Adriatik Llalla e ka pranuar publikisht se ambasadori Donald Lu i kërkoi arrestimin e një politikani të rëndësishëm për korrupsion. Emrin e politikanit (Ilir Meta) që iu kërkua të arrestohej nga Ambasada Amerikane, ish Prokurori i Përgjithshëm e ka treguar në Kongresin Amerikan, kur iu kërkua informacion në lidhje me ndikimin e Soros-it në Shqipëri, shkruan sot Lapsi.al.
Lapsi.al zbuloi një letër të Adriatik Llallës të publikuar në Maj të vitit 2017 në faqen e internetit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në letrën për Nënkomisionin e Kongresit Amerikan për Europën dhe Azinë, i drejtuar nga kongresmeni Dana Rohrabacher, Llalla tregon edhe një herë takimin me Donald Lu në Maj të vitit 2015, duke saktësuar se ambasadori ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës.
Në letrën e Llallës, dërguar Kongresit, shkruhet: “…Lu i sugjeroi Prokurorit të Përgjithshëm arrestimin e Ilir Metës, kryetar i Parlamentit dhe njëkohësisht kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në vlerësimin e z. Lu, Kryeparlamentari Meta ishte i korruptuar dhe po bllokonte Reformën në Drejtësi”.
Arrestimi i tij (sipas Lu) mund të ndihmonte Shqipërinë për t’u integruar në Bashkimin Europian, thotë Llalla, i cili vijon më tej, duke shpjeguar qëndrimin e tij: “Kjo kërkesë, tërësisht e papërgjegjshme, detyroi Prokurorin e Përgjithshëm të ndërpriste takimin, duke u shprehur se arrestimi i çdo njeriu, përfshirë edhe zyrtarët, mund të bëhet vetëm në bazë të provave”.
Debati duket se ka qenë i ashpër, pasi Llalla, në letrën drejtuar Kongresit, shkruan: “Prokurori i Përgjithshëm theksoi se kërkesa (e ambasadorit) ishte jo logjike dhe se, arrestimi i zyrtarëve të lartë, pa prova, rrezikon të sjellë destabilitet politik dhe social”.
Pjesa më e rëndë e këtij komunikimi vjen më poshtë, sipas përshkrimit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. “Përballë këtij qëndrimi (të prokurorit të përgjithshëm), Ambasadori Lu u shpreh se destabiliteti i mundshëm i Shqipërisë nuk përfshihej në prioritetet e tij”.
Në nëntor, Adriatik Llalla u zëvëndësua në detyrë me Arta Markun dhe fill pas kësaj ish kryeprokurorit, iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me familjen.
Vendimi i firmosur nga ish sekretari i shtetit, Rex Tillerson u kontestua nga Llalla që akuzoi ambasadorin Lu se gënjeu departamentin e shtetit.