Alban Bushi është prej vitesh pjesë e futbollit në Shqipëri. Si lojtar fillimisht dhe pastaj në rolin e drejtuesit. Aktualisht trajner i Shpresave, ish-sulmuesi i njohur i Kombëtares “zbërthehet” në një intervistë për “Panorama Sport”.
Nga lëvizja e bujshme e Muçit, huazimi i Brojës dhe “shpërthimi” i Manajt, Bushi komenton edhe ngjarjet që kanë ndodhur me “futbollistët e tij” siç ishte debutimi i Medon Berishës te Leçe në Serinë A, rinovimi i Adrian Bajramit me Benfikën, por shpjegon edhe pse në këtë edicion Kombëtarja U-21 ka pak prurje nga kampionati vendës.
Bushi ka qënë pjesë e Tiranës si lojtar dhe nuk mund të rrijë pa dhënë një mendim për kampionatin e këtij sezoni dhe shanset për t’u shpallur kampion. Në fund, golashënuesi i 14 golave me Shqipërinë, vihet përballë disa zgjedhjeve të vështira.
Bushi, 50 vite sot, sa nga këto kanë qenë në futboll?
Futbolli i luajtur ka qënë shumë shpejt, që 7-8 vjeç, që i bie pothuajse 40 e ca vite. Gjithë jeta ka qenë me futbollin, si të luajtur, po ashtu edhe drejtues. Pasi u tërhoqa, kalova si drejtues në ekipin kombëtar A. Çdo gjë është e lidhur me futbollin dhe jam i lumtur për këtë sepse është diçka që e bëj me shumë qejf, me shumë pasion dhe më bën që të ndihem mirë.
Ky muaj rikthen në fushë edhe Shqipërinë U-21, por para se të kaloj te ndeshjet, ju keni vijuar gjatë kësaj kohe me monitorimin e lojtarëve, si ka shkuar ky proces?
Jemi gjatë gjithë kohës duke i ndjekur lojtarët. Kemi pak vështirësi sepse jo të gjithë videot e lojtarëve na dalin në “Whyscout”, por na i tregojnë videanalistët e ekipeve ku ata luajnë. I kemi monitoruar, nga ana fizike të gjithë janë mirë, ajo pjesë e grupit që ne mendojmë se do të bëjë pjesë për ndeshjet e marsit. Përveç Kristian Shpendit, që është dënuar tri ndeshje nga UEFA dhe nuk do të jetë këtë grumbullim, pjesa tjetër do të jetë ajo që ka qenë, me ndonjë ndryshim të vogël. Mendoj se kanë bërë mirë në ekipet e tyre dhe të vijnë kështu siç janë fizikisht në këto dy ndeshje që janë shumë të rëndësishme për ne.
Adrian Bajrami rinovoi me Benfikën për dy vite, një lajm i mirë apo jo?
Më bëhet qejfi shumë për Bajramin dhe kam pritshmëri shumë të mëdha nga ai. E pres që të luajë në nivele shumë të larta. Nuk e di është mirë, apo nuk është mirë përderisa ai ka firmosur për dy vite, sepse ndoshta mund të ketë pasur një premtim nga ana e klubit që të jetë pjesë e ekipit A të Benfikës. Nuk diskutohet që duhet ta meritosh që të jesh aty. Por, për këta që janë në moshë të vogël dhe të firmosësh me një ekip të madh, është pak e vështirë.
Po të shohim edhe Asllanin, ka pak minuta në dispozicion. Në këtë moshë ke nevojë për sa më shumë minuta. Por, derisa ka firmosur, ata e kanë analizuar mirë, sepse Benfika është një klub i madh dhe Bajrami një djalë i maturuar. I uroj shumë suksese dhe dua ta shoh që të luajë sepse është një mbrojtës që, jo se Shqipëria nuk e ka pasur, por kanë qënë të paktë me karakteristikat që ai ka. Thjesht duhet ajo shtytja që të kalojë në nivele të larta, sepse e ka përsonalitetin, është me këmbën e majtë, inteligjent, pasimin e ka shumë të mirë, luftën në ajër po. Është një mbrojtës që më ka bërë shumë përshtypje.
Mund të ngjasojë rrugëtimi i tij me atë të Mario Mitajt, një mbrojtës që luante për Shpresat dhe kaloi më ekipin A?
Besoj që po. Bajrami mund të jetë një rast si Mitaj. Tashmë është i njohur edhe nga Silvinjo. Ka qënë edhe më parë me Rejën në grumbullim. Nuk është një lojtar që nuk njihet.
Medon Berisha, kapiteni i Shpresave ka debutuar në Serinë A me Leçen, në ndeshjen kundër Interit…
Kam të njëjtin mendim edhe për Medonin. Një djalë shumë i mirë që mund t’i shërbejë Kombëtares A për shumë vite në të ardhmen. Isha pak skeptik kur kaloi nga të rinjte te Leçe në Seria A, në një moshë shumë të vogël sepse është shumë e vështirë për të luajtur. Edhe po rezulton kështu, ka marrë shumë pak minuta. Në moshën që është, duhet të luajë dhe ai e di shumë mirë këtë gjë. Klubi i beson dhe ndoshta merr minuta në fund të sezonit. Është një lojtar që nëse e motivon, e karikon siç duhet dhe punon me anën e tij psikologjike, jep gjithçka në fushë. Është një 8-sh me shumë kualitet.
Punën e minutave po e vuan edhe Stiven Shpendi tek Empoli. E pritshme, pasi të kalosh nga Seria C në Serinë A, nuk është e lehtë, apo jo?
Mendoj edhe se eshtë çështje menaxhimi. Nuk e kuptoj. Nëse do të më pyesje për veten time ose për fëmijën tim, do të preferoja një ekip më poshtë për të luajtur, sesa një ekip në Seria A dhe në stol gjithë kohës. Ti humb dhe rrezikon karrierën kështu, nëse nuk luan një apo dy vite. Thikë me dy presa. Mund të shkosh të luash 2 ndeshje, e përballon dhe mund të bëhesh nga më të mirët në Europë, por është edhe ana tjetër që mund të humbësh fare. Gjithmonë shkallët duhen të ngjiten një nga një. Pastaj për talentë të veçantë si Broja, që mund të bëjë atë hapin e madh, është diçka tjetër.
Ndikon edhe menaxhimi që i bën klubi një lojtari të ri?
Është e vështirë të mos ta aktivizojë fare. Klubi nëse paguan për të, patjetër që do e fusë në lojë. Kemi rastin e Muçit që sapo shkoi, luajti në formacion, ose e kundërta ndodh nëse t’i je shumë dobët, nuk je ambientuar dhe i merr minutat ngadalë. Në rastin e Asllanit, Interi është klub i madh dhe ka shumë njerëz që punojnë me të edhe nga ana psikologjike. Kjo tregon se ata nuk po gabojnë dhe Asllani sa herë që futet, jep diçka dhe po bëhet një alternativë e fortë. Mendoj se shumë shpejt, një apo 2 vite mund të jetë edhe titullar aty.
Me gjithë këto emra që përmendëm, mund të themi se e ardhmja e Kombëtares është e sigurt?
Nuk do të kemi shqetësime në këtë pjesë. Pastaj këto vitet e fundit, FSHF-ja e ka zgjeruar stafin e ekipeve teknike. Skautimi është në mënyrën më të mirë dhe nuk na humb asnjë shqiptar kudo që mund të jetë. Kjo është një anë pozitive. Tjetra është që janë shumë shqiptarë jashtë, të Kosovës, Maqedonisë. Ata rriten në klube të mira dhe mendoj se nuk do të vuajmë për futbollistë cilësorë në të ardhmen. E kam thënë edhe para 10 vitesh se nuk do ta kemi problem futjen në Europian, por do të kalojmë edhe ture sepse jemi ballkanas, e kemi qejf futbollin. Në të ardhmen do të jemi dominues në ballkan.
Muaj më parë keni thënë se nga kampionati shqiptar nuk ka shumë elementë për ekipin Shpresa, i qëndroni të njëjtit mendim?
Mendoj që janë pak prapë. Ata që luajnë në formacion janë shumë pak. Po të jap vetëm rastin e Rumanisë që luajtëm, ku 23 lojtarë, 18 i kishin nga kampionati rumun. Këtu duket diferenca, po ashtu Finlanda nga kampionati vendës. Duhet t’iu japim dorën të rinjve. Ne e shohim kampionatin këtu, por nuk është ai agresiviteti i duhur, ekipet më shumë mbrohen sesa sulmojnë, të rinjtë i aktivizojnë pak. Është pak problem kjo pjesë. Të rinjtë duhen. Megjithatë, drejtoria teknike ka filluar një strategji me klubet se si të punohet sa më shumë me të rinjtë.
Jashtë nuk të japin një lojtar të ri falas, por ndoshta klubet tona këtu nuk i shohin edhe si një investim të rinjtë?
Nuk e di pse nuk i shohin si investim sepse janë dy gjëra. Ose ti nuk e sheh si investim sepse fiton shumë me këta të tjerët, ose nuk je një menaxhues i mirë. Nëse ti ke një talent në akademi, duhet të investosh tek ai, t’i japësh ushqimin, ta akomodosh me fjetjen, ta stërvitesh paradite e mbasdite me programe speciale. Nuk besoj se ka shumë kosto për klubin kjo, por thjesht nuk e di pse nuk bëhet. Kemi klube të mëdha si Tirana e Partizani.
Vijmë te përballjet e marsit, Shqipëria U-21 do të presë Zvicrën dhe Finlandën në shtëpi. Si janë këto kombëtare në raport me ne, çfarë duhet të presim nga këto ndeshje?
Janë dy ndeshje të rëndësishme. Dy ndeshje që vendosin nëse shkon në Europian apo nuk shkon. Me 4 pikë jemi në lojë, me 6 pikë jemi 99 % të kualifikuar. Por, të vështira edhe pse ne këtu në Shqipëri, bëhemi shumë të fortë. Nëse kemi një diferencë me ta, këtu barazohet. Kemi tokën tonë këtu, që na jep energji shumë pozitive për t’u përfaqësuar denjësisht. Do të jenë ndeshje interesante sepse luajmë bukur dhe nuk është vetëm ai si objektiv, por edhe Kombëtarja A. Kemi disa lojtarë që mund të bëjnë diferencën dhe besoj se do të dalim me sukses në këto dy ndeshje.
Prekim edhe pak lojtarët e Kombëtares A. Ernest Muçi u ble nga Beshiktashi për 10 milionë euro. A do ta shohim në një kampionat edhe më të fortë në të ardhmen?
Mendoj që po. Muçin e kam pasur te U-21 dhe e njoh shumë sepse ka qenë edhe disa muaj tek akademia ime. E njoh shumë mirë edhe kampionatin turk sepse kam luajtur 7 vite aty. E njoh edhe Beshiktashin se çfarë klub i madh është dhe çfarë presioni ka nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet. Mendoj se ka bërë një zgjedhje të mirë.
Kanë paguar një shumë të tillë, sepse planifikojnë që për 3-4 vite do t’i marrin mbrapsht ato para. Por, mendimi është për Muçin, që mund të shitet edhe më shumë. Ai është shumë inteligjent dhe po ta shohësh ka bërë zhvillim në në armën e tij më të fortë: teknikën, inteligjencës, leximin e lojës. Pjesën fizike nuk e ka pasur siç duhet, por ka ndryshuar ritmin. Dikur nuk kthehej mbrapa kur luante “Winger”, tani kthehet deri mbrapa sepse ka kuptuar që në Europë duhet të bësh edhe anën difensive. I kam parë ndeshjet e para dhe të driblon me inteligjencë, nuk përplaset.
Në Turqi kemi edhe Rei Manajn që ka shpërthyer këtë kohë duke shënuar 18 gola. Të gjithë mendojnë se Silvinjo e ka një ftesë për të në këto miqësore, ndani të njëjtin mendim?
Manaj është sulmuesi më në formë që Kombëtarja ka. Unë mendoj se në ekipin kombëtar, ti luan mirë dhe bën gola, trajneri duhet të të marrë. Në Kombëtare ai që është në formë do të vijë, por Silvinjo vendos. Mendoj se Shqipëria do të ketë probleme në zgjedhje, sepse kemi Manajn, Muçin, Brojën, të gjithë të mirë. Kushdo që të lihet jashtë do të themi përse e la. Të gjithë nuk mund t’i marrë dot. Ata do i shërbejnë edhe më vonë Shqipërisë, por janë vendimet e trajnerit.
Pse kampionati turk tërheq shumë lojtarë shqiptarë?
Është një kampionat që na përshtatet ne, mentalitetit tonë. Më parë kanë qënë shumë pak. Florian Riza, Krenar Alimehmeti dhe më pas kam shkuar unë. Pastaj më vonë Duro. Është një kampionat i mirë dhe nga ana ekonomike. Normal që agjentët të adresojnë aty ku ka më shumë të ardhura. Pavarësisht se nuk e shohin shumë atë pjesën sesi do të zhvillohet një lojtar. Me Manajn është diçka tjetër, sepse është shumë i fortë, ka karakter dhe personalitet. Kampionat interesant dhe një trampolinë për në një vend më të fortë.
Nga ana tjetër Broja, si duket nuk po i ecën shumë mirë në periudhën e fundit, duhet edhe pak fat në futboll apo jo?
Futbolli do shumë fat. E kam përjetuar kur kam qënë futbollist vetë dhe e shoh tani që jam trajner. Në një ndeshje që mund të luash shumë mirë, por të mungon fati. Edhe në jetë. Broja ka shumë potencial dhe këtë e dinë të gjithë, e di Çelsi, por është çështje menaxhimi. Ai shkon te Fullhemi dhe konkurrenti i Brojës bën nga dy gola për ndeshje. Do të presë radhën, por futbolli ndryshon me ditë. Por, është potencial i madh dhe Shqipërisë do t’i bëjë punë patjetër. Mendoj se do të ketë një karrierë shumë të mirë. E themi këtë, por tani zhvillimin në dorë e ka edhe vetë lojtari sepse ne shohim potencialin dhe aftësitë që ka, pastaj në mendjen e një lojtari nuk e dijmë që ai mund të rrijë deri në 5 të mëngjesit nëpër bare, si Baloteli. Nuk po flas për Brojën, por them në përgjithësi. Ai është një djalë i edukuar.
Si një ish-sulmues doja të dija pak se kë do të zgjidhnit mes Haland dhe Mbape? Haland. Lautaro, apo Levandovski?
Levandovski.
Vioresin Sinani, apo Daniel Xhafaj?
Këtu… Sinani bënte gola, por Danieli më pëlqente se ishte i bukur kur vraponte dhe e merrte topin. Them Danieli.
Bekim Balaj, apo Hamdi Salihi?
Salihi bënte golin, Balaj më trupmadh. Do të them Salihi sepse më pëlqente te zona sesi e kërkonte golin.