Policia në Belgjikë i ka bërë apel qytetarëve për mbështetje në kapjen e “njeriut misterioz me pallto të bardhë”, i cili kishte shoqëruar dy kamikazët në aeroportin e Brukselit.
Të enjten, prokuroria belge ka publikuar pamjet e reja të dyshuarit të vetëm të mbijetuar gjatë sulmeve, që besohet të ketë qenë i përfshirë në sulmet me bomba në aeroport.
Prokurorët kanë përdorur pamjet e kamerave të sigurisë, për të përcjellë udhëtimin e të dyshuarit për sulmet në aeroportin Zaventam, prej nga ku kishte ikur duke ecur i qetë.
Kamerat e sigurisë, shfaqin momentin kur burri largohet i qetë nga vendi i ngjarjes, duke kaluar pranë hotelit Sheraton që gjendej përballë aeroportit, ku më pas kishte marrë me qira një veturë.