Policia e Durrësit në bashkëpunim me atë të Kurbinit kanë arrestuar një të ri, i cili akuzohet se hapte llogari false në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram”, nëpërmjet të cilave shqetësonte dhe fyente vazhdimisht një 24-vjeçare, si dhe mbante armë zjarri, pa leje
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Fake Accounts” është vënë në pranga shtetasi Gentjan Mema, 33 vjeç nga Fushë Mamurrasi.
“Pas depozitimit të kallëzimit të një shtetase 24 vjeçare nga Durrësi në vitin 2023 mbi shqetësime të vazhduara nga llogari të ndryshme të fallsifikuara në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram”, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, e cila regjistroi procedimin për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”, kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit që hapte këto llogari në rrjetet sociale, si dhe është siguruar informacion se ky shtetas mbante armë zjarri, pa leje.
Mbi bazën e provave të siguruara, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka urdhëruar kontrollin e banesës së shtetasit Gentjan Mema, i dyshuar për hapjen e llogarive false në rrjetet sociale dhe për armëmbajtje pa leje. Nga kontrolli i ambienteve të banesës së këtij shtetasi, në Fushë Mamurras, Kurbin, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri tip kallashnikov dhe 2 krehra me 46 fishekë.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.