Mundësi Zelimkhan Abakarov, i cili përfaqëson Shqipërinë, ka arritur të sigurojë një vend në çerekfinale të Lojërave Olimpike Paris 2024, duke mposhtur mundësin nga Guinea Bissau, Diamantino Iuna Fafe.
Mundësi kuqezi nuk e nisi mirë ndeshjen duke e gjetur vetëm në dizavantazh 6-1, por në minutën e fundit arriti të rikuperojë duke përmbysur rezultatin në 6-7, fitore që i dhuruan një biletë për një vend mes tetë më të mirëve të botës në disiplinën e mundjes së lirë për peshat 57 kg.
I riu nga Guinea, 23-vjeçari që u mposht nga Abakarov është dy herë kampion i Afrikës. Në çerekfinale, Zelimkhan Abakarov do të ndeshet me mundësin nga India Aman Sehraawat.
Ndërkohë nesër do ta ketë radhën Chermen Valiev në peshat 74 kg, ndërsa mundësi i fundit i ekipit olimpik të Shqipërisë që do të konkurrojë në “Paris 2024” do të jetë kampioni i Europës, Islam Dudaev, të shtunën në peshat 65 kg.
Kujtojmë që të tre kampionët e mundjes ndodhen me normë për në Olimpiadë, falë paraqitjeve të shkëlqyera që kanë pasur në garat kualifikuese.