“E pamë zjarrin që nga ku po qëndrojmë dhe helikopterin, Ishte e frikshme”.
Thuajse çdo vit, për një dekadë me radhë, qetësia e banorëve vendas dhe turistëve që pushojnë në bregdetin e Shëngjinit vijon të prishet nga zjarret që vijojnë të përfshijnë kurorën me pisha mbi qytet.
Zjarri fillimisht mori jetë në kodrat mbi repartin ushtarak pranë disa banesave dhe hoteleve pjesë e Ranës së Hedhun. Një helikopter dhe shumë zjarrfikëse nuk mundën të kontrollonin situatën, si pasojë edhe e erërave të forta të veriut. Në më pak se dy orë zjarri u përhap në të gjithë kodrën mbi qytet shumë afër banesave.
Por para se të dilte nga kontrolli duke kërcënuar gjithkënd, vatrat e zjarrit vijonin prej së paku tre ditësh të digjnin trungje pishash e shkurre në vatra të kufizuara.
“Unë vetë personalisht para tre ditësh jam përpjekur me modesti të reagoj, të sensibilizoj.. i nxitur edhe nga borët që kërkonin ndihmë që të ndërhynte qeveria. Nëse do të ndërhyhej para tre ditësh nuk do të kishim këtë situatë”, u shpreh deputeti demokrat Gjekmarkaj.
Reagimi ishte i ngadaltë, ndërsa banorët e zonës ankohen se zjarrfikëset ishin të pakoordinuara dhe në pjesën më të madhe funksionon me “mik”.
“Kështu ndodhi edhe para 5 vitesh. Nuk e dimë nëse është e qëllimshme apo e paqëllimshme”, shprehet një banore. Në orën 17:00 të pasdites së të enjtes, situata u bë kaotike kur tymi mbuloi qytetin dhe zjarri mbërriti në shtëpitë mbi rrugë. Dy avionë italianë ishin vendimtarë për frenimin e zjarrit që gati sa nuk shkrumboi një qytet të tërë. Ndërkohë e sigurt është që zjarrvënia në Shëngjin vijon të mbesë një “krim pa ndëshkim”.
“Vetëm mbrëmë, çuditërisht në orën 2 të natës janë aktivizuar katër vatra të tjera zjarri në Tresh, në Kolsh në Dajç dhe Raboshtë. Çuditërisht nga ora 2 deri në orën tre të natës 4 zjarre… kjo tregon se kemi të bëjmë me një alarm. Dikush po merret seriozisht me këtë histori. Kjo është një arsye për t’u thelluar”, tha kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu.
Një pjesë e madhe e kurorës me pisha mbi qytet u dogj dhe gjithashtu pylli në brigjet e Ranës së Hedhun një nga më të bukurit e bregut ranor në vend. Vendasit besojnë se zjarri është vënë me dashje fillimisht në zonën e Ranës së Hedhun dhe më pas u përhap dhe doli jashtë kontrollit nga erërat e forta duke mos kursyer edhe vijën bregdetare e resortet e ndërtuara buzë saj.
Rreth 60 për qind e turistëve u larguan gjatë natës duke e lënë qytetin në dorën e zjarrfikësve, ushtarëve dhe personelit të Emergjencave Civile.
“Çadra e shezlongë të djegur, të kthyer në grumbull thëngjinjsh dhe punonjës që përpiqen t’i ndërrojnë ato me të reja. Është kjo situata në Shëngjin, 24 orë pasi flakët e zjarrit nuk kursyen edhe vijën bregdetare duke detyruar turitët të largohen e lënë pas dëme të konsiderueshme ekonomike”.
Për Burimin dhe Fitoren të ardhur nga Prishtina, ky fund-korrik duhet të shënonte ditën e parë të pushimeve verore, por flakët e zjarrit që përfshinë resortin ku çifti kishte prenotuar i shtynë pak ato.
“Ne kemi prenotuar në këtë resortin këtu për një javë. Sot erdhëm, por gjetëm këtë situatën kështu. Folëm me administratorin dhe na shpjegoi se çfarë kishte ndodhur. Sot nuk do të pushojmë këtu pasi nuk ka as energji elektrike. Do kthehemi nesër ndoshta”, shprehen turistët.
Dëshmitare e flakëve të zjarrit që zbritën nga kodrat e Shëngjinit për të përfshirë vijën bregdetare të qytetit ishte edhe e reja Doruntinë nga Kosova. Me gjithë frikën e një nate më parë, ajo është rikthyer të vijojë pushimet në një nga resortet e tjera të Ranës së Hedhun.
“E pamë zjarrin që nga ku po qëndrojmë dhe helikopterin, Ishte e frikshme. U frikësuam, por sot gjithsesi jemi këtu sot”, deklaroi ajp.
Me kalimin e orëve, ndonëse më të paktë në numër… të tjerë pushues vijojnë t’i japin jetë turizmit në Lezhë.
“U bënë vite që vijmë këtu. I kemi nisur pushimet para katër ditësh. Dje ishim dëshmitarë të flakëve të zjarrit. Ishte e frikshme. Por sot gjithsesi u rikthyem”.
Edhe me më shumë frikë i përjetuan flakët e zjarrit që kërcënonin hotelet e tyre sipërmarrësit në zonë.
“Kishte erë shumë të madhe, që e ndihmoi zjarrin të përhapet me shpejtësi jashtëzakonisht të madhe. Gjithçka ka ndodhur brenda sekondave, ishte e pamundur ta dije nga vinte zjarri. Ishte një situatë kaotike. Kam tetë vite këtu dhe nuk ka ndodhur kurrë më parë një gjë e tillë”, tregon administratori Ilir Koprani.
Veç pushuesve, flakët e zjarreve ngjallën frikë deri në panik te banorët e Shëngjinit. Një ditë më pas aroma e djegies vijon të ndihet e rëndë ndërsa trungjet e pisha të kthyer në thëngjij vijojnë të digjen qetë.
Shëngjini prej gati dy dekadash është shndërruar në destinacionin kryesor të pushuesve nga Kosova. Duke qenë destinacioni më i afërt me Kosovën, qyteti ka pësuar një zhvillim të madh vitet e fundit. Në ndryshim nga qytetet e tjera turistike, Shëngjini ka investuar në infrastrukturë dhe ka një menaxhim shumë të mirë të trafikut të mjeteve, lëvizjes së njerëzve dhe menaxhimit të mbetjeve.
Qyteti po zgjerohet me hotele në dy periferitë e tij. Nga jugu drejt Kunes janë ndërtuar hotele të nivelit mbi mesataren me 4 dhe 5 yje, ndërsa në zonën e Ranës së Hedhun ka një projekt për të ndërtuar resorte luksoze.
Shëngjini ka një oferte ndryshe për shumë nivele, duke ofruar çmime shumë ekonomike si në hotele dhe restorante ashtu edhe shërbime luksi, duke konkurruar edhe jugun e vendit. Por këtë vit zjarri dëmtoi rëndë turizmin në kulmin e tij./ A2CNN