Shtetet e Bashkuara të Amerikës shohin mundësinë e një inkursioni të kufizuar tokësor në Liban, ndërsa Izraeli vijon sulmet. Kjo u bë e ditur për CNN nga një zyrtar i lartë i administratës dhe një zyrtar amerikan. Por sipas tyre, Izraeli nuk duket të ketë marrë një vendim, nëse do të kryejë një inkursion tokësor.
Vlerësimi i SHBA u bazua në mobilizimin e trupave izraelite dhe pastrimin e zonave në atë që mund të ishte përgatitje për nisjen e një inkursioni tokësor, tha një nga zyrtarët.
Të shtunën, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Peter Lerner, tha se ushtria po përgatitej për mundësinë e një inkursioni tokësor, por ishte vetëm një opsion që po shqyrtohej. Qëllimi i deklaruar i Izraelit është të kthejë më shumë se 60,000 banorë në shtëpitë e tyre në Izraelin verior pranë kufirit me Libanin. Të mërkurën, gjenerali më i lartë i Izraelit, Herzi Halevi, tha se vendi po përgatitej për hyrjen e mundshme të forcave tokësore në Liban.
Ndërkohë sot katër persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit që synoi qytetin Tayr Debba në Libanin jugor, njoftoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve shtetërore libaneze (NNA).
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë të dielën në mëngjes se po vazhdonin të goditnin objektivat e Hezbollahut në Liban, duke synuar strukturat në të cilat ishin ruajtur armët dhe infrastrukturën shtesë terroriste të Hezbollahut.
Në një video të shpërndarë së bashku me deklaratën, IDF tha se sulmet u kryen në disa zona në Libanin jugor, duke përfshirë Marjayoun, Deir Aames dhe Jouaiyya, si dhe qytete në rajonet lindore Baalbek-Hermel dhe Bekaa.
“Gjatë ditës së kaluar, IDF goditi qindra objektiva terroriste të Hezbollahut në të gjithë Libanin”, thuhet në deklaratën e IDF, duke shtuar se ajo vazhdon të operojë për të shkatërruar aftësitë e Hezbollahut.
Media shtetërore libaneze raportoi se avionët luftarakë izraelitë shënjestruan një qendër të mbrojtjes civile dhe kryen një seri sulmesh ajrore në qytetin Hermel dhe rrethinat e tij, në rajonin Baalbek.
Në Bejrut, fotografitë e drejtpërdrejta nga agjencia e lajmeve Reuters të dielën në mëngjes treguan tymin që ngrihej mbi horizont. Kryeqyteti është goditur nga sulme të shumta ajrore izraelite ditët e fundit, duke përfshirë atë që vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah .
Më shumë se 1,000 njerëz në Liban janë vrarë që nga përshkallëzimi i sulmeve izraelite javën e kaluar, tha të shtunën ministri i Shëndetësisë i Libanit, Dr. Firass Abiad.