Një sasi lënde ekplozivi i është vendosur më 31 janar një restoranti në Fushë- Krujë.
Ditën e sotme janë publikuar dhe pamjet nga momenti që autori vendos sasinë e tritolit restorant “Brazilit”.
Autori i identifikuar si 41-vjeçari Mondi Topalli, shihet i maskuar me kapuc dhe maskë të zezë dhe pasi hedh lëndën plasëse, largohet me vrap nga vendngjarja.
Nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar, vetëm dëme materiale. Autori vijon të jetë në kërkim nga policia, ndërsa është proceduar penalisht dhe babai i tij për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Gjatë kontrollit në banesën e babait efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu pa leje dhe municion luftarak.
“Si rezultat i hetimeve të kryera me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të dëmtimit me lëndë plasëse, të fasadës së lokalit të shtetasit B. T., në Fushë Krujë, kryer në orët e para të mëngjesit të datës 31 janar 2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë identifikuan dhe shpallën në kërkim autorin e dyshuar të rastit, shtetasin M. T., 41 vjeç.
Nga kontrolli në banesën e tij, në fshatin Tapizë, u konstatua se babai i 41-vjeçarit, shtetasi G. T., mbante pa leje, 1 armë gjahu dhe municion luftarak. Për shtetasin G. T. nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”, thuhej në njoftimin e policisë dje.