Eflatun Tançica dhe dy motrat e tij janë emigrantë prej 25 vitesh në Itali. Si rrjedhojë e trashëgimisë nga mamaja, ai dhe motrat e tij, ishin pronarë të një prone afër Pallatit me Shigjeta.
“Unë bashkë me motrat jemi pronarë nga ana e mamasë të një toke që ndodhet tek 21 Dhjetori përballë Shkollës Teknologjike. Por, ne jemi në Itali dhe të gjithë e dinë shumë mirë sakrificat, ne i kemi lënë djalit të tezes ngaqë ishte këtu në Tiranë i kemi lënë të drejtën që të na përfaqësonte për dokumentet për gjërat që do të kishin nevojë sepse mungesa jonë dihet. Dhe i kemi bërë prokurë përfaqësimi pranë noteres Perim Botinaku që natyrisht na çoi ai”, tha denoncuesi.
Në vitin 2019 ata i lanë një prokurë të përgjithshme djalit të tezes Artan Katroshi, që të lidhte kontrata me ndërtuesin në emër të tyre pasi mbi këtë truall do të ndërtohej.
“Në 2018 pasi na ra në dorë dokumenti pamë që emri im dhe i dy motrave nuk ekzistonte në bashkëpronarët e pallatit të ndërtimit. Nga kjo dyshuam që ka diçka që nuk shkon. Pas kësaj goditje u drejtuam tek djali i tezes dhe pa pikë turpi më tha ‘po e bëra, po deshe më hidh në gjyq’”, tha Eflatun Tançica.
Eflatuni takon edhe kushëririn e tij Artan Katroshi, dhe ky i fundit i thotë në fund, se do shpenzojë deri në pikën e fundit, që Eflatuni të mos e marrë kurrë pronën e vet.
Denoncuesi Eflatun Tançica: Që të folim si dy çuna tezesh, siç kemi kaluar, edhe siç kemi bërë më parë…Pse na i bëre këtë gjë?
Djali i tezes Artan Katroshi: Çfarë të bëra?!
Denoncuesi Eflatun Tançica: Që i ke fal tokën vetes?
Djali i tezes Artan Katroshi: Si?
Denoncuesi Eflatun Tançica: Që i ke fal tokat vetes, që i ke bërë akt-dhurimi vetes?
Djali i tezes Artan Katroshi: Dëgjo këtu! Ta dish ti, ta dini ju të gjithë…! M’u ka q*rë nëna mu asnjëri nga ju, jo që s’ka dit, por as e ka rrujt menderen, me u mor…,që jam marrë që në 2001-shin…edhe akoma nuk i kam mbyll gjyqet dhe akoma jam në gjyq…
Denoncuesi Eflatun Tançica: Edhe për këtë duhet t’i vidhje gjithë tokat?!
Djali i tezes Artan Katroshi: Nuk t’i vodha unë, pse t’i vodha tokat unë ty?
Denoncuesi Eflatun Tançica: Pse ma bërë mu dhe dy motrave të tjera?
Djali i tezes Artan Katroshi: Ça, ça kërkon tani?
Denoncuesi Eflatun Tançica: Si çfarë kërkoj?
Djali i tezes Artan Katroshi: Çfarë kërkon?
Denoncuesi Eflatun Tançica: Pse e bone? Me çin e ke bo atë akt-dhurimin (me kë notere)?
Djali i tezes Artan Katroshi: Si me çin?
Denoncuesi Eflatun Tançica: Akt-dhurimin?
Djali i tezes Artan Katroshi: Me të drejtat, që kisha…
Denoncuesi Eflatun Tançica: Jo, jo, të drejtat që i kishe ti, po me çin?
Djali i tezes Artan Katroshi: Me veten…ik e gjeje, se unë jam mashtrues…500 edhe 1000 gjëra do bëj! Këtë ta kesh shumë të qartë..!
Denoncuesi Eflatun Tançica: Mirë.., unë do bëj punën time.
Djali i tezes Artan Katroshi: Vazhdo, deri në fund do të të nxjerr edhe ujtin e ziiiii….
Më pas denoncuesi shkon te noterja Margalina Dauti, ku është bërë kontrata e dhurimit,dhe zonja Dauti shtiret sikur nuk e mban mend rastin në fjalë. Por ajo shprehet, se Eflatuni mund ta godasë këtë kontratë, sepse ajo është bërë gabim.
Denoncuesi Eflatun Tançica: Si jeni, mirë? Jam Eflatun Tançica! Më duhet kontrata, që çuni i tezes tim e ka bërë dhuratë veten e vet, e ka bërë këtu? Të faljes, që i kam fal tokën…
Noterja Margalina Dauti: Nuk e di, ta shof. Ti Eflatuni je? Po do ta gjej, të kam vëlla. Po pse le Prokurë të Përgjithshme, të kam vëlla?
Denoncuesi Eflatun Tançica: Si prokurë të përgjithshme?!
Noterja Margalina Dauti: Që i ke lënë Tanit, prokurë të përgjithshme…
Denoncuesi Eflatun Tançica: Se unë u interesova, për dhurim vetes së vet nuk është kjo prokurë. Ai nuk mund t’ia dhurojë vetes së vet këtë pronë?
Noterja Margalina Dauti: Dëgjo pak! Çfarë i thua ti…? Prokurë e përgjithshme, përfaqësuesi ka të drejtë të më përfaqësojë pranë çdo zyre, Komune ,private,shtetërore,institucioni për pronat dhe depozitim, tërheqje, regjistrim, plotësim aktesh, nënshkrim. Ka të drejtë, të tërheqë, të mbajë,ka të drejtë të bëjë kontratë sipërmarrje me shoqëri ndërtimi, shërbim, banim dhe unë jam bashkëpronar. Kërkoj nga shoqëria ndërtuese, të dorëzojë dokumentet për marrëveshjen e punimeve. Ka të drejtë, të më përfaqësojë në rast konflikti në çdo ëëëë…,ka të drejtë të më përfaqësojë në gjykim. të cilin e kërkon ëëëëë… atë në dobi të vet edhe mund ta edhe sikur ta kem bërë unë, mund ta godasësh…
Denoncuesi Eflatun Tançica: Mund ta godas, sa lajm i mirë është.
Noterja Margalina Dauti: Mund ta godasësh! Më dëgjo mua…! Mund ta godasësh! Gjej një avokat të mirë…!
Sipas ekspertit dhe këshilltarit Fatmir Laçej, në asnjë rresht të prokurës nuk flitej për tjetërsimin e pronës së Eflatunit dhe motrave të tij. Sipas tij, nuk duhet të lidhej kontratë dhurimi siç bëri noterja Margalina Dauti në vitin 2020, duke ia kaluar pronën e kushërinjve, djalit të tezes, për të lidhur kontrata në emër të tyre me ndërtuesin dhe duke ia kaluar pronën vetes.
“Kur bëhet fjalë për tjetërsimin e pronës, nëse ka tjetërsim prone atëherë detyrimisht në prokurë duhet përcaktuar që dua të më përfaqësojë dhe në zyrën noteriale për nënshkrimin e kontratave të veçanta përshembull, kontratë shitje, kontratë dhurimi, apo kontrata të tjera që mund të jenë shkëmbimi etj. Në rastin konkret, kontrata e shkëmbimit i është dhënë e drejta të nënshkruhet nga ana e përfaqësuesit, por jo të kryejë veprime të tjera. Pra bëhet kontrata përfundimtare e shkëmbimit ndërmjet sipërmarrësit dhe pronarit të truallit, i cili është në rastin konkret dhe porositen, por asnjë problem tjetër nuk mund të bëhet me anë të asaj prokure”, tha eksperti Fatmir Laçej./tvklan