Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar gjykatës të vendosë në sekuestro preventive kompanitë “Micro Credit Albania” (MCA) dhe “Final”, të cilat akuzohen se kishin krijuar një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve.
Sekuestro ndaj këtyre kompanive, vjen pas 9 urdhër-arresteve të lëshuara në muajin Maj, teksa mes të arrestuesve ishte dhe Arben Meskuti, të cilat u kanë zhvatur qytetarëve miliona euro, duke u bllokuar edhe pronat, rrogat dhe gjithçka çfarë kanë për shkak të mos shlyerjes të kredive të këqija.
“Micro Credit Albania” akuzohet për kryerjen e veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”.
Ndërsa “Final” akuzohet për kryerjen e veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë Kriminale” të kryer në bashkëpunim.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, “nga hetmet, rezultoi se shoqëritë tregtare MCA dhe Final, në bashkëpunim me Shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, por edhe me ndihmën e një eksperte vlerësuese, duke pasur që në fillim të ushtrimit të aktivitetet të tyre (aktivitetit të blerjes dhe mbledhjes së kredive të këqija) mendimin unik kriminal, kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona euro”.
Më tej Prokuroria e Tiranës thekson se shoqëritë dhe personat nën hetim në mënyrë abuzive kanë:
- Përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve/debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme (numrat e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimi etj);
- Përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet telefona të vazhdueshme( dhe jo vetëm) me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive;
- Përdorur gënjeshtrën që konsostente në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore;
- Sekuestrimin e llogarive bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, madje dhe pa ndonjë afat kohor;
- Kryer sekuestrimin e pronave të paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur; dhe
- Kanë “shitur/kaluar” në pronësi të MCA, pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.
Sipas organit të drejtësisë, t gjitha veprimet e sipërcituara janë kryer me qëllim për të shtrënguar dhe detyruar debitorët për të marrë kredi të reja me vlerë principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta, duke gënjyer që po “ristrukturojnë të vjetrën” apo për të paguar detyrime në vlera të fryra që nuk mbështeteshin në vlerat fillestare të urdhrave ekzekutues të dala nga gjykatat.
Prokuroria e Tiranës thekson se si rrjedhojë shoqëritë MCA dhe Final kanë përfituar të ardhura dhe pasuri të paligjshme, të cilat ua kanë vjedhur dhe zhvatur qytetarëve, që përllogariten në 10-tra milion euro sipas mënyrës së sipërcituar, para dhe prona të cilat i kanë investuar apo përdorur në aktivitete të tjera.
Më tej shtohet se nga analiza e sipërcituar rezulton në procedimin penal të vitit 2020 janë administruar të dhëna të mjaftueshme nga të cilat krijohet dyshimi i arsyeshëm se pasuritë e shoqërive të sipërcituara janë produkt i veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”, e për rrjedhojë krijohen dyshime se disponomi i këtyre pasurive mundet që të rëndojë apo të zgjasë më tepër pasojat e veprës penale apo mundet që të lehtësojë kryerjen e veprave të tjera penale, si dhe konsiderohen pasuri që duhet të konfiskohet.
Aktualisht në lidhje me këtë skandal ndodhen në masën e sigurisë “Arrest me burg” shtetasit Arben Meskuti dhe Aldo Daka, ndërsa nën masat “Arrest në shtëpi” shtetasit Albert Gega, Kejda Seferi dhe Elda Ibro, ndërsa nën masën “detyrim paraqitje” shtetasit Edmind Mato, Jorsida Dervishi dhe Alekta Tanushi.
Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhër-arresti edhe për shtetasin Alban Kote, por masa e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij ende nuk është ekzekutuar, teksa vijon të jetë në kërkim nga Policia.
Kujtojmë se arrestimet për këtë çështje janë lëshuar në lidhje me kallëzimin penal të bërë në vitin 2020 nga Ministria e Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre.
4 mijë kredi të keqija që u blenë nga një bankë e nivelit të dytë me vlerë totale rreth 7.2 milion euro u përdorën për një skemë shtrënguese ku u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.
Skandali i mikro-kredive ka shkaktuar edhe viktimën e parë, ku 63-vjeçari Pal Trashaj i dha fund jetë, duke konsumuar edhe fostoksinë para dyerve të SPAK, pasi kërkonte një takim me prokurorët e SPAK dhe kreun e saj Altin Dumani që nuk e realizoi kurrë.
Pal Trashaj kishte denoncuar kalvarin me kredinë e marrë që më pas ndër vite u shumëfishua deri në bllokimin e pasurisë. Ai kishte pasur një kredi të mbetur që nga viti 2008, në vlerën e 760 mijë lekë të vjetra (76 mijë lekë të reja). Kredinë e kishte blerë MCA e cila kërkonte 4.8 milion lekë duke bllokuar për 5 vjet gjithçka: shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën ku punonte.
Gjykata e Tiranës ka kërkuar që kjo dosja të hetohet nga Prokuroria e Posaçme, pasi në këtë skemë korruptive dyshohen si të përfshirë edhe zyrtarë të lartë të Bankës së Shqipërisë, por deri më tani SPAK nuk e ka dhënë përgjigjen e tij.
Ndërkohë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka shmangur përgjegjësinë nga vetja, gjatë raportimeve në Kuvend.
Roli i Sejkos tek mikrokreditë/ Prokurorët s’guxojnë të hetojnë guvernatorin (vendimi)