Këtë të martë (29 prill) në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në kryeqytet u hodh shorti për fazën gjysmëfinale të “Final 4”, mini-turneut që do vendos edhe titullin kampion në Superligë për këtë edicion.
Pas shortit goglat vendosën çiftet Egnatia – Partizani dhe Vllaznia – Dinamo. Këto përballje gjysmëfinale do luhen më 4-5 maj në “Arenën Kombëtare”. Ndërkohë që Egnatia dhe Vllaznia, dy skuadrat e renditura në vendet 1 dhe 2 gjatë sezonit të rregullt mund të kalojnë në finalen e 12 majit edhe me barazim, kjo për shkak të formulës së përcaktuar. Për t’u theksuar se çifti Egnatia – Partizani është përsëritja e finales së “Final 4” të një sezoni më parë.
Ndeshja e parë gjysmëfinale, ajo Vllaznia Dinamo do të luhet të dielën më 4 maj në orën 20:00. Ndërsa gjysmëfinalja e dytë, Egnatia – Partizani do të zhvillohet të hënën më 5 maj në orën 20:00.
Përballjet do jenë si më poshtë:
Faza gjysmëfinale më 4 dhe 5 maj – 20:00
4 maj/ Vllaznia – Dinamo
5 maj/ Egnatia – Partizani
9 maj ndeshja për vendin 3/4
12 maj finalja e madhe në “Arenën Kombëtare”
GARA
Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Arena Kombëtare”, në periudhën 4-12 maj 2025. Gjysmëfinalja e parë do të luhet më 4 maj, ndërsa gjysmëfinalja e dytë më 5 maj. Finalja për vendin e tretë/katërt është planifikuar për datën 9 maj, ndërsa finalja për titullin kampion do të luhet më 12 maj.
FORMULA
Pas përfundimit të kampionatit të rregullt, u përcaktuan edhe vazot e ekipeve për ‘Final 4’, ku Egnatia dhe Vllaznia ishin pjesë e vazos së parë, ndërsa Dinamo dhe Partizani ishin pjesë e vazos së dytë, në bazë të renditjes pas 36 javëve të rregullta të Superligës. Egnatia (1) dhe Vllaznia (2) mund të kalojnë në finale edhe me barazim në ndeshjet respektive, kundër Partizanit dhe Dinamos, pasi janë të avantazhuara për shkak se e mbyllën sezonin e rregullt të renditura më mirë.
SHPËRBLIMET DHE EVROPA
Të katër skuadrat e kualifikuara për në “Final 4” do të përfitojnë shpërblime sipas rregullores së aktivitetit. Ekipi kampion, përveç shpërblimit financiar, do të sigurojë edhe pjesëmarrjen në turin e parë kualifikues të UEFA Champions League, ndërsa tre ekipet e tjera do të marrin pjesë në raundin e parë kualifikues të UEFA Conference League.