Kjo e Hënë shënon nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit për besimtarët myslimanë.
Sipas besimit islam, ata do të agjërojnë për 30 ditë, do të plotësojnë një nga 5 kushtet e islamit. Dita e parë e Ramazanit është 11 marsi, ndërsa dita e fundit është më 9 prilli, e cila pasohet me festën e Fitër Bajramit më 10 prill. Këtë të Hënë, koha e syfyrit për vendin tonë përkon në orën 04:23, ndërsa iftari në orën 17:49.
Kreu i Komitetit Mysliman, Bujar Spahiu, bën thirrje që këtë muaj të ketë më shumë paqe dhe solidaritet, dhe uron që njerëzit të gjejnë “qetësinë e merituar”.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Spahiu shpreh lutjet të arrihet sa më shpejt paqja në Ukrainë e në Rripin e Gazës dhe çdo vend tjetër ku ka konflikte.
Mesazhi i Spahiut
“Të dashur motra dhe vëllezër besimtarë! Falenderimet i takojnë Allahut, Zotit të botërave që na mundësoi të arrijmë muajin e Ramazanit. Muaji i bekuar i Ramazanit është një mundësi dhe favor i jashtëzakonshëm që Zoti na ka dhuruar për të pastruar shpirtin dhe trupin. Ramazani nuk është muaj diete por muaj adhurimi, përmes të cilit njeriu ka mundësinë e artë të arrijë kënaqësinë e Zotit, e përmes kësaj arritje të begatojë veten e tij me mirësi në këtë botë dhe atë të përtejmen. Në Kur’an dhe në hadithet e Profetit (a.s.) Ramazani përshkruhet si një prej mirësive më të mëdha, pas namazit që Zoti na ka dhënë ne. Ramazani është pastrim shpirtëror në radhë të parë. Zoti (xh.sh.) thotë në Kuran: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. Ajeti në fjalë tregon qartë se agjërimi synon të formojë një personalitet të kompletuar tek besimtari. Ramazani është muaji i Kur’anit Famëlartë, në këtë muaj ne duhet të lidhemi fort me të. Ramazani është muaji i solidaritetit mes njerëzve. Është muaji i dhënies së lëmoshës. Është muaji i përkushtimit në familje, i përkujdesjes ndaj prindërve“, tha Spahiu në mesazhin e tij.