Policia e Tiranës ka dalë me një tjetër komunikate ditën e sotme në lidhje me zjarrin masiv që përfshiu një pallat paraditen e së hënës në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:05 në rrugën “Tish Daija” në kompleksin e banimit “Kika2”, teksa ambientet që u përfshinë nga flakët shërbenin si zyra për bankën e nivelit të dytë “Raiffeisen Bank”.
Blutë e kryeqytetit konfirmojnë se si pasojë e zjarrit janë djegur zyrat e një subjekti privat në katin e 4-t, zyrat e “Raiffeisen Bank” në katin e 5-të, dhe një restorant në katin e 6-të. Sipas Policisë, zjarri dyshohet se ka rënë aksidentalisht, teksa vijojnë hetimet për dokumentimin e shkakut.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për rënien e zjarrit në katin e 4-t të një ndërtese, në rrugën “Tish Daija”, bëjmë me dije se paraprakisht dyshohet se zjarri ka rënë aksidentalisht. Nga përhapja e flakëve u dogjën zyrat e një subjekti privat në katin e 4-t, zyrat e një banke të nivelit të dytë në katin e 5-të, dhe një restorant në katin e 6-të. Vijojnë hetimet për dokumentimin e shkakut të rënies së zjarrit”, informon sot Policia.
Kujtojmë se si pasojë e zjarrit masiv, shtëllynga të mëdha tymi përfshinë zonën, duke shkaktuar panik, jo vetëm tek banorët që banin në pallatin e përfshirë nga zjarri, por edhe tek qytetarët e tjerë.
Burime bëjnë me dije se fillimisht punëtorët dhe qytetarët nuk e kishin kuptuar se kishte rënë zjarr, pasi alarmi nuk kishte punuar dhe shumë prej tyre kanë mbetur brenda.
Është dashur ndërhyrje e efektivëve të zjarrifkësve për të bërë të mundur evakuimin e plotë të të gjithë banorëve nga pallati. Ndërkohë, për vënien në kontroll të flakëve dhe shuarjen e tyre, forcat zjarrfikëse kanë punuar për rreth 1 orë e gjysmë.
Flakët janë përhapur përmes tubave të aspirimit, teksa nga hetimet paraprake dyshohet se shkak për rënien e zjarrit është bërë një shkëndijë në paketën elektrike të një zyre që ndodhej në pallat.