Nga Elton Qyno
Trifon Murataj, bosi i kompanive “Bana King” dhe “Zico Sh.a” është liruar nga masa e “arrestit në burg”, duke u vendosur në masën e sigurisë “detyrim për tu paraqitur pranë oficerit të policisë gjyqësore”.
Vendimi për lirimin e Murataj, vjen pas dy viteve qëndrim në kërkim, pasi në datën 4 nëntor 2022 gjatë operacionin “Again” ndaj Murataj u firmos një mandat “arresti me burg”, pasi dyshohej se ishte i implikuar në trafikun e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të portit të Durrësit.
Ky mandat arresti nuk u ekzekutua asnjëherë nga Policia e Shtetit, duke bërë që Murataj të qëndrojë dy vjet me radhë i shpallur në kërkim pa u arrestuar në asnjë moment nga policia.
Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka mësuar se vendimi për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj tij, është marrë pak kohë më parë nga gjykata e Durrësit, e cila konstatoi se ndaj biznesmenit Trifon Murataj, nuk ishin kushtet e domosdoshmërisë që ndaj tij të vijonte të qëndronte në fuqi masa e sigurisë “arrest në burg”.
Nisur nga kjo situatë gjykata ka çmuar dhe argumentuar se Murataj duhej të dalë nga masa e “arrestit në burg” dhe ndaj tij hetimi penal të vijojë të zhvillohet në masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.
Tashmë Murataj dhe personat e tjerë janë në gjendje të lirë, ndërkohë hetimet kundër tyre zhvillohen për akuzën e “Trafikimit të narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Sipas dosjes hetimore biznesmeni Trifon Murataj u shpall në kërkim në muajin Nëntor 2022, pasi në kontejnerin e kompanisë së tij “Bana-King” u kap në portin e Durrësit një sasi prej 33.5 kg kokainë.
Sasia e kokainës është dërguar përmes ngarkesës së bananeve që vinte nga Ekuadori në drejtim të portit të Durrësit.
Për këtë rast u arrestuan fillimisht punonjësit e kompanisë Petrit Demishaj, Alban Naziraj dhe Artur Sevdaraj, të cilët u akuzuan për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike” dhe “Falsifikim kompjuterik”.
Të tre personat u mbyllën në masën e sigurisë “arrest shtëpie” por më pas gjykata e Apelit Tiranë i liroi në masën e sigurisë “detyrim për tu paraqitur tek oficeri”.
Ndërsa në një operacion të mëparshëm të zhvilluar në dhjetor 2021 në Vaqar, policia kriminale zbuloi dhe sekuestroi brenda kontejnerit me banane një sasi prej 119 kg kokainë që kishte mbërritur nga Ekuadori në Shqipëri.
Për këtë episod, policia arrestoi administratorin e kompanisë Marson Murataj dhe dy shoferët e firmës “Zico” Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu.
Pas disa muaj qëndrim në burg, të tre personat tashmë janë liruar nga gjykata e shkallës së parë dhe ajo e Apelit, me masën e sigurisë detyrim për paraqitje.
Në të dyja episodet e trafikimit të lëndës narkotike të gjithë personat janë liruar.