Nga Boldnews.al
Deri në fillim të muajit maj 2018, rreth 10 mijë efektivë të Policisë së Shtetit duhet të dorëzojnë formularët e pasurisë, integritetit dhe profesionalizmit, në kuadër të procesit të Vetingut.
Në bazë të ligjit për rivlerësimin kalimtar në Polici, nga drejtuesit e lartë e deri tek inspektorët e thjeshtë, duhet të pasqyrojnë të dhënat e tyre në formularë të posaçëm, ku më i rëndësishmi është ai i deklarimit të pasurisë.
Nga hyrja në fuqi e ligjit, para dy javësh, shumë punonjës policie kanë hasur vështirësi në plotësimin e formularit të interesave private. Formulari, për shumë prej tyre është i ndërlikuar dhe koha është e pamjaftueshme për të mbledhur dokumentacionin e nevojshëm.
Por, përballë këtyre pretendimeve, zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj deklaroi të martën se koha që i është lënë në dispozicion punonjësve të policisë është mëse e mjaftueshme.
Por, çfarë duhet të kenë parasysh zyrtarët e Policisë së Shtetit gjatë plotësimit të formularëve të pasurisë? “Boldnews.al” kontaktoi me ekspertë të fushës, të cilët dhanë shpjegimet që po i paraqesim më poshtë në formën e një guide utilitare:
– Është shumë e rëndësishme që të kuptohet se pasuritë e krijuara nga punonjësit e policisë duhet të jenë të justifikuara me burime të ligjshme. Në rast të kundërt, punonjësi i policisë humbet automatikisht vendin e punës. Pra, secili prej deklaruesve më së pari duhet të bëj bilancin e të ardhurave të tij dhe/ose familjarëve të tij gjatë të gjithë viteve të punës (ose nga trashëgimia, nga qeratë, nga aktivitetet private, emigracion, etj). Më pas, duhet të llogaritet edhe vlera e aseteve në pronësi. Nëse të ardhurat janë më të ulta se sa vlera e aseteve, atëherë do të thotë që deklaruesi nuk do të jetë për shumë kohë në polici.
Për të vërtetuar ligjshmërinë e burimit, duhet që çdo pasuri e krijuar, të jetë shoqëruar me dokumentacionin përkatës (kontratë shit-blerje/kontratë porosie/kontratë dhurimi, etj). Natyrisht, ka raste kur këto kontrata është e vështirë të gjenden, pasi mund të jenë nënshkruar shumë vite më parë. Ose, ka raste kur dhurimet ndërmjet familjarëve janë realizuar pa kontrata formale. Në çdo rast, punonjësit të policisë i duhet që të gjejë kontratat (dokumentat) në zyrat përkatëse ose të nënshkruajë sot kontratat e dhurimit, në të cilat të pranohet nga dhuruesit veprimi/transaksioni i kryer vite më parë.
– Në çdo rast, pasuritë në posedim të deklaruesve duhet të jenë të shoqëruar me dokumentacionin përkatës dhe të shënohen numrat dhe datat e kontratave ose të çdo dokumenti që justifikon krijimin e pasurisë (trashëgimi, përfitim toke nga ligji 7501, kthim kompensim prone, etj). Në këtë mënyrë, deklaruesi shmang kërkesat e shpeshta që mund të bëjnë në vijim organet e Vetingut në polici për dokumenta shtesë.
– Duhet të deklarohen çdo lloj pasurie e luajtshme apo e paluajtshme, pavarësisht nëse ato janë të regjistruara apo jo në regjistrat publikë. Shumë pasuri të paluajtshme në Shqipëri nuk janë të regjistruara në Hipotekë ose janë në proces legalizimi. Në çdo rast duhet të shënohen në formular edhe këto pasuri, të cilat nuk janë të regjistruara në Hipotekë, por që deklaruesit gëzojnë të drejtat reale mbi to.
– Duhet të deklarohen llogaritë bankare, letrat me vlerë, pjesë në kapitalin e shoqërive private dhe çdo formë tjetër, në të cilat depozitohen paratë. Ligji nuk lejon që subjektet deklarues të mbajnë në formë cash më shumë se 1.5 milionë lekë të reja. Nëse deklaruesit kanë në cash mbi këtë shumë, ata duhet ta depozitojnë në llogari bankare përpara se të dorëzojnë formularin.
– Subjektet duhet të deklarojnë çdo të ardhur që kanë përfituar ata dhe/ose familjarët e tyre gjatë punësimit ndër vite. Deklarimi i të ardhurave duhet shoqëruar me dokumentacionin përkatës (vërtetime pagash dhe/ose vërtetim nga degët tatimore nëse kanë qenë ushtrues të aktivitetit privat, të ardhura nga qeradhënie, nga shpërndarje dividenti të kompanive, etj)
– Detyrimet financiare janë një tjetër rubrikë që duhet plotësuar, nëse subjekti ka marrë kredi, hua, borxh tek persona fizikë apo juridikë (banka, institucione financiare jo-bankare). Në çdo rast, përshkrimi i detyrimeve financiare duhet të shoqërohet me dokumentacionin përkatës, si kontratë për kredi bankare, kontratë huaje, deklaratë borxhi, etj.
– Subjektet deklarues duhet të shënojnë edhe shpenzimet që kanë kryer gjatë vitit 12 muajve të fundit për arsimimin në insitucione private ose jashtë Shqipërisë, si edhe për shëndetin (operacione apo ndërhyrje të kushtetueshme në vlerë financiare).
Kujdes: në çdo rast, duhet të shënohet burimi financiar i krijimit të pasurisë apo burimi financiar që përdoret për realizimin e shpenzimeve apo për shlyerjen e detyrimeve.