Ish-Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e sheh thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së për miratimin e ndryshimeve statusore si një mënyrë hileqare nga ana e kreut demokrat Lulzim Bashës për t’u fshehur pas shkaqeve të vërteta që kanë çuar në krizë Partinë Demokratike.
“Jam e kthjellët për qëllimin që Basha ka prej vitesh. S’më bën përshtypje që ai s’vë asnjë nen që do japë dorëheqjen, ai përsëri do ngrihet dhe pse vjedh votat brenda shtëpisë, është dëshpëruese. Është ajo që kam thënë prej kohësh që PD e kanë marrë peng, s’ka rëndësi nëse humbet 1, 2, 3 apo 10 palë zgjedhje, pasi Basha e ka marrë PD si biznes familjar dhe asgjë nuk më zhgënjen. Është e rëndësishme që Luli të mbajë karrigen, të tjerat s’kanë rëndësi. Është e rëndë që PD që ka lindur si forca për votën e lirë s’ka zgjedhje, vota e proces të drejtë dhe kur vendi po rrëshqet buzë greminës dhe dikush do të mbrojë karrigen e Lulit”, tha Topalli në një intervistë për Tv Klan.
Sipas saj, ndryshimet statusore nuk janë një mundësi për ringritjen e PD-së, ndërsa akuzon Bashën si të vetmin shkaktar për humbjet e njëpasnjëshme të partisë më të madhe të opozitës.
“Është qesharake, është t’ia bësh me hile demokratëve sikur fajin e paska statuti. Kush është ai qytetar që beson se kjo situatë degraduese e dëshpëruese vjen për shkak të statutit. Statuti i PD ka garantuar çdo mekanizëm për çdo anëtar që të jetë i lirë. Çdo gjë tjetër është fasadë e re dhe antistatutore.
Për sa kohë Basha është në krye të PD, Rama do jetë rehat në vendin e tij. Ka vetëm një mënyrë për të rrëzuar Ramën, kthimin e opozitës në shinat e saj, s’mund të jetë po një kryetar që është në listëpagesën e Kryeministrit dhe oligarkëve”, tha ajo
Topalli ironizon aksionin e mosbindjes civile, teksa kritikon edhe sjelljen e opozitës ne seancën e fundit parlamentare.
“Të sqarohet çfarë do të thotë mosbindje civile, se nuk shkon pjesëmarrja në Parlament dhe mosbindja civile bashkë, nuk rrinë. T’i shpjegojë shqiptarëve është për mosbindje civile apo jo, Parlamenti është kthyer në degradim të madh”, shtoi ajo.