Prokuroria ka kërkuar 5 vite burg për Enertila Beqajn, vajzën nga Manëza, e cila u akuzua se i vodhi nëpërmjet mashtrimit 60 milionë Barush Ahmatit, drejtorit të postës në këtë fshat. Në gjykatë të pranishëm kanë qenë prindërit e 27-vjeçares, që gjatë gjithë kohës kanë kërkuar lirimin e vajzës së tyre të vetme.
Në seancën e radhës të mbajtur në gjykatën e Durrësit, prokurori Drini Pali tha se nga ana e organit të akuzës janë marrë parasysh disa fakte, duke nisur nga rrezikshmëria e personit, gjendja ekonomike e sociale, fakti që nuk ka shprehur pendesë e nuk e ka pranuar fillimisht ngjarjen. “Kërkojmë pesë vjet heqje lirie, por me aplikimin e uljes së 1/ 3 së vendimit me pranimin e fajit të dënohet 3.4 vjet heqje lirie”, tha prokurori.
Avokatja mbrojtëse i kërkoi gjykatës të thirret në gjyq edhe Barush Ahmati, ish-përgjegjësi i postës së Manzës, i cili e denoncoi 27-vjeçaren për zhvatje me anë të mashtrimit të 60 milionë lekëve. Gjykatësi i çështjes, Petraq Curri e hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes, duke thënë se Ahmataj pas marrjes në pyetje nga gjykatësi ka thënë se nuk ka dëshirë të paraqitet në sallën e gjyqit. Mbetet në dëshirë të tij dhe aspak me urdhër gjykatë vendosi Curri. Pritet që në seancën e radhës të jepet edhe vendimi për 27-vjeçaren, e cila në internet përdorte mbi 30 adresa ‘Facebook’ dhe kishte shfaqur personalitete të shumëfishta dhe herë pretendonte se do lindte një fëmijë, e herë që do martohej në muajin gusht.
NGA BISEDAT NË FB TEK DHURATAT
Në dhomën e saj ju gjet dhe një fustan nusëri i sapo blerë, një krevat fëmije, rrobat e një bebeje mashkull. 27-vjeçarja pretendonte se ishte shtatzëne dhe do të martohej me Alban Stafën, personazhi imagjinar i saj për të cilin foli edhe në gjykatë pas arrestimit. Enertila Beqja i paraqitej të riut në ‘Facebook’ me emrin Elona Gjoka, dhe me këtë profil i ka zhvatur për një periudhë gati tri-vjeçare shumën e madhe të lekëve dhe të dhuratave.
Prokuroria disponon prova e fakte që prej vitit 2015-2017 ku profili me emrin Elona Gjoka kishte zënë miqësi me Barush Ahmetin. Pasi zuri miqësi më 30-vjeçarin, i tha që ishte nga Manza dhe jetonte me familjen në Milano të italisë. Fillimisht Elona (Enertila Beqja) i kërkoi Barushit një palë kolltuqe që t’ja çonte tezes në fshatin Manzë, meqë ishte në gjendje të keqe ekonomike. Barushi në celularin e tij si provë për prokurorinë ka paraqitur foto nga kolltuqet si dhe faturën e tyre. Më pas vijuan dhuratat me blerjen e dy televizorëve plazmë, aparat dixhitalbi, lavastovilje, sobë druri, pistës vrapit për palestër, bixhuteri të florinjta nga më të ndryshmet, dy ipohne 6 dhe 7 plus. Dhurata këto të cilat ishin të fotografuara dhe të dërguara tek adresa me emrin Elona Gjoka, ku kjo e fundit jepte aprovimin nëse i duheshin ato dhurata me atë x stil apo dhe ngjyrën përkatëse dhe nuk nguronte që të referonte se çfarë i pëlqente. Ndërkohë, një dhuratë ishte blerja e motorit dhe targimi në emër të Myrteza Beqajt, babait të vajzës. Sipas organit të akuzës, Enertila i kishte dërguar me “Facebook” fotografinë e kartës së identitetit të Myrezajt dhe Barushi, i cili pasi kishte blerë motorin e kishte targuar dhe regjistruar në emër të babait të saj.
Vajza pretendonte se ishte e fejuar me një person në itali, ndërsa edhe në rrjetet sociale mban mbiemrin e tij. Po kështu Enertila Beqja kishte krijuar një rreth familjar të imagjinar me bashkëshortin e ardhshëm imagjinar, një rrjet shoqëror po kështu imagjinar, për të cilin kishte hapur edhe adresat false në ‘Facebook’, e për më tepër të gjitha menaxhoheshin prej saj dhe komentoheshin po prej saj në çdo rast. Në gjimnaz e mbajnë mend si vajzën që vuante nga sëmundja e epilepsisë, e cila nuk u kurua për shkak të mentalitetit që ekziston në fshat. Mbrojtja deri tani nuk ka kërkuar ekspertizë për shëndetin mendor të së resë.