pamje e paimagjinueshme edhe për Shqipërinë e ’90! “Lumi ka qënë normal kur unë mbërrita këtu, në vitin 1996”, – më drejtohet Mexhit Metra, i cili po kulloste një dyzinë dhish të racës alpine në anë të rrugës. Kishte ardhur nga Burreli dhe fillimisht ishte strehuar te xhaxhai i tij, deri kur kishte ngritur vendbanimin e tij të përhershëm. “Këtu ka qënë pyll dhe brigjet, tepër të sistemuara. Fillimisht hoqën pritat, pastaj morën zhavorrin; merr e shit; merr e shit”. Ai përgjigjej pa dhënë hollësira, por me dëshirë. Ngjante me një bisedë çasti, mes dy të panjohurish të cilët i bashkonte një ndjesi keqardhjeje e proteste e përbashkët. Diku më lart, më në veri, katastrofa shpalosej me të tjera përmasa: një hapësirë dheu, në madhësinë e një blloku banimi (!), me lartësi të konsiderueshme, në vendin të cilin banorët e quanin Albavia po i zinte frymën bregut perëndimor të lumit. Volumi i dherave të freskëta po mësynte shtratin. Për pak mund t’i bashkohej bregut tjetër. Një kalimtar më tregoi se dherat vinin nga gropat e pallateve të reja që ndërtoheshin dhe se i zbraznin aty natën; më tha që zbraznin edhe nga Tirana.

Këshilli Bashkiak miratoi 180 leje ndërtimi në vitin 2024 (Diku tjetër raportohej 188). Të ardhurat nga lejet u trefishuan, krahasuar me 2022. Por nuk ka hapësirë për shumë entuziazëm, pasi ky “zhvillim” do të thotë edhe më pak hapësira publike, edhe më shumë inerte për Kamzën. Lind natyrshëm pyetja: “Ku shkuan dherat e nxjerra?”. Gjatë një kërkimi në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Lejeve dhe Autorizimeve, i cili administrohet nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), mbajta shënim shoqëritë nga Kamza (17), të licencuara për të transportuar mbetje. Listën ia dërgova AKM, për t’i kërkuar sasitë e mbetjeve që këto shoqëri kishin transferuar në dy vite (2023/2024). Përgjigjja tregoi se vetëm dy prej tyre kishin depozituar, afro 23,500 tonë inerte së bashku në landfillin e Sharrës, dhe vetëm për 2024. Në 2023, kur numri i lejeve të dhëna nga Bashkia e Kamzës ishte 212, pra edhe më i madh, dokumentet nuk tregonin asnjë depozitim. Më duhej të kërkoja ndihmën e Doriana Musait, një arkitekte e dalluar për mbrojtjen aktive të hapësirave publike në zhdukje. “Vlera të tilla depozitimesh janë të papërfillshme, nëse u referohemi këtij numri lejesh. Edhe sikur të gjitha të ishin dhënë për shtëpi njëkatëshe me themele të thjeshta, përsëri do të ishte një vlerë e ulët, – sqaron arkitektja. Më tej ajo vijon me një tjetër llogaritje, duke vlerësuar se vetëm pesë pallate shumëkatëshe me një ose dy kate nëntokë, do të prodhonin më shumë mbetje se ç’raportohet. Përfundimet tregojnë dyshime të arsyeshme se dherat që kanë mbushur brigjet perëndimore të Tërkuzës, pranë vendit të quajtur Albavia, janë një pjesë e sasive të padeklaruara, të përftuara nga gropat e hapura, si pasojë e lejeve të dhëna nga Bashkia e Kamzës. Por llogaritjet inxhnierike nuk mund të shpjegojnë këtë batërdi mjedisore. Përse dherat dhe plehrat përfundojnë në lumë? Ia vlen të përmendet se shtimi i ndërtimeve ka shtuar edhe të ardhurat nga tarifa e pastrimit. Kështu, në periudhën e fundit 4-vjeçare (2021-2024) të ardhurat e tarifës së pastrimit nga lejet e ndërtimit janë trefishuar çdo vit, krahasuar me vitin paraaardhës, duke u rritur në total, përgjatë tërë 4-vjeçarit, njëzet e shtatë herë. Të tjera të dhëna tregojnë se të ardhurat e pastrimit nga biznesi “po ndihmojnë” autoritetet vendore edhe për të rikuperuar të ardhurat e munguara nga tarifat e pambledhura familjare të pastrimit, të cilat këto të fundit, sipas raportit të realizimit të të ardhurave të 2024, u mblodhën gjysmë për gjysmë. Por falë tejkalimit të tarifave të pastrimit nga biznesi, bashkia arriti që të përmbushë, deri në 90%, planifikimin.
Por “zhvillimi” sjell edhe rritjen e shpenzimeve të menaxhimit të mbetjeve. Deri në 2030, autoritetet parashikojnë shtimin e sasisë ditore të mbetjeve urbane me 101tonë, çka rrit peshën vjetore me 11,000 tonë më shumë, duke filluar nga viti 2025. Referuar depozitimit të fundit vjetor në landfillin e Sharrës (2024), kjo rritje shton sasinë e mëparshme të mbetjeve me 30%, sikurse edhe kostot e shërbimit, nga grumbullimi deri në depozitimin final në Sharrë.
Sipas planit të ri të menaxhimit, të sapomiratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kostoja e përgjithshme vjetore e menaxhimit të mbetjeve është llogaritur, rreth 2.7 ml €. Këtu mungojnë dy vlera të rëndësishme: kostot e depozitimit të mbetjeve urbane në landfillin e Sharrës dhe kostot për ngritjen e stacionit të trasferimit të mbetjeve, çka shton pasigurinë dhe rrit dyshimet për një dështim të ri të autoriteteve vendore. Nëse përfshijmë depozitimin e mbetjeve, që do të thotë prodhimin e sasisë totale të mbetjeve me tarifën për ton, shtohen edhe 1.1 ml €. Dhe nuk mbaron me kaq, sepse duhen llogaritur edhe kostot për ngritjen dhe operimin e stacionit të transferimit, të cilat shkojnë, referuar dokumenteve të ofruara nga vetë bashkia, rreth 1.5 ml € të tjera. Rrjedhimisht, kostoja përfundimtare mund të llogaritet, jo më pak se 5 ml €, afërsisht sa dyfishi i të ardhurave që sigurohen nga grumbullimi vjetor i tarifave të pastrimit.
Ku do ta gjejë bashkia gjysmën tjetër të shumës?

Edhe pse “Eco Cleaning” nuk arriti që të ngrinte stacionin e transferimit, shoqëria vijoi zbatimin e kontratës me Kamzën edhe katër vite të tjera, deri kur vendosi që të largohej vitin e shkuar, madje pa pritur vendimin në Apel. Administratori i shoqërisë thotë se zbatimi i mëtejshëm nuk ishte fitimprurës; sipas tij ishin shtuar kostot: paga minimale, karburanti; rrjeti rrugor ishte zgjeruar, kësisoj edhe kilometrat dhe numri i kazanëve. Ndaj dhe korrikun e shkuar, bashkia themeloi vetë ndërmarrjen e pastrimit për të vazhduar menaxhimin e mbetjeve. Por bashkia ndodhet njësoj e rrezikuar. As ajo nuk mund të ngrejë një stacion transferimi dhe me gjasë të pësojë të njëjtin fat si “Eco Cleaning”, e cila kjo e fundit, dështoi në ngritjen e stacionit në momentin kur nuk u pajis me leje mjedisore nga AKM. Dhe kur çështja shkoi në gjyq, gjyqtari vendosi në favor të AKM-së. Për të kuptuar këtë “përkrahje”, le t’i kthehemi vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë (Tiranë), në mars të 2019. “Eco Cleaning” paditi AKM, sepse kjo e fundit i refuzoi lejen mjedisore, që do të bënte të mundur ngritjen dhe operimin e stacionit të transferimit. Ngritja e stacionit ishte edhe një detyrim kontraktual, kundrejt bashkisë. Gjatë seancës, gjykata parashtroi se ngritja e stacionit krijonte mbivendosje shërbimesh në aktivitetin e “Integrated Energy”, e cila ka nënshkruar në vitin 2017 një kontratë koncensionare me MTM për menaxhimin e mbetjeve të qarkut të Tiranës në landfillin e Sharrës që përfshijnë edhe mbetjet e Kamzës. Objekt i kësaj kontrate është, ndër të tjera, edhe ndërtimi dhe operimi i veprave për mbetjet e Qarkut Tiranë. Impianti i diferencimit të mbetjeve ishte një nga veprat në fjalë. Pra diferencimi i mbetjeve përbënte detyrim kontraktual në të dyja marrëveshjet. Por gjykata ritheksoi atë çka thuhej në kontratën koncensionare të Sharrës se ngritja e sistemit të diferencimit mbetej një e drejtë ekskluzive dhe nuk mund të cënohej nga të tretë. Dhe në të vërtetë, në nenin 5.4.2. thuhet: “… (as) autoriteti kontraktues dhe as ndonjë entitet tjetër shtetëror, qoftë ky në nivel qëndror apo vendor, nuk do t’i japë askujt të drejta… (për) ndërtimin e impianteve në këtë zonë që do të sillte si pasojë rënien e sasisë minimale të garantuar të mbetjeve”. Kuptohet, që në këtë mënyrë, shoqëria koncensionare në Sharrë siguron që çdo ton të përfundojë në landfill e nuk firon rrugës. Kështu, ekskluziviteti i cili ndalon ngritjen e stacionit të transferimit dhe të diferencimit, tashmë i përkrahur edhe në një vendim gjykate, mund të penalizojë, duke e detyruar që të dërgojë mbetjet e patrajtuara në Sharrë, jo vetëm Bashkinë e Kamzës, por të gjitha bashkitë e qarkut (përfshirë Tiranën). Mungesa e të ardhurave nga riciklimi i mbetjeve, rrit kostot e menaxhimit për bashkitë dhe demotivon ndarjen e mbetjeve në burim. Akoma më shumë, dërgimi i dëngjeve të patrajtuara të mbetjeve bashkiake, drejtpërdrejt, në Sharrë, e bën riciklimin joefektiv edhe për vetë shoqërinë koncensionare, pasi bashkimi i kategorive të ndryshme të mbetjeve urbane gjatë grumbullimit ul vlerën ekonomike të trajtimit, si dhe shton nevojën për venddepozitime të reja. Vënia e “Integrated Energy” në gusht 2023, nën masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” e që kësisoj administrohet nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), si dhe arratia e disa prej pronarëve përfitues të cilët ndodhen në kërkim nga Prokuroria Speciale, e bën të vështirë komunikimin me përfaqësuesit e shoqërisë; ndërkohë që kryetari i zgjedhur i Tiranës, i bashkisë e cila mbush rreth 70% të kapacitetit të landfillit të Sharrës, është arrestuar për korrupsion. Vendosa të dëgjoj se ç’mendonte për gjendjen e mbetjeve një prej ekspertëve dhe investitorëve më të rëndësishëm të industrisë së riciklimit në vend, Vullnet Haka, njëkohësisht, anëtar i bordit drejtues të shoqatës së ricikluesve. Haka ka spikatur prej vitesh në diskutimet publike për keqmenaxhimin e mbetjeve, ndonëse prej vitesh vendimmarrja refuzon të dëgjojë. “Nuk mund të dërgosh mbetje pa i ndarë, fillimisht nga vetë konsumatorët, e më pas, nëpërmjet dërgimit në stacione transferimi. Kjo mënyrë mbledhjeje është krim ekonomik. Ne humbasim të ardhura, vende pune, ndotim më shumë: tokën, ujërat, por edhe ajrin duke shtuar emetimet”. Ai fillon të shpjegojë me sigurinë dhe pagabueshmërinë e një eksperti, për gjëra të cilat shpesh janë të kuptueshme edhe për një auditor të patrajnuar. “Kur mbetjet e lëngshme marrin kontakt me mbetjet e ngurta kontaminojnë njëra-tjetrën; akoma më keq kur i fusim në kontenierë për t’i transportuar, sepse, praktikisht, kështu përzihen edhe më shumë nga leva e presimimit. Në të kundërt, nëse do t’i trajtonim ndarazi, përgjatë tërë zinxhirit të transferimit, nga grumbullimi nëpër kazanë e deri te prodhuesi përfundimtar, do të gjenerohej një ekonomi disa qindra dollarëshe për ton. Ndërkohë, duke i dërguar të patrajtuara në Sharrë, aktualisht paguajmë (bashkitë) jo më pak se 50€ për ton”. Në 4 shkurt shoqëria Integrated Energy BV SPV sh.p.k. i paralajmëroi bashkitë për “ezaurimin e kapacitetit depozitues” të Sharrës, që do të thotë se landfilli prej 15 ha, me kapacitet 2,900,000 tonë është mbushur. Në këto rrethana, ajo u kërkon bashkive ndarjen në burim, duke synuar frenimin e dërgimit të sasive të panevojshme të mbetjeve në landfill. Por nga ana tjetër, shoqëria nën sekuestro, ka kërkuar edhe zgjerimin e landfillit me kapacitet depozitimi prej 500,000 tonë. Por në kushtet kur landifilli ndodhet në prag të kolapsit ekologjik për shkak të ezaurimit të kapacitetit, mbushja e qelizës shtesë, përveç se do të groposte edhe 15 ml.€ të tjera nga buxheti, do të siguronte një zgjidhje të përkohshme dy vjeçare, nëse do të merrnin në konsideratë vetëm depozitimin e mbetjeve të Tiranës, pa llogaritur sasitë e bashkive të tjera. Çfarë mund të kërkohet pas dy viteve? Duket si kombinim mes alarmit dhe paradoksit. “Nuk ka ndarje në burim pa stacione transferimi, veçanërisht kur bashkitë nuk janë të vogla”, – konstaton Haka. “Është prioritizimi i tonazhit në kurriz të riciklimit dhe mospërballja me kostot reale që e ka shndërruar menaxhimin e mbetjeve në mision të pamundur” – përfundon ai.
Në dokumentet e planit të ri të mbetjeve të Kamzës, ndarja, seleksionimi dhe riciklimi, por edhe kompostimi mbeten arritje të së ardhmes; shpesh, një formë që shërben për të pranuar, teorikisht, përgjegjësitë, por duke i shmangur detyrimet në praktikë. Kësisoj, duke ua shkarkuar kohës, burokratët ua kalojnë përgjegjësitë të tjerëve. Në tri dekada kemi operuar nën këtë premtim të rremë, dhe pa dhënë llogari. Përse të mos ishte hartimi dhe miratimi i një plani mbetjesh një moment krenarie e gëzimi për të zgjedhurit lokalë? Duket se kriza në brigjet e Tërkuzës ka kapluar edhe mendjet e nëpunësve bashkiakë.
Në kushtet e përplasjes, kur “ekskluziviteti” i kontratës së Sharrës, pengon ngritjen e stacionit të transferimit nga bashkitë e qarkut, vendosa t’i drejtohem akademike Aurela Anastasi, me kontribute në lëmin e së Drejtës Kushtetuese, për të parë mundësitë ligjore që mund të kundërshtojnë një situatë monopoliste. Anastasi vlerësoi se çështja kishte interes të madh publik që lidhej me të drejtën për një mjedis të shëndetshëm dhe që ishte një e drejtë kushtetuese. “Së pari, kërkohet një bashkërendim nga të dyja pushtetet. Por në mungesë të veprimit të organeve kompetente çështja mund të shtrohet përpara Gjykatës Kushtetuese nga organizata që ushtrojnë veprimtarinë në fushën e mjedisit. Qytetarët kanë të drejtë të jetojë në një mjedis të pastër dhe jo vetëm Kamza, por çdo bashki është e detyruar t’ua sigurojë” – këshilloi ajo.
Kur Kryeministri Rama mori pushtetin në 2013, përpjekja për të zgjidhur krizën e mbetjeve ishte nga punët e para të qeverisë që ai krijoi. Por ajo çka nisi me entuziazëm përfundoi me denoncime e me procese gjyqësore; me komisione hetimore e dënime penale për nëpunës të lartë e ministra të korruptuar. Menaxhimi i mbetjeve u shndërrua në aferën e mbetjeve. Me qindra e qindra raportime të dedikuara për mbetjet u bënë pjesë e një debati publik kronik. Sot, pas më shumë se një dekadë në pushtet, i të njëjtit kryeministër, emergjenca e mbetjeve vijon të kërcënojë mirëqënien ekonomike, hapësirën dhe shëndetin publik, ndërkohë që entuziazmi elektoral mungon.
Po zgjidhja është ende aty. Edhe njerëzit./nyje.al