Emisioni Plug ka arritur të zbulojë edhe databaset dhe e-mailet e rrjetit kriminal të mikrokredive. Bie në sy se këta mashtrues kishin siguruar të dhëna për çdo qytetar të republikës së Shqipërisë, dhe çdo debitori kishin arritur ti siguronin informacione tepër sensitive apo deri tek rrethi i tretë i të afërmve, të cilët gjithashtu shantazhoheshin për një borxh të kushëririt të tyre të tretë.
Në databasen e ndërtuar nga këto kompani mashtruese mikrokredishë, gjenden të dhëna jo vetëm të tyre, por edhe të familjes e deri farefisit, me numra telefoni përkatës e vendet se ku punonin, apo të ardhurat që merrnin ndonëse s’kishin asnjë lidhje me kredinë e një të afërimi të tyre. Qytetarët dhe familjarët e tyre merreshin në telefon dhe kërcënoheshin se duhet të paguanin detyrimin përndryshe do t’u sekuestrohej pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme. Merrnin gjithashtu në vazhdimësi njoftime shkresore po të kësaj natyre, pa nënshkrime dhe logo përmbaruesi përgjithësisht të MCA dhe ADCA me shkresa të natyrës tipike përmbarimore si “Lajmërim për ekzekutim vullnetar të detyrimit” etj.
Për të bërë më të qartë paraqesim si foto disa e-mail-e të cilat tregojnë qartësish mënyrën se si veprohej me krijimin e akteve përmbarimore. Në krye të skemës ishte Olsi Ibro, që vë në lëvizje gjithë vartësit e bashkëpunëtorët, madje përdor edhe terma metaforik për të treguar se çfarë aftësie duhet të disponohet për të qenë një mashtrues i zoti.
E-MAIL 1 OLSI IBRO
“Lutem diten e neserme persa me poshte me te verdhe te jene te ndare ne 2 sheet: FS-qe do ti percillet Anxheles me qellim dergimin e “Njoftim per afatin e shlyerjes se detyrimit”; MCA/ADCA-qe do ti percillet Ivanes me qellim dergimin e “Njoftim per afatin e shlyerjes se detyrimit”. Prej dites se hene, do monitorohen akm duke:
-verifikuar akm e parespektuara me shume se 3 muaj/keste;
-perditesuar vlera ne soft duke zbritur pagesat;
-riaktivizuar ne soft dhe derguar sekuestro bankave”
E-MAIL 2 OLSI IBRO
“Ana-Orjola, lutem darjen e akm aktive(qe nuk jane mbyllur detyrimet-duke perplasur excel me statusin e dosjeve) ne sheet te vecante:
….
Pas ndarjes si me siper, secili sheet do dergohet juristeve me qellim dergimin e “Njoftim per afatin e shlyerjes se detyrimit”.
Nderkohe qe dergohet njoftimi si me siper, do monitorohen akm”
E-MAIL 3 OLSI IBRO
“Ok, dergoni sekuestro te reja dhe rigjeneroni te refuzuarat-e rendesishme eshte qe te rrisim ritmin/volumin e sek.bnd;
Vako eshte si te gjithe “krupieret” ne kazino (si te gjithe permbaruesit) qe ngaterrojne lojen me fitoren= ndaj thuaji me te qeshur qe:
Olsi ta ka thene që “letrat e refuzuara ose do te grisen ose do te printohen me 1/2 e vleres, sepse per ne “bixhozhinjte” eshte e rendesishme te luajme jo te fitojme”-ndaj nese veme bast tek e kuqja apo tek e zeza dmth qe synojme ½ e vleres. Me kete filozofi/me kete reagim, Vako do kuptoje qe “krupieri” nuk dmth “lojtar”=nuk duhet te beje llogarite e fituesit-thjesht te shperndaje letrat/hedhi zarat.
E-MAIL 4 ALKETA TANUSHI
“Lutem plotesojani tavolinen Vakos Anxhela, Flutura dhe Ivana, duke qene se jane ne perfundim te njoftimeve drejtuar bashkepronareve (paradite u moren me verifikimin e rasteve per kalim pronesie sipas listes dhe pergatitjen e shkresave per ASHK-ne) jane udhezuar qe pas pushimit te gjenerone vetem sekuestro BND, si dhe rigjenerimin me daten aktuale te shkresave per dosjet e refuzuara dje dhe sot, te je pjese prej tyre. Te gjitha dosjet mbi komedine dhe perbri saj ne te majte jane te refuzuara.”
Një nga skemat e përdorura ishte siç e theksuam më lart, telefonatat, shkresat pa shënime përkatëse ligjore, bllokimit të imponuar të llogarive bankare të debitorëve ,i detyronin debitorët të nënshkruanin kontrata për kredi të reja konsumatore për të mbyllur ato ekzistueset. Nuk kanë patur në asnjë rast qëllimin e financimit të nevojave të tyre, por futjen e tyre në një labirinth kredidhënës që rriste artificialisht detyrimin e tyre përballë “MCA”. Gjithashtu nuk ka qenë ai i përshkruar në kontratat e përpiluara, por dhënia e parave dhe transferimi i menjëhershëm i tyre brenda rrethit të lidhur “Micro Credit Albania” – “Shërbimi përmbarimor FS”.
I. M dhe H. M janë një çift bashkëshortësh që morën në një bankë të nivelit të dytë, shumën prej 500 mijë lekësh të reja kredi. Në fund të kredisë me një afat 3 vjeçar u duhej të shlyenin me këste 691 200 lekësh të rinj, ndërsa kësti mujor iu la 19 200 lekë në muaj. Kredia pretendojnë ata, do shërbente për të investuar në një biznes familjar, por pas disa kohësh, jeta e tyre financiare dhe familjare ndryshon, teksa bankat dhe përmbaruesit nisën sulmet.
MIRELA HAJDINOLLI, DENONCUESE
“Në vitin 2008 unë dhe bashkëshorti im I. H kemi marrë një kredi në Lushnjë në vlerën rreth 500.000 lekë me interes 22% në vit për 3 vite deri në vitin 2011. Paguaja këstin mujor 19.200 lekë në muaj. Kredinë e morëm për të hapur një piceri ku do të punësoheshim vetë. Pas marrjes së kredisë morëm një dyqan me qera në zonën e Don Boskos dhe e hapëm picerinë. Filluam të paguanim disa këste rregullisht rreth 11 muaj por më pas patëm probleme dhe nuk kishim më mundësi financiare për të paguar pasi puna ra dhe e mbyllëm picerinë. Patëm paguar pak më shumë se 200.000 lekë të vlerës së kredisë. Më pas im shoq filloi punë në një karburant si shitës ndërsa unë nuk fillova dot punë tjetër pasi mbeta shtatzënë më pas dhe duhej të kujdesesha për fëmijët e mi. Në vitin 2013 paguam edhe 30.000 lekë te banka por më pas nuk patëm më mundësi. Në nëntor të vitit 2015 më vjen një shkresë nga përmbaruesja Jordisa Dervishi e shërbimit përmbarimor “STAR”. Ajo më kërkoi të paguaja 698.700 lekë, a thua se nuk kisha paguar asnjë këst të kredisë. Filluam të terrorizoheshim nëpër telefona dhe letra pafund. U detyrova të shkoja të qendra “Star” me fëmijët në krah. Atje jemi futur në katin e dytë ku na priti një djalë me emrin Andis Gjoka i cili na kërcënoi se do të na merrte orenditë e shtëpisë, rrogat, do na linte pa shtëpi e pa bukë. Të dy, burrë dhe grua ishim me rroga të bllokuara. Na thanë për të firmosur një dokument si e deshën ata që të na zhbllokonin rrogat. U detyruam të firmosnim pasi kishim fëmijët e vegjël djali 2 vjec dhe vajza 3 vjece dhe ishim pa bukë në shtëpi. Ishte muaji tetor 2016 me sa më kujtohet kur bashkë më bashkëshortin kemi firmosur një letër te zyra “Star”. Bëhej fjalë për një kontratë kredie për një vlerë 597.300 lekë me shoqërinë MCA që ndodhej me zyra brenda shoqërisë Star. Paguam për këtë kredi deri në muajin Gusht 2017 rreth 135.000 lekë, por më pas nuk patëm më mundësi për të paguar. Më pas filluan kërcënimet, faturat dhe letrat nga MCA dhe ADCA. Ata filluan të merrnin në telefon të gjithë fisin për detyrimet e mia, nuk dinim nga arrinin ti gjenin numrat e tyre. Merrnin në telefon babain tim L. Spirollari, i kanë çuar edhe zarfa në shtëpi, merrnin vëllain tim G. Spirollari dhe i dërguan letrat e kredisë sime tek puna e tij në Galerinë e Arteve, merrnin nusen e vëllait tjetër A. Spirollari, A. Spirollarin dhe i thonin ndihmojeni të paguajë kredinë Mirela me Ilirin. Në fillim të vitit 2022 filluan sërish bllokimet e rrogave në bankë nga përmbaruesit Helidon Xhindi dhe Fatos Alimadhi.
Punonjësit e bankës Credins te Blloku më thanë se duhej të shkoja te zyrat e ADCA dhe më treguan adresën dhe më dhanë një numër kontakti të tyre. U futa sipas orientimit dhe aty ishte një banak i kuq i ndarë me sportele. Tek njëri nga sportelet ishte vajza që foli me mua dhe më mori kartën e identitetit, ku i bëri një fotokopje. E pyeta nëse mund ta takoja përmbaruesin Helidon Xhindi, ajo më tha se i them unë atij çfarë ke për t’i thënë se nuk e takon dot. Të sqaroj unë më tha, ti e ke detyrimin 1.200.000 lekë, sepse nuk e ke respektuar borxhin dhe të ka vajtur kaq. Unë i thashë se kam paguar gati 5 milion në total që nga viti 2008, si ka mundësi aq detyrim i prapambetur. Vajza e sportelit më tha që kaq ka vajtur përqindja sipas kamatvonesave dhe më tha ik paguaj borxhin. Më mbrapa nuk kam vajtur më aty pasi edhe pse më telefononin shpesh, kisha frikë se do më detyronin të firmosja sërish ndonjë kontratë të re kredie dhe do të ma rrisnin borxhin sërish duke më gënjyer”.
Rikthehemi tek rasti i Pal Trashajt, simboli i këtyre skemave. Historia e tij nis në gusht të 2008, me një kontratë kredie.
SKEMA ME RRATHË
Detyrimi i Trashaj (debitor), sipas dokumentit “njoftimi kalimi detyrimi” në datë 19.09.2018, ishte në vlerën
Vlera 434,785 lekë
Principal 74,538 lekë
Interes 3,715 lekë
Shpenzime 356,532 lekë
Pavarësisht kundërshtive që ka pasur për këtë detyrim, pas vendosjes së një sërë urdhërash bllokimi të llogarive bankare apo të pasurive të paluajtëshme, Helidon Xhindi, Fatos Alimadhi etj ky shtetas ka mundur t’a mbyllë këtë kredi duke paguar shumën 360,500 lekë. Kundërshtitë e tij të pafundme kishin të bënin me sekuestrimin e llogarive bankare dhe pronave. Më konketisht për detyrimin e sipërcituar ndaj këtij shtetasi janë kryer veprime dukshëm abuzuese, duke i vënë sekuestro conservative, mi banesë, tokë arë, pemtari, truall, llogari bankare, paga e atë ardhura sikurse listohen gjatë në tabelë.
URDHËRA DHE SEKUESTRO PËR PAL TRASHAJ
Urdhëri i ekzekutimit është lëshuar me dt.16.05.2014, Nr.162 Vendimi.
Më datë 15.10.2021 përmbaruesi Helidon Xhindi ka realizuar shkresën “Lajmërim për ekzekutim vullnetar të detyrimit”.
“Njoftim për bllokimin në gjykatë të pagës së palës debitore. MCA/ADCA
Përmbaruesi Lorenc Sollaku ka realizuar shkresës “Komunikim për shlyerjen vullnetare të detyrimit”
Më datë 08.04.2022 përmbaruesi Helidon Xhindi ka realizuar shkresën “Urdhër për Vënien e Sekuestros Konservative”, drejtuar Bankave të Nivelit të dytë.
Më datë 08.04.2022 përmbaruesi Helidon Xhindi ka realizuar shkresën “Urdhër për Venien e Sekuestros Konservative”, drejtuar Bankave të Nivelit të dytë për shumën 434,800 lekë
Zona Kadastrale Nr.2995,Lloji i Pasurisë;Pemëtore+Truall,Nr.i Pasurisë 154/71 vol.1 Fq.71, Sipërfaqe Totale 2450 m2
Më datë 01.07.2022 përmbaruesi Helidon Xhindi ka realizuar “Urdhër për Vënien e Sekuestros Konservative”, drejtuar Bankave të Nivelit të dytë.
Më datë 28.12.2022, përmbaruesi Fatos Alimadhi ka realizuar “Urdhër për Vënien e Sekuestros konservative”, ASHK, Drejtoria Vendore-Lezhë.
Pemëtore me nr.pasurie15/6,Zona Kadastrale 1875,Sip.Totale 260 m2
Zona Kadastrale 1875, Sip. Totale 4358 m2
Arë me nr.pasurie 86/32, Zona Kadastrale 1875,Sip. Totale 4697 m2.
Më datë 22.07.2022, përmbaruesi Saimir Dogjani ka realizuar “Urdhër për heqjen e sekuestros Konservative”
Më datë 04.01.2023 përmbaruesi Fatos Alimadhi ka realizuar “Urdhër për Vënien e sekuestros konservative” drejtuar ASHK, Drejtoria Vendore-Lezhë.
Më datë 04.01.2023 përmbaruesi Fatos Alimadhi ka realizuar “Urdhër për Vënien e sekuestros konservative” drejtuar ASHK,Drejtoria Vendore-Lezhë drejtuar Dirjan (Dorjan) Ndue Pjetri.
Më datë 31.01.2023 është realizuar marrëveshje me dorëzanësin Dorjan Ndue Pjetri për shlyerje detyrimi.Klienti ka realizuar pagesën 360,500 Lekë duke shlyer nëtotal detyrimin.Dosja e pushuar;
Më datë 31.01.2023 përmbaruesi Rrok Deda ka përpiluar shkresën “Vendim pushimi me kërkesë të kreditorit”
Më datë 31.01.2023 përmbaruesi Rrok Deda ka përpiluar shkresën “Urdhër për heqje sekuestro konservative mbi automjetet e debitorit”
Më datë 31.01.2023 përmbaruesi Rrok Deda ka përpiluar shkresën “Urdhër për heqje sekuestro konservative mbi pagën e debitorit”.
Ndërkohë që Pal Trashaj mendonte që e kishte zgjidhur “hallin” me MCA shfaqen veprime të tjera përmbarimore, për një detyrim të blerë vetëm në vlerën 27,935 Lekë, çka solli më pas edhe kalvarin që I mori jetën Pal Trashajt.
Fatos Alimadhi, deklaroi para hetuesve se nuk ka kryer vepime me këtë debitor. Edhe nga vetëm ky deklarim shpjegohet fakti se përmbaruesit nuk i kishin dosjet përmbarimore, pavarësisht se ndërkohë përmbaruesi Rigels Bejko kishte nisur procedurat e shitjes në ankand të pronave të Pal Trashajt. Rasti i këtij të fundit është bërë publik për shkak të vetevrasjes së tij pikërisht për veprimet e kundraligjshme të Shoqërisë MCA, por Fatos Alimadhi nuk kishte asnjë dijeni për këtë rast edhe pse kishte vendosur sekuestro për 6 prona të ndryshme të tij në dy procedura përmbarimore.
Mjafton vetëm një shembull, tërësisht i thjeshtë, për të kuptuar se si bëhej shumëfishimi i vlerave të debitorëve me një të rënë të lapsit.
Bashkëshortët I. Ddhe E. R, pasi janë kthyer nga emigracioni në shtetin grek, kanë vendosur të blejnë një makinë me kredi bankare dhe në datën 29.12.2010 kanë lidhur një kontratë kredie konsumatore, për shumën 700 000 lekë. Pas disa shlyerjesh kredimarrësit dalin në vonesë dhe banka kërkoi në gjykatë të nxirret një urdhër ekzekutimi për marrjen me forcë të detyrimit nga shërbimi përmbarimor. Në datë 28.12.2011, është lëshuar urdhëri i ekzekutimit me vendimin nr. 7941 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për detyrimin në vlerën 735 255.33 Lekë, pra këtu del në pah shuma me gjithë interesin e përfshirë. Kjo kredi është ceduar tek MCA dhe kjo e fundit e ka rregjistruar në SOFT në shumën 1,066,100 lekë. Siç shihet, sapo futet në skenë MCA, vlera rritet me 330 845 lekë të reja njëherësh, duke marrë parasysh se shuma prej 233,700 lekësh ishte shlyer nga vlera totale e kredisë fillestare.3 rikonstrukturime për një kredi, u bënë në harkun kohor të më pak se dy viteve.
E. R, DENONCUESE
“E gjithë historia e këtyre kredive të firmosura njëra pas tjetrës nisi kur shfaqet te puna e bashkëshortit një djalë (emri s’më kujtohet) si përmbarues nga Zyra përmbarimore “STAR” duke bërë një presion mbi situatën ku ishim futur dhe se do kishim penalitete nga 2015 e tutje nëse nuk bënim diçka. Ai propozoi një zgjidhje duke i sqaruar ish-bashkëshortit se mund të na financonin nëpërmjet “MICRO CREDIT ALBANIA” sh.p.k. pjesë e “STAR” sh.p.k, që ne kishim dosjen dhe të na fuste në sistem pagese normale njësoj siç dhe e kishim pasur marrëveshjen në fillim me këste që do e vendosnim ne se sa mundeshim të paguanim dhe duke përfituar kështu çdo heqje mase sekuestro. E menduan pozitive dhe thamë se më në fund do merrnim pak frymë pa u turpëruar më nëpër punët tona. Ata na propozuan që shumën ta fragmentojnë, sipas tyre ky term i çuditshëm do të thoshte shuma do ndahet. Nuk po e kuptonim dhe aq mirë, por për ne qe një zgjidhje që se menduam shumë gjatë dhe nuk pamë asgjë të dyshimtë. Na propozuan një skemë të tillë që; gjysmën e shumës (500.000 lekë) do ta ngrijmë për një vit që mos të rriteshin si detyrime apo penalitete (çuditshëm ishte ky fakt pasi nuk e kuptuam se nga kush do penalizoheshim duke qenë se ishte zyrë përmbarimore e jo zyrë kredie) dhe pjesën tjetër të financoheshim prej tyre për të likuiduar zyrën përmbarimore “STAR” në shumën prej 572.700 lekë (ku këtu përfshihej dhe një kosto 6.600 lekë shpenzimet e tyre si zyrë) dhe ndërkohë të paguanim “Micro Credit Albania” këste mujore 15.000 lekë këste që ia propozuam vetë sipas mundësisë që e shihnim të realizueshme”.
Drama e kësaj familjeje nuk përfundon këtu por gjatë rrëfimit të saj, nuk zbulohet vetëm pasoja financiare, por edhe veprimet antiligjore që kryhen me një thjeshtësi të frikshme pa frikën e ligjit.
E. R, DENONCUESE
“Filluam pagesën e këstit të parë me 26 janar 2016 prej 15.000 lekë, deri në janar 2017 (208.700 lekë total). Këtë muaj më 9 janar 2017 lëshohet serish një urdhër sekuestro rrogë te puna e ish-bashkëshortit tim dhe mua, njëkohësisht. Ndërkohë më marrin në telefon nga banka për sekuestrim të lekëve që kisha të bllokuara aty, si dhe sekuestrim të automjetit si dhe të çdo prone që mund të kishim. As 10 ditë dhe na shfaqet sërish një agjent përmbarimor i “Micro Credit Albania” sh.p.k, pranë punës së bashkëshortit ku më thërret për takim dhe mua, emri i të cilit nuk më kujtohet. Ai na tha se duhej të bënim veprime për pjesën tjetër të kredisë, që sipas tyre quhej e “ngrirë” pasi nuk kishim penalitete për këtë shumë për mospagesë të saj ndaj shoqërisë përmbarimore “STAR” në mënyrë që ne të liroheshim nga çdo sekuestrim. Kësaj kredie do i zbritej një sasi lekësh që ata ma kishin bllokuar prej më shumë se një viti në bankë. Është lëshuar dhe një urdhër transferimi i kësaj shume për llogari të “Shërbimit Përmbarimor STAR” sh.p.k,- na tha, që do ta ulim te shuma e ngrirë. Sërish nën presione psikologjike, të shantazhuar me këto urdhra sekuestro rroge pasi buka e fëmijëve varej te ai bllokim, unë e papunë, nuk e mendova fare, por me sinqeritet të plotë kam lexuar vetëm shumën që po bëhej fjalë dhe firmosa. Na merr sërish dikush në telefon e na thotë hajdeni te zyra për të firmosur dhe njëherë kontratën e re. Pasi llogaritën nga shuma fillestare prej 1.066.100 lekë zbriten kredinë e marrë para një viti 572.700 lekë si dhe lekët që më kishin tërhequr vetë ata duke çuar një urdhër për transfertë të shumës së sekuestruar prej 139.800 Lekë. Dhe kjo me një interes 10% në vit. Përfaqësuesi ligjor i tyre ishte emri Andis Gjoka. Sërish të nesërmen 25.01.2017 u la të bëhej kalimi i çekut në banke, nga Micro Credit Albania sh.a. për te llogaria e “Shërbimi Përmbarimor STAR” sh.p.k. Shkuan ish-bashkëshorti im me një agjent të tyre, në dy degë banke, por ato nuk pranuan të bënin direkt këtë lloj veprimi pasi kërkonin që transferta e çekut në lekë të depozitohej njëherë në llogarinë e personit që e thyen çekun (pra të ish bashkëshortit tim) e pastaj të kryhej veprimi i transfertës nëpërmjet llogarive. Gjithsesi te dega e tretë që shkuan pranë Qytetit të Nxënësve dikush atje i ndihmoi dhe ua bëri veprimet. Agjenti i autorizuar nga Micro Credit Albania që mbante çekun në xhep, e dorëzoi atë te sporteli dhe ndërkohë që ia sqaronte gjatë punonjëses veprimin që duhej të bënte dhe që ish-bashkëshorti im aty thjesht duhej të firmoste për thyerjen e çekut dhe kalimin e lekëve në llogarinë e “Shërbimit Përmbarimor STAR” sh.p.k. U bë veprimi i thyerjes se çekut, ku e dyshimtë ishte mosakordimi i datave që sportelistja shënoi në përshkrimin e veprimit (tërheq nga llog. me çek, nr. 0248781 datë 05.01.2017) ndërkohë ky veprim po bëhej në atë moment si dhe kontrata për këtë çek ishte bërë vetëm një ditë më parë. Thyhet në shumë prej 353.600 lekë ora 12:24 dhe pas 3 minutash firmoset kalimi direkt i kësaj shume për llogari te “Shërbimin Përmbarimor STAR” sh.p.k., ….. Kemi paguar tashmë që ditën që është lidhur kontrata e fundit e deri më sot, aktualisht dje, pagesa e fundit (298.400 lekë). Pa u futur në detaje, ne kemi për të paguar akoma dhe 51 këste, ku total në fund na bie shuma 2.030.100 lekë ndërkohë që vendimi i gjykatës ishte 735.255.33 lekë”.
Prindërit e E. L, vetëm të mos zhytej i biri në probleme, janë detyruar të lënë pa blerë ushqime për jetesë dhe të marrin borxhe, me gjithë problemet që kishte e ëma për shkak të 3 operacione që kreu gjatë kohës që luftonte paralelisht me bankat. Erioni merr një overdraft më datë 04.11.2008 në shumën 55,500 lekë
H. L, NËNA E DEBITORIT
“Ai në atë kohë punonte si shpërndarës picash. Pas disa vitesh djali im u largua për në Angli për një jetë më të mirë. Në vitin 2019 mua më ka ardhur një zarf me postë nga shoqëria MCA dhe ADCA ku më thuhej se duhet të paguaja një detyrim prej 227.000 lekësh. Në zarf kishte dy letra përmbarimore dhe një numër celular. Letrat thonin se duhet të paguaja në mënyrë vullnetare shumën prej 227.000 lekësh ndryshe do të më sekuestrohej pasuria që unë kisha. Kur e mora në telefon më tha se quhej Indrit dhe ishte përfaqësues i bankës “Micro Credit Albania”. Kur shkova atje kam takuar personin me emrin Indrit, pak i shëndoshë në trup, i cili më tha se duhet ta paguaja detyrimin e djalit sepse ndryshe ai do të futej në burg kur të kthehej nga Anglia dhe do të kishte shumë probleme. I thash se unë isha në gjendje të rënduar ekonomike dhe nuk kisha mundësi paguese për një shumë të tillë 227.000 lekë. Indriti më tha se duhej të merrja një kredi tjetër për ta larë borxhin sepse nëse nuk do i paguaja, djali do të kishte shumë probleme dhe kredia do të shkonte 3, 4 , 5 , 6 , 7 milionë lekë të vjetra e më shumë. E gjendur në këtë situatë unë u tremba shumë dhe pasi kam bërë një debat të madh me burrin tim, ku ju luta që të shkonim ta mbyllnim këtë punë për hatër të djalit. E kam telefonuar sërish Indritin pas disa ditësh dhe i kam thënë që në rregull do të vija të firmosja kredinë siç më pati thënë ai. Kur shkova pranë zyrave sërish, Indriti me tregoi që duhet të flisja me një vajzë dhe një djalë tjetër që punonin aty se ata do të më orientonin. Kam firmosur një kontratë kredie në datë 25.04.2019 në shumën 227.300 lekë, bashkë me burrin tim Ilmi Husha. Në atë kohë kam qenë në gjendje shumë të rënduar shëndetësore sepse kam bërë operacionin e parë në gji dhe isha totalisht e pamundur për të lëvizur dhe te zyrat e shoqërisë MCA kam shkuar duke u zvarritur nga lodhja trupore. Pasi firmosëm kontratën, na shoqëroi një djalë për të banka Credins që ishte matanë rrugës gati përballë me vendodhjen e shoqërisë MCA”
Procedura në vijim është sikurse në rastet e tjera, fillon të pagujë 4000 lekë çdo si këst.
H. L, NËNA E DEBITORIT
Për rreth 5 vite arrita të shlyej të gjithë kredinë duke paguar muaj për muaj nga 4000 lekë vetëm që të shpëtoja djalin dhe mos të kishim probleme të tjera sic na tha Indriti edhe pse gjatë kësaj periudhe kam vuajtur shumë pasi jam operuar 3 herë në gji dhe në stomak dhe kam marrë dhe ushqime me borxhe vetëm që të shlyeja detyrimin e kredisë”.
Ndërsa Ministria e Drejtësisë që duhet të kontrollonte këta përmbarues ishte inegzistente, vetë drejtësia apo cdo institucion i shtetit nuk reaguan, këta qytetarë sot kanë vetëm një kërkesë, të shpëtojnë pronat e tyre që vijojnë të mbahet të sekuestruara me vendimet abuzive. Por duket se halli i këtyre institucioneve nuk është halli i qytetarëve, por fshehja e abuzimit nën hundën e pushtetit./ PLUG