Kryeministri Edi Rama reagoi përmes një deklarate për mediat lidhur me progres-raportin dhe rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Në fakt kjo është hera e tretë kur Shqipërisë, Komisioni Europian i rekomandon çeljen e negociatave, ndërsa faza pasardhëve, ajo e bindjes së Këshillit për një proçes të tillë është vendimtare.
Rama sot foli nga e njëjta sallë, nga i njëjti podium, me pothuajse të njëjtat fraza, sikundër në vitin 2016, kur Komisioni Europian ashtu sikundër tani, rekomandoi hapjen e negociatave.
I vetmi dallim mes dy fjalimeve, atij të 2016-ës dhe këtij të 2018-ës, është fakti se Kryeministri në këtë të fundit përmend vitin e Skenderbeut.
Kështu në 2018-ën, Rama tha ndër të tjera: “Sot është shtiza e flamurit kuqezi të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, që është ngjitur një shkallë më lart, në të përjetën ende të gjatë e të mundimshme, drejt Odës së Familjes së Bashkuar Europiane. Ne do ta çojmë deri në fund amanetin e Skënderbeut, rilindasve, heronjve e dëshmorëve të luftës, martirëve dhe viktimave të diktaturës, të të gjithë atyre shqiptarëve të njohur dhe të panjohur që rrojtën në këtë vend e dhanë çfarë kishin për këtë vend, pa e parë dot në vendin që i takon”.
Ndoshta edhe ky paragraf do të mungonte në fjalimin e 17 prillit 2018, të mbajtur nga Kryeministri, krahasuar me atë të 2016, nëse ky nuk do të ishte shpallur Viti i Skenderbeut.
Pjesa tjetër e fjalimeve, 2016-2018, është e njëjtë, me ndonjë paragraf të zhvendosur, por që në thelb dhe tonalitet të njëjtë.
Referuar fjalimeve të Kryeministrit, që ndryshon edhe koha, pasi në 2016 ishte nëntor dhe në 2018 jemi prill, situata paraqitet e njëllojtë: të njëjtat probleme, të njëjtat prioritete, të njëjtat kushte, me të njëjtët aktorë në Tiranë dhe Bruksel.
Në 2016 Rama deklaronte: Natyrisht dhe për opozitën, dora është e shtrirë dhe mbase, jo gjithçka është në dorën e saj. Kështu që do të reflektojë çfarë mund të bëjë dhe çfarë mund të bëjmë të gjithë sëbashku më shumë, që ta ndihmojmë opozitën të futet në rolin e saj, të rikthehet në detyrën e saj, të rivendoset në vendin e lënë bosh prej tre vjetësh.
Të njëjtën frazë, Kryeministri ka përdorur edhe sot në fjalimin e tij.
“Dora jonë është sot e shtrirë përsëri ndaj opozitës dhe unë e ftoj sot, përpara të gjithë shqiptarëve, socialistë e demokratë, po mbi të gjitha në emër të të gjithë fëmijëve të Shqipërisë pa asnjë dallim, opozitën e kryetarin e saj, që të mos ngatërrojmë përplasjet shqip për gjithçka na ndan së brendshmi, me këtë sfidë të përbashkët kombëtare, e cila, sot më shumë se kurrë, kërkon që kur flasim në gjuhë të huaj, të mos tregojmë me gisht njëri-tjetrin, po t’i dalim shqiptarisht zot Shqipërisë dhe të ardhmes së saj evropiane”, tha Rama.
Edhe në gjuhën e akuzave ndaj opozitës, Rama ka zgjedhur të njëjtat shprehje si në fjalimin e 2016-ës, kur e mbante në krah të Ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, ashtu edhe sot, kur i mungonte diplomatja e BE-së.
“Ata me siguri do vazhdojnë të thonë pa pushim që nuk ka negociata; s’ka negociata me kanabisin; s’ka negociata me këtë qeveri, s’ka negociata me Shqipërinë që kështu e me Shqipërinë që ashtu. E dreqi e di me çfarë e me sa do thonë e do stërthonë pa pushim, për t’i penguar shqiptarët t’i gëzohen një arritjeje jo të vogël si kjo dhe të shohin me shpresë dhe besim të ardhmen, që po e ndërtojmë sëbashku dhe në bashkëpunim të ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë, përmes reformave tona transformuese”, deklaronte Rama në 2016.
Ndërkohë, në 2018, Kryeministri shprehet: “Sepse kjo nuk është fitorja e partisë që luftoi me gjithsej për këtë ditë, ndaj partive që luftuan me gjithsej për ta shtyrë këtë ditë në pafundësi. Kjo nuk është as fitorja e qeverisë që u angazhua me mish e me shpirt dhe u baltos deri në kockë, në përpjekjen drejt këtij objektivi strategjik për Shqipërinë, mbi opozitën që la kockat në angazhimin e saj për ta bërë të pamundur këtë objektiv”.
Si në 2016 ashtu edhe në 2018, Kryeministri ka përdorur në fjalimin e tij pothuajse të njëjtat paragrafë lidhur me vetingun në sistemin e drejtësisë.
“Shqipëria, sot e ka marrë rekomandimin pozitiv për çeljen e këtyre negociatave pa kushte dhe vetëm me mirëkuptimin, krejt natyrshëm, që deri në momentin e fillimit të punës në tryezën e negocimit, të vazhdojë pa ndërprerje puna për zbatimin e reformës në drejtësi. Konkretisht, për veting-un e gjykatësve dhe të prokurorëve. Pra, e vetmja pikë e nënvizuar nga Komisioni Europian, si premisë e mirëkuptuar për të shkuar normalisht drejt fillimit të punës në tryezën e negociatave, quajeni dhe kusht po të doni, është ecuria në zbatimin e reformës në drejtësi dhe konkretisht, zbatimi i ligjit të vetting-ut”, shprehej Rama në 2016.
Ndërkohë në 2018, Rama shprehet: “Nëse për të marrë rekomandimin e sotëm për të hapur negociatat, ne duhet të ligjëronim Vetting-un dhe të jepnim provat e para, të vullnetit tonë për pastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar, vitet që kemi përpara, duhet të provojnë pa ekuivok fuqinë ndëshkuese të sistemit të pastruar të drejtësisë mbi këdo që duhet të paguajë, për zullumet në kurriz të vendit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi”.