Dy ditë pas ngjarjes së rëndë në Fushë-Krujë, ku brenda një automjeti të djegur u gjet një person i pajetë, dalin detaje të reja. Policia e Kosovës ka konfirmuar se emri i viktimës që u gjet i djegur është Xhafer Osmani. Mësohet se Osmani është nga fshati Pestovë i komunës së Vushtrrisë. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahitin tha se më 4 maj familjarët kanë raportuar si të zhdukur një person me identitetin e njëjtë me trupin e pajetë që u gjend në Fushë-Krujë.
“Më 4 maj, në orët e vona dikush nga familjarët e ka raportuar si të zhdukur në polici një person dhe dje e kanë gjetur në Fushë-Krujë, dyshohet që bëhet fjalë për personin e njëjtë”, tha Zahiti. Ndërkohë burime nga grupi hetimor në Shqipëri thonë se një përgjigje e saktë për identitetin e viktimës pritet të merret ditën e sotme pas kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore dhe marrjes së analizës së ADN-s.
Mësohet se automjeti me pronar Xhaferr Osmanin, kishte hyrë nga Kosova drejt Shqipërisë përmes pikës doganore të Morinës më 29 prill, ndërsa në zonën e Fushë-Krujës mjeti ka hyrë rreth orës 10 të paradites së të shtunës. Ndërkohë bëhet me dije se automjeti në të cilën u gjet trupi i pajetë i vrarë dhe më pas i djegur, është fiksuar nga kamerat e sigurisë së një karburanti 250 metra larg vendit të ngjarjes.
Sipas të dhënave nga policia, mjeti tip “Volkswagen Touran” me targa 02960SN rezulton të jetë futur në rrugicën pranë karburantit në orën 10:00, ndërsa sinjalizimi për zjarrin është dhënë në orën 13:05 minuta. Mësohet se mjeti ishte i pajisur me xhama të zinj në dyert e pasme, ndërsa kamerat kanë arritur të fiksojnë vetëm shoferin, një person rreth 30 – 35 vjeç.
Ndërsa viktima dyshohet se ka qenë i lidhur në pjesën e pasme të automjetit. Pasi kanë vajtur në fund të një are të mbjellë me grurë dhe pa dalje, autorët e kanë fshehur makinën në kallamishte për të mos u dukur. Ndërkohë që priten përgjigjet e AND-së për identifikimin e personit të gjetur të pajetë, ngrihen dyshime se përse autorët e kanë mbajtur viktimën për rreth tre orë në të njëjtin vend dhe më pas kanë vendosur ta djegin.
Dyshimet janë se ndaj viktimës mund të jetë ushtruar dhunë apo tortura të ndryshme me qëllim nxjerrjen e ndonjë të dhëne që ju ka interesuar autorëve, të cilët më pas e kanë vrarë dhe i kanë vënë zjarrin makinës për të humbur gjurmët. Zyrtarisht mësohet se viktima është gjendur i karbonizuar me pak pjesë biologjike të mbetura në pjesën e pasme të makinës.
Sakaq policia ka shoqëruar disa persona, si të dyshuar për ngjarjen. Po ashtu po hetohet itinerari i lëvizjes së mjetit. Gjithashtu, prokuroria ngriti fillimisht dyshimet e një vrasje për shkak të ndonjë lidhje intime të viktimës në Shqipëri, por për këtë pistë nuk ka shumë prova. Osmani ishte beqar, ndërsa ditën e djeshme kanë mbërritur nga Kosova nipi dhe vëllai i tij për të dhënë më shumë informacione për të zbardhur ngjarjen.
Dyshime ka gjithashtu, se 61-vjeçari kosovar, mund të jetë përfshirë në ndonjë aktivitet të jashtëligjshëm dhe vrasja është bërë për prishje pazaresh. Ngjarja e rëndë u raportua dy ditë më parë rreth orës 14:00. Ka qenë një person, banor në fshatin Borizanë ai që ka parë makinën teksa digjej. Pak minuta më pas në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit e policia.
Pasi janë shuar flakët, brenda saj është konstatuar kufoma e shkrumbuar e një personi të seksit mashkull. Ndërkohë policia jonë po bashkëpunon dhe me policinë lokale të Mitrovicës për të mësuar më shumë lidhur me profilin e personit që mendohet se mund të jetë viktima. Drejtoria e përgjithshme e policisë së Shtetit ka vënë në dispozicion të komisariatit të Fushë-Krujës të gjithë asetet e nevojshme për zbulimin e kësaj ngjarje.