Kombëtarja shqiptare U-17 zhvilloi sot në stadiumin “Air Albania”, ndeshjen e parë kualifikuese në grupin 3, të vlefshme për Kampionatin Europian U-17 përballë Kroacisë. Kroatët ishin të parët që gjetën rrugën e rrjetës në pjesën e parë të lojës, më pas kuqezinjtët arritën të barazonin në pjesën e dytë.
Por, ajo që përbën lajm më shumë se sa rezultati është lista e lojtarëve të cilët ishin të grumbulluar për këtë ndeshje.
Në listën e publikuar tre ditë më parë nga Federata Shqiptare e Futbollit ishin të grumbulluar 22 lojtarë dhe në listë mungonte emri i Robin Ballës.
Por, ditën e sotme, gazetarët që ishin të pranishëm në stadium vunë re se pjesë e listës ishte dhe Robin Balla, i cili ndodhej në stolin e rezervave. Kjo vihet re edhe nga një kërkim i thjeshtë në faqet ndërkombëtare, të cilat publikojnë rezultatet e ndeshjeve.
Robin Balla është djali 15-vjeçar i ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Se sa e meriton të ftohet në kombëtare djali i një ministri, ky është një tjetër diskutim dhe iu takon të tjerëve personave për të dhënë opinion. Problemi qëndron se pse kreu i FSHF-së, Armando Duka urdhëron që të mbahet i fshehtë emri i tij në listën e të grumbulluarve. Çfarë e shqetëson Armando Dukën?
Shumë fëmijë të tjerë e kanë ëndër që të veshin fanellën kuqezi dhe fëmijët e njerëzve me pushtet nuk mund të jenë të privilegjuar. Armando Duka nuk mund ta trajtojë kombëtaren shqiptare si një biznes privat të tij.