Clarence Seedorf në një intervistë për Fox Sports është rikthyer edhe njëherë për të folur për periudhën kur drejtonte Milanin.
Tekniku holandez aktualisht udhëheq skuadrën Deportivo la Coruna në La Liga, e cila pozicionohet në vendin e parafundit në tabelë.
42-vjeçari ka komentuar Milanin e sotëm që udhëhiqet nga Gennaro Gattuso, ndërsa theksoi edhe arsyen se përse nuk funksionoi në “San Siro”.
“Unë mendoj se dallimi mes meje dhe Gattusos është gjendja e klubit. Në kohën kur unë punoja aty, klubi kishte probleme, nuk kishte qetësi. Kishte një konfuzion të përgjithshëm që vazhdoi deri në momentin që klubi u shit më pas. Ishte një zhgënjim i madh dhe një dhimbje e madhe personale për vetë faktin që nuk arrita të shkoja më tej me ekipin, më gjatë”- ka thënë ish-ylli i kuqezinjve.
Largimi nga Milan dhe ndryshimi me Gattuson:
“Më vjen keq për mënyrën se si shkuan gjërat, sepse unë po përpiqesha shumë për të ndihmuar ekipin tim në nevojë. Kemi bërë mirë, pasi grumbulluam 35 pikë por nuk mjaftonin vetëm këto. Jam i lumtur për Gattuson. Ai e ka gjetur ekipin në një gjendje më të qetë, më të qëndrueshme dhe kjo ka bërë që gjërat të shkojnë më ndryshe. Do të kisha qëndruar me dëshirë. Jam i lumtur që tifozët mund të kthehen dhe që tani kanë pak paqe dhe qetësi. Në këtë fazë duket që gjërat po shkojnë mirë në përgjithësi”.
Shumë suksese si lojtar, por edhe ndonjë “rënie”, Seedorf nuk i ka shpëtuar pyetjes lidhur me fitoren dhe humbjen e thellë në Champions League gjatë sezonit 2003-2004, kur luante me Milan ndaj ekipit që drejton sot.
Milan fitoi 4-1 në ndeshjen e parë ndaj Deportivo La Coruna ndërsa u mposht 4-0 në Spanjë. Në atë kohë gjigantët italianë luanin me yjet si: Dida; Cafu, Pancaro (Rui Costa, 77), Nesta, Maldini, Pirlo (Serginho, 58), Seedorf, Gattuso, Kaka, Tomasson (Inzaghi, 67), Shevchenko ndërsa skuadra iberike me: Molina; Manuel Pablo, Romero, Naybet, Andrade, Mauro Silva, Sergio (Duscher, 87), Victor, Luque (Fran, 65), Valeron (Djalminha, 90), Pandiani.
Ndërkohë që Porto i Jose Mourinhos u shpall kampion i Champions League pas mposhti në finale Monacon me rezultatin 0-3.
“Humbja 4-0 ndaj Deportivos, ka qenë një nga ndeshjet më të shëmtuara të jetës sime. Edhe më keq se ajo në Stamboll. Murinho duhet të na falendërojë që u bë një trajner i madh, pasi Milani i asaj kohe ishte i pabesueshëm. Kur futem në stadium këtu, ka foto të golave që ekipi i tyre na ka shënuar atë natë. I shikoj sa herë që shkoj në fushë dhe më bëjnë të kuptoj se sa e rëndësishme ishte ajo natë për njerëzit këtu. Milan ishte super atë sezon dhe duhej të fitonte tripletën” – përfundoi Seedorf.