Kur fama në rrjetet sociale mund të jetë po aq e përkohshme sa edhe e rrezikshme, shfrytëzimi i fëmijëve për popullaritet online zbardh një anë më të errët. Fëmijët përdoren për përfitime financiare, bëhen viktima të bullizmit online dhe ekspozohen ndaj predatorëve. Shqipërisë ende i mungon mbrojtja e përshtatshme ligjore, dhe instrumentat puer të parandaluar fenomenin.
Fëmijë të famshëm
Noel Hoxha, një nxënës me nota të shkëlqyera, nga Shkodra, ka filluar të angazhohet në rrjetet sociale që në moshën 11-vjeçare. Me mbështetjen e familjes ai e ka zhvilluar më tej ëndrrën e tij, për t`u bërë i njohur, duke realizuar video si imitues i gazetarëve dhe i aktorëve të njohur, televizivë.
“Fillimisht e nisa me imitimin e gazetarëve dhe aktorëve të njohur të televizionit”, – thotë Noeli.
Sot, ai është, jo vetëm një influencer aktiv në rrjetet sociale, por edhe një bashkë-moderator në një emision për fëmijë në një televizion lokal në Shkodër. Noeli merret edhe me marketing të produkteve dhe të dyqaneve të ndryshme.
Megjithëse fama nuk është e lehtë për t’u fituar dhe për t’u mbajtur, Noeli thotë se ajo ka edhe anët e saj, të bukura, si njohja nga njerëzit në rrugë dhe kërkesat për foto.
Po ana e errët?
“Komentet negative, veçanërisht nga llogari të rreme ose nga prindër të fëmijëve të tjerë në moshën time”.
Por, pavarësisht kësaj, Noeli thotë se mban gjithmonë një sjellje pozitive, duke mos iu kushtuar shumë kohë dhe vëmendje.
Për t`i menaxhuar këto situata, Noeli thotë se nuk i lexon komentet negative. E ëma i menaxhon rrjetet e tij, sociale dhe është ajo që i fshin apo iu përgjigjet komenteve, kur “situata del jashtë kontrollit”.
Rasti më ekstrem, që i ishte kthyer në formë “përndjekjeje”, ishte një profil i një zonje, e cila ishte mama vetë e qe shpesh e ofendonte apo e bullizonte në lidhje me talentin dhe aftësitë e tij, në çdo video ose postim.
Ndërkohë, planet e Noelit janë më të mëdha: “Plani im është që të arrij më lart se kaq dhe një ditë të jem pjesë e televizioneve të mëdha, kombëtare”.
“Fama” që “vret” fëmijët
Jo çdo histori me fëmijë në rrjetet sociale është “fushë me lule”.
Policia në Sarandë, më 21 shkurt, arrestoi Natasha Rombulën, 67 vjeç, dhe djalin e saj, Armando Kumarakun, 44 vjeç, pasi të dy postonin në TikTok video, ku shfaqej një djalë i mitur, 10-vjeçar, që përdorte fjalë denigruese dhe banale.
I mituri, djali i Armando Kumarakut, shfrytëzohej nga babai dhe nga gjyshja për përfitime monetare.
Në polici ata u denoncuan nga nëna e të miturit.
Ky nuk është një rast i izoluar; dhjetëra raste janë identifikuar nga strukturat e sigurisë. Përdorimi i fëmijëve si influencers apo edhe keqpërdorimi i tyre në rrjetet sociale është një fenomen jo i padëgjuar në Shqipëri. Të miturit janë të pambrojtur përballë bullizmit kibernetik dhe shantazhit në internet. Shqipëria nuk ka kuadër ligjor për mbrojtjen e tyre në platformat sociale.
Sipas Altin Hazizajt, drejtues i organizatës joqeveritare Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), siguria e fëmijëve në internet është një shqetësim në rritje.
Sipas të dhënave zyrtare nga isigurt.al, dy problemet kryesore janë rreziku nga predatorët seksualë dhe pedofilët online, si dhe bullizmi.
Sipas Hazizajt, prindërit nuk janë të ndërgjegjësuar për figurën e fëmijëve online, po ashtu, as autoritetet përkatëse.
“Nga janari 2024 deri në qershor janë mbi 300 raste të denoncuara, nga të cilat shumica janë adoleshentë, ku vetëm Shqipëria dhe Franca në nivel global janë më të rrezikuara”, – thotë drejtuesi i CRCA.
Komunikimi i dobët mes prindërve dhe fëmijëve bën që fëmija të ketë frikë që t`i ndajë shqetësimet e tij.
“Për sigurinë e tyre hapi i parë është të kontrollohet, sa kohë fëmija qëndron në internet; fëmija duhet të mësohet se, nëse dikush i kërkon të dhëna personale, s’duhet t’i japë ato”, – thekson Hazizaj.
Një studim i kryer nga UNICEF dhe IPSOS në Shqipëri në vitin 2019, që shqyrtoi përvojat e 1,000 fëmijëve të moshës 9-17 vjeç dhe prindërve të tyre, nxjerr në pah se të miturit shpenzojnë mesatarisht 2.9 orë në internet çdo ditë përgjatë javës dhe 3.3 orë në ditët e fundjavës.
Në 1,000 fëmijë, që u morën në pyetje, vetëm 14% e tyre raportuan se kanë pasur eksperienca të këqija në internet. Një 1 në 10 fëmijë tha se është përballur me bullizëm online.
Të rinjtë në përgjigjet e tyre për UNICEF treguan se nuk diskutojnë me prindërit për shqetësimet që kanë, kur përdorin rrjetet sociale.
Sipas të dhënave të këtij studimi, 6.4% e fëmijëve raportuan se janë keqtrajtuar, janë ngacmuar ose janë tallur vazhdimisht nga dikush gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit (8%, djem; 5%, vajza). Megjithatë, nga ata që raportuan se kanë qenë pre e bullizmit, fëmijët kishin më shumë gjasa të binin pre e bullizmit fizik (61.7%) se sa nëpërmjet një pajisjeje digjitale (47.9%). Por, në një studim të mëparshëm del se 19.4% e fëmijëve të grup-moshës 10-18 vjeç kanë qenë subjekt i bullizmit në vitin 2017, çka tregon për dallime në mënyrën se si është kuptuar pyetja nga fëmijët.
Sipas UNICEF, bullizimi kibernetik është një formë ngacmimi nëpërmjet internetit. Ai mund të ndodhë në rrjetet sociale, në lojërat online dhe me programe të ndryshme komunikimi në telefonat smart. Këto veprime bëhen dhe përsëriten me qëllim frikësimin, zemërimin ose turpërimin e “viktimave”. Disa raste përfshijnë përhapjen e gënjeshtrave ose fakteve të rreme ndaj një individi me qëllim intimidimin e tyre, postimin e fotove dhe të videove të marra nga profili i “viktimës” me qëllim shantazhimin e tyre dhe dërgimin e mesazheve, imazheve ose videove me profile të rreme, duke pretenduar të jetë një individ i caktuar.
Për të parandaluar bullizimin kibernetik, UNICEF sugjeron që prindërit të monitorojnë aktivitetin e fëmijëve të tyre në internet, t`i mësojnë fëmijët se si t`i identifikojnë dhe se si të veprojnë ndaj rasteve specifike dhe të kufizojnë kohën, që ata kalojnë në pajisjet smart.
Dëmtimi pa dashje i fëmijës
Një tjetër shqetësim ngrihet nga pediatrja, Lira Gjika, në lidhje me marrëdhënien prind-fëmijë, e cila është komplekse dhe shpesh problematike në shoqërinë tonë. Problemi qëndron se shumë prindër i shohin fëmijët si pronë të tyre, duke mos i respektuar si individë me të drejta dhe nevoja unike. Kjo qasje mund të çojë në abuzime, veçanërisht në rastet e fëmijëve që bëhen influencer në mediat sociale, tregon ajo. Ekspozimi i tepërt ndaj teknologjisë që në moshë të vogël po shkakton probleme të shëndetit mendor te fëmijët.
Doktoreshë Lira Gjika thekson rëndësinë e edukimit dhe kreativitetit te fëmijët.
“Njeriu pikturon emocione, fantazia është unike për çdo njeri dhe prindërit duhet të punojnë me fantazinë e fëmijës dhe ta nxisin atë”, – thotë ajo.
Për të përmirësuar situatën, Gjika sugjeron reforma në arsim dhe një ndërgjegjësim më të madh të prindërve për të drejtat dhe nevojat e fëmijëve të tyre, pasi shëndeti mendor i fëmijëve duhet të jetë prioritet që në moshë të hershme, kur truri fillon të formohet dhe të zhvillohet.
“Bullizmi ndaj fëmijëve nuk është vetëm duke i sharë, por edhe duke i lëvduar. Kjo formë e bullizmit, e njohur si “bullizëm pozitiv”, mund të jetë po aq e dëmshme sa forma tradicionale e bullizmit. Prindërit shpesh nuk janë të aftë që të kujdesen, siç duhet për fëmijët e tyre, duke i ekspozuar ata ndaj telefonave që në moshë shumë të re, me qëllim që të qëndrojnë të qetë”, – thotë pediatrja, Lira Gjika.
Anisa Metalla, eksperte për mbrojtjen e fëmijëve, thotë se edhe imazhet e rreme janë gjithashtu shumë shqetësuese.
Ajo shton se ky rrezik mund të shtohet në të ardhmen si rrjedhojë e zhvillimeve teknologjike dhe e inteligjencës artificiale.
Një tjetër nismë është ndërmarrë nga UNDP dhe UNFPA në Shqipëri, të cilët organizuan dhe zhvilluan nga maji 2023 deri në prill 2024 një fushatë ndërgjegjësuese në rrjetet sociale kundër përdorimit të gjuhës së urrejtjes, me sloganin: Fjala vret! Mendoje/Peshoje mirë.
Fushata u fokusua kryesisht te të rinjtë e moshës 18-29 vjeç, duke përdorur platforma si Facebook dhe Instagram. Qëllimi ishte që të adresohej përdorimi i gjuhës së urrejtjes ndaj grupeve të ndryshme të të rinjve, që përjetojnë diskriminim për shkaqe të ndryshme, duke përfshirë etninë, racën, gjininë, orientimin seksual, statusin social-ekonomik dhe më gjerë.
Fushata është pjesë e një nisme rajonale të OKB-së, të quajtur “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, e financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Qëllimi është që të ndërtohet një e ardhme gjithëpërfshirëse, pa lajme të rreme, me barazi gjinore dhe pa mosbesim. Projekti ka nisur në vitin 2022 dhe pritet që të vazhdojë deri në fund të vitit 2026, duke promovuar narrativa pozitive dhe histori bashkëpunimi mes të rinjve në rajon.
Krimet online ndaj të miturve, Policia: Nuk ka ligj specifik
I vetmi nen i Kodit Penal, që mbron fëmijët nga publikimi i përmbajtjeve të papërshtatshme ndaj tyre në internet, është neni 117:
“Prodhimi, shpërndarja, reklamimi, importimi, shitja dhe botimi i materialeve pornografike në mjediset ku ka fëmijë, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në dy vjet; prodhimi, importimi, ofrimi, shpërndarja, përdorimi ose posedimi i pornografisë së fëmijëve dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet; ndërsa rekrutimi, shtrëngimi ose përdorimi i një fëmije për të marrë pjesë në shfaqje pornografike dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë nuk ekzistojnë si vepra penale shantazhi dhe bullizimi, por, sipas Departamentit të Krimeve Kibernetike të Policisë së Shtetit, është krijuar që nga muaji qershor i vitit 2023 një strukturë e dedikuar për hetimin e krimeve kibernetike, duke përfshirë pornografinë me të mitur.
Kjo strukturë, sipas informacionit të dhënë nga zyra e Policisë së Shtetit, monitoron rrjetet sociale dhe bashkëpunon me platformat për të fshirë përmbajtjet bullizuese apo pornografike.
Ndërsa informacionet e Prokurorisë së Përgjithshme tregojnë që nuk disponojnë regjistra statistikorë, të ndarë sipas kategorive: shantazh, bullizim apo kërcënim, por vetëm çështje të lidhura me veprën penale “Pornografia” te të miturit, gjë që rezulton në neglizhimin e rasteve të tjera, specifike.
Numri i procedimeve penale për veprën “Pornografi” ndaj të miturve (shih tabelën) ka pësuar luhatje gjatë viteve 2021-2023 në Shqipëri.
Në vitin 2021 u regjistruan 67 procedime, nga të cilat vetëm 3 u dërguan në gjykatë me 5 të pandehur. Një vit më pas numri i procedimeve u ul në 34, me vetëm 2 procedime të dërguara në gjykatë dhe me vetëm 1 të pandehur. Ndërkohë, në vitin 2023 numri i procedimeve u rrit përsëri në 51, me 2 procedime të dërguara në gjykatë dhe me 1 të pandehur.
Shifrat tregojnë se problemi i pornografisë online ndaj të miturve vijon të jetë i pranishëm, megjithëse me luhatje në numrin e procedimeve dhe të pandehurve të dërguar në gjykatë gjatë kësaj periudhe.
Përparimi teknologjik ka sjellë me vete rreziqe të reja për fëmijët në internet.
“Është e rëndësishme, që prindërit dhe shoqëria të jenë të vetëdijshëm për këto rreziqe dhe të krijojnë mjedise të sigurta dhe mbështetëse për fëmijët”, – thotë Sabina Çarçani, menaxherja e Programit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Qeverisjen e të Drejtave të Fëmijëve në fondacionin Save the Children, Shqipëri.
Çarçani vë theksin tek edukimi dhe tek informimi i fëmijëve, i adoleshentëve dhe i prindërve për të parandaluar situata të rrezikshme dhe për të mbrojtur privatësinë e tyre në internet.
“Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm e të reflektojnë edhe mbi sjelljet e tyre në internet, veçanërisht kur prek fëmijën. Për shembull, duhet të rishikohet tendenca për të “ndarë” gjithçka, domethënë transmetimin e detajeve private (imazhe, video, informacione) për një fëmijë nëpërmjet kanaleve digjitale nga një i rritur, prind apo i afërm i fëmijës”.
Sabina Çarçani shpreh shqetësimin për rritjen e rasteve të shantazhit online ndaj fëmijëve. Ajo përmend se, “fëmijët dhe adoleshentët janë në një periudhë rritjeje, zhvillimi, ku përfshihet edhe zhvillimi seksual. I gjithë ky proces sjell ndryshime të rëndësishme te fëmija/adoleshenti në aspektin fiziologjik, biologjik, emocional e mendor”.
“Është koha për një qaje më të gjerë dhe më të përgjegjshme nga shoqëria dhe nga strukturat e përfshira për t`i mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët nga rreziqet në ambientin online”, – thotë Çarçani.
Në një botë ku teknologjia avancon me shpejtësi, siguria dhe mirëqenia e fëmijëve në internet duhet të jetë prioritet për shoqërinë dhe për autoritetet. Ndërsa prindërit dhe institucionet luajnë një rol kyç në mbrojtjen e tyre, krijimi i një kornize më të fortë ligjore dhe ndërgjegjësimi më i madh mbi rreziqet e shantazhit dhe bullizmit kibernetik janë thelbësorë.