Nga Boldnews.al
Pas dorëheqjes së Saimir Tahirit nga mandati i deputetit, në mjediset publike dhe mediatike kanë nisur të vendosen baste nëse ai do të arrestohet apo jo.
Ish-ministër i Brendshëm dhe një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit Edi Rama, Saimir Tahiri i shpëtoi në Tetor 2017 arrestimit, pasi maxhoranca socialiste, me votë politike, pengoi Prokurorinë të vendoste prangat në duart e tij.
Tashmë, pas dorëheqjes nga mandati i deputetit, Tahiri është një njeri pa imunitet dhe Prokuroria për Krime të Rënda nuk ka asnjë pengesë kushtetuese, gjithnjë nëse ka prova, për të kërkuar arrestimin e tij. Ky variant është në kushte teorike. Por, në terrenin praktik, a i kanë realisht mundësitë prokurorët për të kërkuar prangosjen e ish-ministrit të Brendshëm?
Saimir Tahiri, pavarësisht se u largua nga Parlamenti, vijon të ketë mbështetje të fortë politike në radhët e partisë së tij. Dy javë më parë, ai iu rikthye sallës së Kuvendit, ku mungonte prej thuajse 6 muajsh. Në fund të sallës, ku ai qëndroi, priti “vizitat” e shumë deputetëve dhe ministrave të qeverisë “Rama”, të cilët u përshëndetën ngrohtësisht. Këto pamje, natyrisht, duhet t’i kenë parë edhe prokurorët, të cilëve u është përcjellë mesazhi se Tahiri ka shumë miq në radhët e maxhorancës.
Por, prokurorët, në të drejtën e tyre ligjore, ndoshta nuk duhet të marrin parasysh afërsinë politike të të hetuarit të tyre. Ata duhet të ndjekin provat dhe, sidomos, të jenë të lirë për të ndjekur dhe mbledhur provat. Këtu nis vështirësia e tyre.
Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi 6 muaj para arrestimin e Saimir Tahirit, me synimin që ai të mos kishte mundësi të prishte apo të ndikonte në fshehjen e provave për hetimin që kishte nisur ndaj tij. Tashmë, 6 muaj pas, ai dhe njerëzit pranë tij kanë pasur të gjitha mundësitë të prishin apo tjetërsojnë prova, të intimidojnë dëshmitarë të mundshëm. Pra, qënia e tij në liri për 6 muaj, mund t’u ketë hequr shumë mundësi prokurorëve që të sigurojnë të dhëna bindëse për fajësinë e Saimir Tahirit.
Nga ana tjetër, prokurorët që po ndjekin hetimin e Tahirit janë vetëm, pa asnjë mbështetje institucionale. Pavarësisht qëndrimit deklarativ të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, se ata kanë të gjithë mbështetjen e saj, në fakt ka ndodhur e kundërta. Dy prej prokurorëve të dosjes janë vetë persona nën hetim, në një hetim të Prokurorisë së Durrësit, për ekstradimin e financierit të Habilajve, Nezar Seitaj.
Pra, dy prokurorët që urdhëruan arrestimin e tij dhe mendonin se mund ta zbërthenin për të treguar aktivitetin e bandës, janë nën hetim, pavarësisht se firmën për ekstradimin e paligjshëm të Nezar Seitaj e vendosën Kryeprokurorja e Përkohshme dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ky hetim ndaj prokurorëve të dosjes “Tahiri” nuk mund të konsiderohet gjë tjetër, përveçse presion ndaj tyre.
“Loja” me djegien e dëshmitarëve dhe personave kyç të dosjes Tahiri, në fakt ka nisur më herët. Në kohën kur Këshilli i Imuniteteve dhe Mandateve në Parlament po diskutonte për të lejuar apo jo autorizimin për arrestin e Saimir Tahirit, në media u publikua ekzistenca e një dëshmitareje kyçe. Ajo ishte një oficere policie në Vlorë, e cila kishte lidhje me vëllezërit Habilaj. Kjo e dhënë gjendej vetëm në dosjen sekrete që prokuroria ua vuri në dispozicion deputetëve që po shqyrtonin kërkesën për Tahirin. Por, pa u marrë akoma vendimi për Tahirin, media pranë qeverisë publikoi ekzistencën dhe emrin e kësaj dëshmitareje, duke e “djegur” përfundimisht atë. Prokuroria, për shkak të politikës, e humbi që në fillim njeriun kyç, e cila mund të ndihmonte shumë hetimin.
Prokurorët, të cilët do të vendosin për arrestimin ose jo të Saimir Tahirit, janë përballë procesit të Vetingut. Tashmë është bërë e qartë se Komisioni i Vetingut, në shumicë dërrmuese, orientohet nga qeveria. Pra, prokurorët duhet të llogarisin para se të hedhin firmën për arrestimin e tij një hakmarrje të mundshme ndaj karrierës së tyre, nëpërmjet Vetingut.
Dhe, së fundi, edhe nëse prokurorët, pavarësisht vështirësive, vendosin t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar arrestimin e Tahirit, do të jetë ajo e fundit që do të japë verdiktin për fatin e ish-ministrit të Brendshëm. Për të njëjtat arsye si edhe prokurorët, a do të gjendet një gjyqtar që do të marrë përsipër riskun e të shndërrohet në objekt sulmesh politike, vetëm për të firmosur arrestimin e Saimir Tahirit?
Këto janë pikëpyetje, të cilat Tahiri dhe “ndërmjetësit” e kryeministrit duhet t’i kenë sheshuar para se ish-ministri i Brendshëm të shfaqej si i shqetësuar shumë për integrimin e Shqipërisë, për të cilin “bëri kurban” mandatin.