Pesë ditë pas zhdukjes se 63 vjeçarit Ëngjëll Kanani pranë lumit Vjosa në afërsi të fshatit Kashisht nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Mister mbetet fakti që nuk është gjetur asnje send personal i tij, si mjetet e peshkimit, çanta apo celulari. Për më tepër, celulari i 63 vjeçarit ka qenë i hapur deri 24 orë pas zhdukjes së tij teksa kishin nisur kërkimet për të. Familjarët dhe miku i tij 64 vjeçar e kanë telefonuar vazhdimisht në numrin e tij, por megjithëse thirrja kryhej, nuk përgjigjej askush.
Kërkimet janë shtrirë edhe në kanalin Vjosë Levan Fier që lidhet me lumin Vjosa e madhe. Një grup familjarësh po kontrollojnë këtë zonë prej dy ditësh duke iu bashkuar kështu operacionit të kërkimeve nga policia dhe ekipit të polumbarëve. Megjithatë, nga 63 vjeçari nuk ka asnjë gjurmë.
Krahas kërkimeve, sektori i krimeve në komisariatin e Fierit ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Ëngjëll Kanani është baba i tre fëmijëve. Ai bashkë me një shokun e tij, të dy me banim në Berat, prej tre vitesh ushtronin peshkim amator në lumin Vjosa. Diten e zhdukjes, të enjten e javës që shkoi, dy shoket janë parë të peshkonin në vende të ndryshme në zonën e Kashishtit. Miku i tij ka deklaruar në polici, se kishin lënë takim, por 63 vjeçari nuk erdhi.
Pas disa orësh ku 63 vjeçari nuk përgjigjej në telefon, miku i tij denoncoi zhdukjen e tij. Kërkimet ende vazhdojnë.