Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë i ka dërguar së fundmi një letër Ministrit të Ekonomisë dhe Financave, z.Arben Ahmetaj dhe për dijeni kryeministrit Edi Rama, ku shpreh shqetësimin për rënien e shpejtë të euros në tregun e brendshëm, që po shkakton humbje të mëdha tek eksportuesit dhe disa segmente të industrisë prodhuese. Ata paralajmërojnë se nëse euro do të vazhdojë nënçmimin, kjo do të shoqërohet me rënie të fitimeve që do të sjellin më pak invesatime dhe vende pune. Për herë të parë prodhuesit kërkojnë që të bëhet një analizë e thelluar në mënyrë që të gjenden shkaqet reale të rënies së saj të fortë.
Në letër thuhet:
“Nisur nga shqetësimet e marra nga industritë prodhuese-eksportuese shqiptare, mbi fenomenin që po përballen muajt e fundit si pasojë e ndryshimit të pakontrolluar dhe të shpejte të kursit të këmbimit të valutës së huaj, lind nevoja emergjente që ky shqetësim madhor të merret seriozisht në konsideratë nga institucionet shtetërore dhe në veçanti nga ministria Juaj.
Nga analizat e kryera përgjatë gjithë kësaj kohe mbi kompanitë prodhuese-eksportuese të disa sektorëve, vihet re se ky fenomen ka prekur drejtpërdrejt fitimin e eksportuesit duke i nxjerrë kompanitë me humbje, për ketë arsye nuk mund të qëndrohet më në pasivitet për këtë çrregullim të tregut valutor.
Ndryshimi i kursit gjatë këtij 4 mujori për vitin 2018, është i papritur dhe mjaft shqetësues për prodhuesit. ndërkohë që nuk është marrë asnjë masë për të rikthyer stabilitetin e kursit të këmbimit dhe nuk kemi informacion se çfarë do të ndodhe më tej.
Nëse kursi i këmbimit do të ndjekë të njëjtin ritëm në muajt në vazhdim, sipërmarrjet prodhues-eksportues do të rezultojnë me një fitim të përgjysmuar, çka do të thotë mungesë investimesh, mungesë rritje pagash, ulje të punësimit, etj.. Qeveria duhet të ketë kujdes në çdo politikë publike që ndërmerr, me qëllim që të sigurojë prodhuesit shqiptarë, që nuk do të ketë ndikim negativ në konkurrueshmërinë e produkteve “Made in Albania”. Aq më tepër edhe në kuadër të nismave rajonale për një ekonomi të përbashkët të Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë u bën thirrje Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për ngritjen e menjëhershme të një grupi pune për analizimin e kësaj situate, si dhe marrjen e masave për të ndaluar zhvIerësimin e monedhës së huaj në vend”, përfundon letra.
Euro ka hyrë në një trajektore rënëse në tregun e brendshëm që në gjysmën e dytë të vitit 2016, duke zbritur në 136 lekë në dhjetor, nga niveli prej 140 lekësh që ishte stabilizuar në periudhën 2010-2015. Tkurrja vijoi edhe përgjatë vitit 2017, ku euro e mbylli vitin me një mesatare prej 134 lekësh. Më i fortë ka qenë nënçmimi në muajt e parë të këtij viti, ku ditët e fundit euro zbriti nën 127 lekë, niveli më i ulët që nga shkurti i vitit 2009. Rënia e monedhës së përbashkët ka tërhequr dhe dollarin, i cili ka zbritur në 106 lekë, nga gati 130 lekë që ishte në fillim të vitit 2017.