Detaje të reja janë zbuluar mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi në Shkodër, ku 39-vjeçarja Alma Arrizi pas mosmarrëveshjet me bashkëshortin e saj dyshohet se është vetë mbytur së bashku me tre fëmijët e saj në lumin Buna.
Gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat ka deklaruar se Alma në janar shkoi në Itali për të punuar dhe të fitonte të ardhura që të ndërtonte shtëpinë për të jetuar me fëmijët e saj, ndërsa ishte Erdgysi i cili e ka telefonuar dhe i është lutur të kthehet dhe i është betuar tek varri i të atit që do i jepte fund lidhjes jashtëmartesore që kishte.
“Ai ishte me katër klasë shkollë, kanë 9 vite diferencë, ku ajo është më e madhe se ky. Ajo kishte një arsim 8-vjeçar ndërsa ai 4-vjeçar fillor. Janë njohur nëpërmjet një kushërire me njëri-tjetrin, kanë emigruar në Gjermani, ku kanë jetuar në harmoni me njëri-tjetrin dhe kanë sjellë në jetë dy vajzat. Kthimi në Shqipëri pastaj ka qenë pika e kthesës, ku Ergysi nuk kishte më atë afrimitetin me familjen e tij, pavarësisht se sollën në jetë dhe fëmijën e tretë që tani është 3 vjeç. Gjatë këtyre tre viteve, ata nuk kanë konsumuar një martesë normale, ku herë pas here ai ka pasur marrëdhënie edhe me gra të tjera, ku më e fundit e ka tronditur aq shumë Almën. Ajo gjente në celularin e saj foto-video që ai bënte me mikeshat e tij dhe ajo e shpërndante me motrat e saj dhe tregonte sesa vuante që bashkëshorti i saj bënte këtë gjë.
Ajo ka pasur tentativa për divorc, ka marrë fëmijët dhe është larguar nga shtëpia. Në janar të këtij viti ka emigruar drejt Italisë ku u punësua dhe duke qenë se ndërtesa ku ata banonin, një kat i lënë i pa ndërtuar, ajo kishte marrë iniciativën të punonte, të siguronte të ardhura për të ndërtuar katin i cili është i papërfunduar dhe për të jetuar me fëmijët e saj edhe nëse ai do e përzinte, mjaftonte të ishte pranë fëmijëve të saj. Ajo donte të divorcohej por donte të kishte dhe fëmijët, gjë që ai e pengonte. Episodi i fundit ishte në Janar kur ajo u largua nga Shqipëria, qëndroi një muaj në Itali dhe më pas bashkëshorti e mori në telefon duke i bërë një betim mbi varrin e babait të tij se “unë do të heq dorë nga lidhja që kam dhe i përkushtohem lidhjes”. Kjo me këtë betim u kthye në Shqipëri. Fëmijët nuk i mori në Itali sepse shkoi vetëm për të punuar. Fëmijët rrinin me të atin dhe vëllanë e të atit dhe bashkëshorten e tij. Ajo ishte në tentativë për t’i marrë fëmijët, por duhej një prokurë që ai nuk ia jepte“, tha Bezat.