Sulejman Mema shpreson që të ndryshojë formula e “Final Four” që po aplikohet në Superiore, ndonëse në fund, pranon se katër skuadrat që kanë arritur aty, e kanë merituar pjesëmarrjen në garën për titullin.
Në një intervistë të dhënë në “News 24”, Mema ka treguar se cilat skuadra sheh më të avantazhuara për të shkuar në finale.
Ai ka folur gjithashtu edhe për duelin që Tirana luan ndaj Pogradecit për të siguruar mbijetesën në Superiore.
A duhet të ndryshojë formula e Final Four? Ka kohë që njerëzit kërkojnë të ndryshojë kjo skemë. Po ta shikosh kanë dalë më të mirat. Nisur nga shorti, unë e shikoj shumë interesante. Them se 4 skuadrat e kanë merituar të jenë aty, edhe pse Partizani pati lëkundje. Në katërshe nuk i dihet, pasi janë dy ndeshje. Edhe pse të favorizuara janë ato ekipe që në renditje janë më mirë, prapë nuk i dihet. Faza e fundit do jetë interesante.
Në ndeshje teke mund të ndodhë gjithçka, çfarë e bën ndryshe “Final 4”? Ka të bëjë edhe ana psikologjike. Ky është kampionati i vërtetë. Të katërta janë në garë, edhe pse pak më e avantazhuar është Egnatia. Dinamo më e favorizuar se Vllaznia, te klasifikimi. Shpresoj që të ketë njerëz në stadium. Ato do e bëjnë akoma më interesante.
Mes Egnatias dhe Partizanit, kush shkon në finale? Egnatia ka ekip më të kompletuar, pavarësisht se Partizani ka karakterin e vet, një karakter që gjithë jetën ka qenë skuadër e karakterit. Me Egnatian do jetë më ndryshe, pres cilësi të mrekullueshme të ndeshjes.
Çifti tjetër Vllaznia-Dinamo, çfarë i mungon kësaj Vllaznie për të fituar titullin? Kam parë ndeshjen me Dinamon, të fundit. Vllaznia i ka të gjitha mundësitë, nuk e di nëse do i ketë të gjithë në dispozicion. Dinamo është ekip më dinak, ka trajner të mrekullueshëm siç është Ilir Daja.
Parashikimi për Kupën e Shqipërisë? Nuk jap dot parashikim të tillë. Nuk i dihet, finalet janë finale. Mendoj që do ia dalin ata trajnerë që luajnë mirë në mbrojtje.
Tirana në Play Out- Tirana duhet ta kërkojë te vetja, që ka shkuar në këtë moment. Unë e shikoj si moment të kalueshëm. E pashë Pogradecin, luan bukur futboll me kombinacione. Edhe portierin ishte i mirë. Unë mendoj se Tirana është më e avantazhuar, edhe pse është një ndeshje vetëm.
kush do jetë në Superiore, Tirana apo Ardian Mema? Ardi ka bërë punë të mirë. Skuadra ka evoluar shumë, i referohem asaj që kam parë. Unë mund të them se është shumë e avantazhuar Tirana. /News24