Spitali Shifa në Gazë është shndërruar në fokus të një përleshjeje disaditore në luftën e Izraelit kundër Hamasit, organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Shifa është spitali më i madh dhe më i pajisur në Gazë. Izraeli, pa dhënë prova vizuale, ka pretenduar se ndërtesa e spitalit po ashtu përdoret nga Hamasi për qëllime ushtarake. Ai ka thënë se Hamasi ka ndërtuar një qendër komanduese nëntokësore përfundi spitalit, që është e lidhur me tunele, diçka që Hamasi dhe punëtorët shëndetësorë në Gazë e mohojnë.
Që kur Izraeli ka shpallur luftë kundër Hamasit në përgjigje të sulmeve vdekjeprurëse të Hamasit më 7 tetor, forcat izraelite kanë lëvizur në Shifa.
Përderisa Izraeli ka thënë se do të lejojë stafin dhe pacientët që të largohen, palestinezët kanë thënë se forcat izraelite kanë shtënë drejt të evakuuarve dhe se është shumë e rrezikshme që të lëvizen pacientët në gjendje më të rëndë.
Ndërkaq, mjekët kanë thënë se spitali ka mbetur pa karburante dhe pacientët kanë filluar të vdesin.
Më poshtë mund të mësoni më shumë për situatën në Shifa.
Spital dhe vendstrehim
Shifa është spitali kryesor në sistemin e kujdesit shëndetësor që ka kolapsuar për shkak të konfliktit përgjatë viteve, financimit të pakët dhe bllokadës izraelito-egjipitiane që synon të dobësojë Hamasin.
Shifa ka mbi 500 shtretër dhe ofron shërbime sikurse skanimet MRI, dializë dhe ka një njësi të kujdesit intensiv. Në këtë spital kryhen afërsisht gjysma e të gjitha ndërhyrjeve kirurgjike në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.
Pasi nisi lufta, dhjetëra mijëra persona u dyndën në mjediset e spitalit për të kërkuar strehim. Përderisa lufta i është afruar spitalit, shumica e atyre që u strehuan në spital janë larguar drejt jugut, duke u bashkuar dy të tretat e 2.3 milionë banorëve të territorit që janë larguar nga shtëpitë e tyre.
Por, qindra persona, përfshirë punëtorë shëndetësorë, foshnje të lindura para kohe dhe pacientë në gjendje të rëndë, vazhdojnë të jenë në spital, kanë thënë pjesëtarët e stafit.
Të shtunën, spitali njoftoi se gjeneratori i fundit kishte mbeti pa karburante. Zyrtarët shëndetësorë thanë se të paktën 32 pacientë, përfshirë tri foshnje, kanë vdekur. Ata thanë se edhe 36 foshnje janë në rrezik që të vdesin pasi pajisjet shëndetësore kanë dalë jashtë funksionit.
Ministria e Shëndetësisë publikoi të hënën një fotografi që shfaqte dhjetëra foshnja të lindura para kohe të mbështjella me batanije për t’i mbajtur të ngrohta. “Shpresoj që foshnjat të vazhdojnë të jetojnë pavarësisht fatkeqësisë nëpër të cilën po kalon spitali”, tha zëdhënësi i Ministrisë, Medhat Abbas.
Ligji ndërkombëtar u ofron mbrojtje të posaçme spitaleve gjatë luftës. Spitalet mund të humbin këto mbrojtje nëse këto ndërtesa përdoren nga luftëtarët për t’u fshehur, apo për të ruajtur armë, ka thënë Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
Megjithatë, duhet të ketë paralajmërime të mjaftueshme për të lejuar evakuimin e stafit dhe pacientëve. Nëse shkaktohen dëme ndaj civilëve gjatë një sulmi shpërpjesëtimor ndaj një objektivi ushtarak, kjo është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Akuzat e Izraelit ndaj Hamasit
Izraeli për një kohë të gjatë e ka akuzuar Hamasin se i përdorë civilët si mburoja njerëzore. Grupi shpesh ka lëshuar raketa drejt Izraelit nga zona të populluar dhe luftëtarët kanë luftuar me trupat izraelite brenda lagjeve të banuara.
Përgjatë luftës, Izraeli ka publikuar fotografi dhe video që kanë shfaqur atë që ai ka thënë se janë armë dhe instalacione të tjera ushtarake brenda apo afër xhamive, shkollave dhe spitaleve.
Mbrëmjen e 13 nëntorit, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, shfaqi imazhe që tha se ishin armë të Hamasit të gjetura në bodrumin e spitalit për fëmijë, Rantisi, në Gazë.
Hagari tha se ai ka hyrë, së bashku me ushtarët izraelitë, në spital të hënën, një ditë pasi nga spitali u evakuuan pacientët e fundit. Javën e kaluar spitali mbeti pa karburante dhe Izraeli kishte urdhëruar qytetarët që të largoheshin përderisa po kryen ofensivën e tij tokësore.
Ai tha se hyri në një dhomë të dekoruara me ngjyra për fëmijët, ndërkaq armët ishin të vendosura në tokë. Ai tha se në spital u gjetën jelekë, armë automatike, bomba dhe granatahedhës.
“Hamasi përdor spitalet si instrument të luftës”, tha ai.
Ai në video shfaqi edhe një vend tjetër që tha se duket se aty janë mbajtur pengje.
Në video po ashtu u shfaq një tualet, një shishe për foshnja dhe një motoçikletë – vrima të plumbave dhe një vend që dukej se ishin mbajtur pengjet. Një dhomë pa dritare kishte perde në mur dhe Hagari tha se perdja mund të jetë përdorur si prapavijë gjatë incizimit të videove. Ai shtoi se ekspertët e forenzikës po ekzaminojnë këtë vend.
“Ky nuk është spitali i vetëm në Gazë që duket kështu dhe bota duhet ta dijë këtë”, tha Hagari.
Ushtria ka pretenduar se Hamasi po operon brenda Shifas dhe nëntokë në bunkerët e tij, disa prej të cilëve kanë thënë se janë të qasshëm nga vetë spitali. Po ashtu, ushtria ka pretenduar se qindra luftëtarë të Hamasit janë strehuar në spitalin Shifa pas sulmeve të 7 tetorit, kur u vranë të paktën 1.200 persona në Izrael.
Izraeli ka thënë se këto pretendime i bazon në informacione të inteligjencës. Megjithatë, nuk ka ofruar prova vizuale për t’i mbështetur këto pretendime. Muajin e kaluar, Hagari publikoi harta që tha se shfaqnin atë që Izraeli beson se janë vendndodhjet e qendrave nëntokësore komanduese të Hamasit, përfshirë një afër dhomës së pritjes dhe departamentit të dializës së spitalit.
Ai shfaqi ilustrime të stimuluara se si mund të dukeshin këto qendra të dyshuara komanduese, por e pranoi se “ky është vetëm një ilustrim”.
Izraeli, po ashtu, publikoi një video që tha se tregon luftëtarë të kapur të Hamasit teksa ai u përgjigjej pyetjeve. Luftëtari, që në video shfaqet duke folur qetësisht, por qartësisht duket se është i detyruar, dëgjohet duke thënë se shumica e tuneleve “janë të fshehura nën spitale”.
“Në Shifa, për shembull, ka nivele nëntokësore”, është shprehur ai. “Shifa nuk është e vogël. Është një vend i madh që mund të fshehë gjëra”.
Ushtria, gjithashtu, ka publikuar një audio-incizim të gjoja dy palestinezëve anonimë në Gazë që diskutojnë për praninë e një tuneli nën Shifa. Autenticiteti i incizimit nuk ka mundur të verifikohet.
Ghazi Hamad, zyrtar i lartë i Hamasit, hodhi poshtë pretendimet izraelite rreth Shifas, duke i cilësuar si “të rreme dhe propagandë”.
“Forcat pushtuese nuk kanë dëshmi për këto pretendime”, tha Hamad. “Ne kurrë nuk i kemi përdorur civilët si mburoja njerëzore, sepse kjo është në kundërshti me fenë tonë, moralin dhe parimet”.
Si do të marrë fund përleshja?
Izraeli të dielën tha se ka tentuar që të dërgojë rreth 300 litra me karburante në spital dhe i ka lënë shishet e plastikës me karburante disa metra larg ndërtesës. Por, deri të hënën, këto karburante duket se nuk janë marrë nga stafi.
Izraeli ka akuzuar Hamasin se po ua ndalon punëtorëve shëndetësorë që t’i marrin karburantet. Zyrtarët spitalorë kanë thënë se ky karburant do të duhej të dërgohej nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze dhe se sasia e karburantit gjithsesi ishte e pamjaftueshme.
Izraeli ka ofruar korridor të sigurt për largimin e njerëzve. Por, ata që kanë tentuar të ikin, e kanë përshkruar si një përvojë të frikshme.
Goudhat Samy al-Madhoun, punëtor shëndetësor, tha se afër 50 persona u larguan nga spitali të hënën, përfshirë edhe një grua që ishte në dializë. Ai tha se forcat izraelite kanë qëlluar disa herë drejt grupit që po evakuohej, duke plagosur një person.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se spitali “duhet të mbrohet”, duke kërkuar “veprime më pak ndërhyrëse” nga forcat izraelite.
“Shpresa dhe pritja ime është që të ketë veprime më pak ndërhyrëse nga forcat izraelite”, tha Biden në Zyrën Ovale.
Ushtria izraelite tha se është e vetëdijshme për kompleksitetin, por Hamasi nuk duhet të presë imunitet.
“Ne nuk po kërkojmë që të marrim kontrollin e spitaleve. Ne po synojmë të shkatërrojmë infrastrukturën e tyre”, tha zëdhënësi tjetër i ushtrisë, Richard Hecht.
“Ne do të hyjmë, do të bëjmë atë që duhet të bëjmë dhe do të largohemi”, tha ai.
“Se si do të duket kjo, është vështirë të thuhet”./rel