Të dhënat e reja mbi tregun e punës shpalosen një panoramë ndryshe për vitin 2024, si rrjedhojë e integrimit te të dhënave të cens 2023 në metodologjinë që mat ecurinë punësimit dhe të papunësie.
INSTAT njoftoi sot se papunësia ra në tremujorin e fundit 2024 në 8.8% nga 10.77 për qind që ishte më 2023.
Pas përfundimit të Cens 2023, INSTAT integroi në Anketën e Forcave të Punës të dhënat e reja mbi popullsinë. Pakësimi i popullsisë me rreth 420 mijë banorë ndërmjet 2011-2023 ka sjellë ndryshime “artificiale” në shumë tregues ekonomikë, përfshirë papunësinë, të ardhurat për frymë etj.
INSTAT raportoi sot se shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, në tremujorin e katërt 2024, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 8,8%, duke shënuar një ulje vjetore me 0,8 pikë përqindje dhe një rritje tremujore me 0,7 pikë përqindje.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, në tremujorin e katërt 2024 për popullsinë 15-64 vjeç, është 75,5% me një rritje vjetore 1,2 pikë përqindje dhe ulje tremujore me 0,4 pikë përqindje.
Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 69,1%, ndërkohë për burrat ky tregues është 82,2%. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 13,1 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 0,7 pikë përqindje, dhe për burrat me 1,8 pikë përqindje.
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2024, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 53,6%.
Ky tregues është rritur me 2,0 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2023, dhe është ulur me 2,4 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e tretë 2024. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2024, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 83,9%.
Industria dhe shërbimet nxitësit e punësimit
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2024, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 68,3%. Numri i të punësuarve për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i katërt i vitit 2023 në tremujorin e katërt 2024, është rritur me 1,8%.
INSTAT raportoi se në terma vjetorë, punësimi rritet me 1,0% në sektorin e bujqësisë, me 3,6% në sektorin e industrisë dhe me 1,5% në sektorin e shërbimeve.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e katërt 2024, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart është ulur me 1,7%. Punësimi ulet me 2,3% në sektorin e bujqësisë, me 0,9 % në sektorin e shërbimeve dhe me 2,4% në sektorin e industrisë.
Më shumë njerëz dëshirojnë të punojnë
Shkalla e punësimit për burrat e grup-moshës 15-64 vjeç është 74,9%, ndërsa për gratë është 61,9%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 2,8 pikë përqindje dhe për gratë me 0,4 pikë përqindje.
Në tremujorin e katërt të vitit 2024, shkalla e punësimit të te rinjve është 43,4%. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2023, shkalla e punësimit të të rinjve është rritur me 2,7 pikë përqindje dhe në krahasim me tremujorin e tretë 2024 është ulur me 2,7 pikë përqindje. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2024, shkalla e punësimit është 77,8%.
Papunësia në rënie
Në tremujorin e katërt 2024, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 8,8%. Shkalla e papunësisë është ulur me 0,8 pikë përqindje, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023, dhe është rritur me 0,7 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Shkalla e papunësisë për burrat është 8,0% dhe për gratë 9,6%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023, shkalla e papunësisë është rritur me 0,1 pikë përqindje për gratë, ndërkohë është ulur me 1,5 pikë përqindje për burrat.
Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 19,1%. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2023, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është ulur me 2,1 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e tretë 2024, ky tregues është rritur me 1,4 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 7,3%. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,2 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një rritje me 0,6 pikë përqindje.
Bie numri i “dembeleve” në rënie
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2024, 17,8% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15- 64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 10,6% e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 14,9% në paaftësi të përhershme.
Gjatë tremujorit të katërt 2024, 4,1% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.
Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 69,7% të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 1,7% klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 16,1% të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe./Monitor