Gjykata e Posaçme (GJKKO), këtë të premte ka lënë në arrest në burg Bujar Shegën, anëtarin e grupit kriminal të Suel Çelës në Elbasan.
Bujar Shega, allias Marsel Shega u ekstradua dje nga Italia ku u arrestua nëntorin e 2024, ndërsa policia njofton se kanë përfunduar procedurat për sjelljen e tij drejt Shqipërisë.
Shega akuzohet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Bujar Shega njihet si “truri financiar” në organizatën kriminale të të fortit të Elbasanit, Suel Çela.
Procedura e ekstradimit u finalizua pas një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës. Bujar Shega, i lindur në Elbasan, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestua në Itali.
Në vitin 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i kishte caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ky rast thekson angazhimin e autoriteteve për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikimin e lëndëve narkotike.














