Gjashtë masa sigurie arrest me burg dhe gjashtë arrest në shtëpi, të dhëna nga GJKKO me kërkesë të SPAK në kuadër të procedimit penal për inceneratorin e Tiranës, janë ekzekutuar nga policia.
Mësohet se masat e arrestit me burg janë ekzekutuar ndaj Taulant Tushes, Namik Simixhiut, Bledar Karolit dhe Jetmir Llapajt.
Taulant Tushe, zyrtari i afërt me kryebashkiakun Erion Veliaj, mban postin e drejtort të Shërbimeve Publike në Bashkinë Tiranë dhe njëkohësisht është anëtar i Këshillit Drejtues të UKT.
Veç tij, masa të arrestit me burg u lëshuan edhe për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ish-sekretar i së njëjtës ministri (më vonë deputet i PS), Alqi Bllako, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Erjon Muratajn, Bledar Karolin, Namik Simixhiun dhe Jetmir Llapajn.
Kokës e Bllakos, të cilët ndodhet në qeli të dënuar edhe për dy procedimet e tjera penale që lidhen me aferën e inceneratorëve (Elbasani e Fieri) u është komunikuar masa në burg.
Ndërsa personat e tjerë nuk janë arritur të arrestohen ende. Mirel Mërtiri e Klodian Zoto mbeten prej kohësh në kërkim si bosët e inceneratorëve. Ndaj tyre janë dhënë dënime me burg në procedimet penale për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit. Me hetimet për inceneratorin e Tiranës, rëndohet pozita e tyre para drejtësisë. Në kërkim lidhur me hetimet për inceneratorin e Tiranës është shpallur tanimë edhe Erjon Murataj, i cili mendohet se ndodhet jashtë vendit.
Ndërkohë, nga gjykata, në masë sigurie arrest shtëpie u lanë Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kond dhe Sidita Tola. Këto masa janë ekzekutuar të gjitha nga policia. Shumica e të ndaluarve janë anëtarë të komisioneve përzgjedhëse të koncensionit.
Në gusht të këtij viti, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së incineratorit të Tiranës duke argumentuar se hetimet paraprake kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri
Kompania Integrated Energy B.V. u themelua në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë, ka faturuar qytetarët shqiptarë në mënyra të ndryshme, përfshirë përmes sistemit fiskal për qeverinë apo përmes tarifave të detyrueshme për depozitim mbetjesh. Llogaritet se deri në kohën e sekuestrimit në gusht 2023, fusha e mbetjeve të Tiranës duket se u ka kushtuar taksapaguesve minimalisht 100 milionë euro. Inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit i kanë kushtuar së bashku rreth 50 milionë euro.