Në Gusht të vitit 2024, kompania koncesionare që operonte në Kalatën Lindore të Portit të Durrësit për ngarkim-shkarkimin e kontenierëve, shiti aksionet e saj tek shoqëria kroate, “SCHAPHA D.OO”. Ky transaksion përbënte epilogun e një përplasjeje të nisur më herët mes qeverisë shqiptare dhe “EMS”, e cila kishte operuar për 10 vjet në Portin e Durrësit.
Qeveria e Edi Ramës vendosi që të japë territorin e Portin të Durrësit për ndërtimin e projektit “Durrës Yacht Marina”. Për “EMS”-në, ky projekt cënonte aktivitetin e saj tregtar e, për këtë arsye iu drejtuar Arbitrazhit Ndërkombëtar, ku kërkonte 40 milione euro dëmshpërblim.
Por, “EMS” u tërhoq nga Arbitrazhi, kur ia shiti aksionet e saj kroatëve të “SCAPHA”. Marrëveshja mes dy shoqërive duket se ka ngritur shqetësime në qarqe të ndryshme ndërkombëtare.
Mediumi gjerman “Capital Beat” ka ngritur disa pikëpyetje për këtë zhvillim, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me disa lidhje me Amerikën Latine të pronarit të ri fundor të kompanisë koncesionare, Filip Rogosić.
Më poshtë është teksti i plotë, i përkthyer nga “Boldnews.al”
***
Nga Christof Schmitz, Tirana*
Porti më i rëndësishëm i Shqipërisë, ai i Durrësit, është sërish në fokus dhe zhvillimet e fundit ngrenë pyetje që shkojnë shumë përtej kufijve të vendit. Edhe në politikën gjermane zhvillimi po shihet me shqetësim. Në fokus është: një ndryshim operatori, mosmarrëveshje ligjore dhe një skandal për eksportet e dyshimta. Ngjarjet ilustrojnë se sa urgjentisht Shqipëria ka nevojë për një strategji të qartë për të mbrojtur investitorët e huaj.
Një ndryshim i diskutueshëm i operatorit
Në vitin 2013, koncesioni për Kalatën Lindore të portit iu dha nga qeveria shqiptare, e drejtuar në atë kohë nga kryeministri Sali Berisha, kompanisë gjermane “EMS Shipping and Trading GmbH”, në një përpjekje për të rritur efikasitetin përmes menaxhimit (të veprimtarive portuale) me anë të sektorit privat. Por në vitin 2024, “EMS” u largua nga projekti dhe ia shiti koncesionin për 13 milionë euro kompanisë kroate SCAPHA D.O.O., e drejtuar nga Filip Rogosić.
Ajo që supozohej të ishte një dorëzim i qetë, u shndërrua shpejt në një problem shumë të madh. Menjëherë pas ndryshimit të pronësisë, u publikuan raporte për eksportimin nga ky port drejt Azisë të lëndëve potencialisht të dëmshme. Qeveria shqiptare fajësoi EMS-në. Ndërsa, EMS-ja nga ana e saj, u mbrojt duke thënë se ata nuk ishin përgjegjës për miratimin e ngarkesave të tilla.
Çështjet gjyqësore dhe presionet ekonomike
Problemet rreth EMS nuk mbarojnë këtu. Që në vitin 2022, kompania i kishte rezistuar planeve të qeverisë shqiptare (të drejtuar nga Edi Rama, shën.red) për zhvendosjen e operacioneve portuale në Porto Romano dhe për t’i lënë vend një projekti luksoz, “Marina e Durrësit”.
EMS paditi Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit dhe kërkoi 40 milionë euro dëmshpërblim. Ky rast u zgjidh përfundimisht kur “EMS” ia shiti koncesionin kompanisë kroate “SCAPHA”. Pavarësisht marrëveshjes, mbeten sërish pikëpyetje thelbësore: Sa të sigurta janë investimet afatgjata në Shqipëri nëse planet e qeverisë ndryshojnë në mënyrë të paparashikueshme?
Angazhimi i Shqipërisë për transparencë
Situata në portin e Durrësit nxjerr në pah një dobësi kryesore: mungesën e transparencës dhe mbrojtjen e pamjaftueshme të investitorëve. EMS dhe SCAPHA D.O.O. janë shembuj të mbështetjes së Shqipërisë në kapitalin e huaj, por pasiguritë mund të pengojnë investitorët e tjerë potencialë.
Pikëpyetje ka edhe për rrjetet ndërkombëtare të operatorëve të rinj. Filip Rogosić, (bosi i “SCHAPHA”, shën.red) dhe lidhjet e tij me rrjetet tregtare ndërkombëtare në Evropë dhe Amerikën Latine ngrenë shqetësime për praktikat e biznesit dhe përgjegjësitë e aktorëve të ardhshëm.
Një çështje besueshmërie
Porti i Durrësit është një qendër ekonomike për Shqipërinë. Por për ta siguruar atë si një vend strategjik, vendi duhet të përcaktojë qartë rregullat e lojës për investitorët e huaj. Pa reforma dhe një angazhim për transparencë, Shqipëria rrezikon jo vetëm reputacionin e saj, por edhe të ardhmen e saj ekonomike.
Shitja tek “SCAPHA D.O.O.” mund të jetë një ndryshim i lojës – nëse mësohen leksionet e duhura. Porti përfaqëson lidhjen e Shqipërisë me botën. Tashmë i takon qeverisë ta mbrojë këtë lidhje.
*Titulli origjinal: “Një port në ndryshim: Pse Shqipëria duhet të mbrojë investitorët e huaj”