Ulja e pragut të të ardhurave bruto vjetore që sjell detyrimin e deklarimit të DIVA-s pritet të dyfishojë numrin e deklaruesve.
Deri pak ditë të afatit të deklarimit të të ardhurave nga punësimi (që përkon më datën 20 të çdo muaji) nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve parashikohet që deklarata DIVA të plotësohet prej 141 mijë të punësuarve.
Ende nuk ka përcaktime konkrete sesa prej tyre janë individë me të ardhura bruto vjetore mbi 1,2 milionë lekë në vit dhe sesa prej dypunësimeve.
Për 2023, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për Monitor, DIVA u deklarua nga rreth 74 mijë individë, përkatësisht nga 24,224 individë me të ardhura vjetore bruto mbi 2 mln lekë dhe 49,566 ishin individë të dypunësuar.
Në total parashikohet që deklarimet nga individët e rinj të shtohen në numër rreth 67,210 apo 91% më shumë se deklarimet e DIVA-s për 2023.
Për DIVA-n e 2024, që dorëzohet gjatë vitit 2025 afati i dorëzimit është deri më 31 Mars 2025, nga 31 Prill që ishte afati i mëparshëm.
Nga 1 janar 2025 detyrimi për dorëzimin e DIVA-s 2024 e kanë të gjithë individët që kanë realizuar të ardhura bruto më shumë se 1,2 milionë lekë në vit, nga mbi 2 milionë në vit që ishte më parë.
Pra sivjet përveç ndryshimit të afatit të plotësimit dhe dorëzimit të deklaratës, me hyrjen në fuqi të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, ulet edhe pragu i detyrimit për deklarim për të punësuarit në Shqipëri. Deri më tani këtë detyrim e kishin individët me të ardhura vjetore bruto mbi 2 milionë lekë në vit.
Për ndryshimet e DIVA-s 2024, Drejtoresha e Procesit të Bizneseve në DPT Rozana Çelmeta shpjegoi më herët për Monitor se risi tjetër do të jetë që edhe individët që kanë realizuar të ardhura të patatuara më shumë se 50 mijë lekë në vit nga çdo kategori tjetër të ardhure, por të cilat nuk i nënshtrohen mbajtjes së tatimit përfundimtar në burim, kanë detyrimin e deklarimit, pavarësisht totalit vjetor të të ardhurave bruto të realizuara.
Për individët që janë në marrëdhënie punësimi, me më shumë se një punëdhënës, zonja Çelmeta bëri të ditur se për këtë kategori nuk ndryshon mënyra e plotësimit dhe dorëzimit të DIVA-s 2024.
Pra të dypunësuarit sipas saj do të vijojnë të kenë detyrimin të plotësojnë deklaratën pavarësisht nëse e arrijnë kufirin prej 1,2 mln lekë në vit apo kanë realizuar të ardhura nën këtë nivel.
Po ashtu nuk ndryshon mënyra e plotësimit dhe dorëzimit të deklaratës për dy punësuarit. Njohja e shpenzimeve për fëmijët në ngarkim nën 18 vjeç dhe shuma maksimale prej 100 mijë lekë në vit për arsimimin e tyre do të zbatohet për DIVA 2025 që dorëzohet në vitin 2026.
Në DIVA përfshihet deklarimi i të ardhurave bruto, si:
Të ardhurat bruto nga marrëdhëniet e punësimit ose të ngjashme me to; të ardhura bruto nga dividendi; të ardhura bruto nga qiraja;
Fitimet kapitale të realizuara nga skemat e sigurimit të jetës, kthimi i investimit nga skemat e pensionit privat;
Fitime kapitale nga tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme;
Të ardhura bruto nga interesat bankare;
Fitimi kapital i krijuara nga investimet në tituj apo nga pasuri të paluajtshme sipas germës a, pika 2 e nenit 5;
Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licenca, të drejta ekskluzive dhe pasuri të tjera që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike;
Shuma bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit; fitime kapitali nga dhurimi; Fitime kapitali nga trashëgimia;
Të ardhura nga nxjerrja apo përfitimi i mjeteve virtuale;
Të ardhurat nga transaksionet me mjetet virtuale; Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe të të ardhura të tjera bruto të papërmendura më lart./