Sa i ka kushtuar Italisë kthimi në Bangladesh i emigrantit të parë (dhe për momentin i vetmi) i ndaluar në qendrën e riatdhesimit në Gjadër?
Jo më pak se 6.000 euro – dhe kjo është një vlerësim minimal – duke marrë parasysh se shpenzimet kanë qenë të paktën dyfish më të larta se kostoja mesatare e një dëbimi, që vetë ministria e Brendshme italiane e ka përditësuar për vitin 2024 nga 2.500 në rreth 2.800 euro. Kjo pa përfshirë udhëtimet e përsëritura mes Italisë dhe Shqipërisë.
Shitësi i trëndafilave që donte të kthehej në shtëpi
Fahim, 49 vjeç, nga Bangladeshi, shitës trëndafilash në restorantet e Romës, me disa precedentë penalë të lehtë dhe pa leje qëndrimi. Ai do të mbahet mend si i pari që është dëbuar nga qendra e Gjadrit, por jo nga Shqipëria. Sepse protokolli i nënshkruar me Tiranën nuk e parashikon dëbimin direkt nga territori shqiptar – për të dhe të gjithë të tjerët që do të ndjekin të njëjtën rrugë, është e nevojshme rikthimi në Itali përpara fluturimit të dëbimit.
Historia e tij është treguar ditët e fundit edhe në emisionin e Rai-t “Il Cavallo e La Torre”. Fahim u ndalua gjatë një kontrolli në Romë dhe u shpall emigrant i parregullt, fillimisht u dërgua në qendrën e Ponte Galeria. Duket se ai vetë kishte shprehur dëshirën për t’u kthyer në vendlindje dhe nuk kishte ndërmend të kundërshtonte dëbimin, që mund të ishte kryer lehtësisht direkt nga Roma brenda pak ditësh.
Katër udhëtime në shtatë ditë
Por kur duhej të paraqitej përpara gjyqtarit, Fahimi u mor papritur dhe u transferua në Brindisi (udhëtimi i parë), prej nga u nis me anije (udhëtimi i dytë) drejt portit të Shëngjinit, bashkë me 39 migrantë të tjerë. Në Shqipëri qëndroi vetëm një javë, më pas u kthye në Itali (udhëtimi i tretë), dhe prej andej (udhëtimi i katërt dhe i fundit) u nis më në fund me avion drejt Bangladeshit.
Shpenzime të shumëfishuara
Mungesa e transparencës mbi atë që ndodh në qendrën e Gjadrit nuk lejon informacion të detajuar, por duke marrë parasysh se çdo i dëbuar shoqërohet nga dy policë, kostot për çdo udhëtim shumëzohen me tre. Kështu, një dëbim që mund të kryhej nga Italia përmes kostos standarde prej 2.800 euro, është shoqëruar me një sërë shpenzimesh të panevojshme për udhëtimet Romë–Brindisi, Brindisi–Shqipëri dhe kthim për tre persona.
Dhe kush kërkon azil, duhet të kthehet në Itali
Udhëtime të tjera janë bërë të domosdoshme për rikthimin në Itali të tre emigrantëve të tjerë të transferuar në Gjadër para pak ditësh: dy prej tyre për shkak të problemeve të shëndetit mendor që (me vonesë) janë konsideruar të papajtueshme me mbajtjen në qendër, dhe i treti sepse ndërkohë ka kërkuar azil. Ndryshe nga sa kishte deklaruar ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi, gjykatësit e Gjykatës së Apelit në Romë kanë vendosur se një migrant që pret dëbimin, por ndërkohë kërkon azil, nuk mund të mbahet në Shqipëri. Për pasojë, edhe ai është rikthyer në Itali – duke krijuar një precedent që mund të shkaktojë një përplasje të re mes gjyqësorit dhe qeverisë.
/ Burimi: La Repubblica