Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçka u shpreh këtë të hënë se shifrat e rritjes së pagave të parashikuara në projektligjin e qeverisë, nuk është kërkuar nga vetë gjykata. Në një dalje për mediat ku bëri një bilanc të aktivitetit të gjykatës, ajo tha se nga Kushtetuesja është kërkuar vetëm rritje pagash, por nuk janë sugjeruar shifra konkrete.
“Ne propozuam që të rishikohej, se sa do ishte paga jonë do ta gjente o Kuvendi, o qeveria eventualisht që do bënte kalkulimet e duhura. Qeveria deshi të korrigjonte këtë, çoi një projektligj që s’ishte rakorduar me Gjykatën Kushtetuese. Për ne është e rëndësishme që të mbetet ne hierarki si në kompetencë, si në vendimmarrje. Ky është institucioni që mban shtetin në këmbë. Rroga sot është 390 mijë lekë të reja bruto dhe 290 të reja neto, e krahasueshme me gjyqtarin e shkallës së parë”, tha Zaçka.
Projektligj i Ministrisë së Drejtësisë për rritjen e pagave të gjyqtarëve kushtetues ka ngritur pikëpyetje për diferencën e madhe me pjesën tjetër të gjyqësorit dhe konfliktin e mundshëm të interesit me qeverinë. Për projektligjin që kërkon shumicë të theksuar për tu miratuar, opozita është shprehur kategorikisht kundër, ndërsa ende s’ka marrë dritën jeshile nga Kuvendi.
E pyetur për akuzat se Kushtetuesja është ndikuar politikisht në vendimmarrjet e saj, Holta Zaçka tha se ky nuk është fenomen vetëm shqiptar. Sa herë takohemi me kolegë të huaj, u shpreh, thuhet e njëjta gjë.
E pyetur nëse është marrë në shqyrtim çështja e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, për ndryshimin e masës së sigurisë, ajo u përgjigj se ka mbërritur në Kushtetuese, është duke u përgatitur, por seanca nuk është caktuar ende. “Gjykata ka marrë në shqyrtim çështjen. Janë duke u marrë të gjitha materialet, është duke u përgatitur. Por ajo është çështje e shtatorit, ne jemi ende duke u marrë me çështjet e muajit maj të 2023. Nuk na rezulton të kemi kërkesë për përshpejtim nga palët e përfshira në proces”, tha Zaçaj.
Lidhur me vendimarrjen e mëparshme për mandatin e Olta Xhaçkës, që nuk po zbatohet nga Kuvendi, ajo tha se “të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është e paimagjinueshme në një shtet ligjor”.
Por shtoi se, “duke patur formën e ligjit dhe duke mos patur asnjë ekuivok për të mos u zbatuar, gjykata Kushtetuese nuk ka mekanizma për të kontrolluar zbatueshmërinë e vendimeve”.
Të njëjtin arsyetim dha edhe për të drejtën e votës së emigrantëve, për të cilën, Kushtetuesja ka kërkuar më herët zbatim nga Kuvendi.
Për marrëveshjen Rama-Meloni për refugjatët, u shpreh se Kushtetuesja vlerësoi që “nuk mohuam përgjegjësinë e shtetit shqiptar në lidhje me këto zona që jepen në administrim të shtetit italian dhe e pamë juridiksionin e shtetit italian në funksion të detyrimeve që ka shteti italian në kuadër të së drejtës ndërkombëtare të vetën siç është koncepti i mosdëbimit ose koncepti i faktit që azili kërkohet në vendin e parë të sigurtë”.