Skenari i tmerrit do të ishte ky: Një aksion ushtarak izraelit në Rripin e Gazës me trupa tokësore shkakon një reagim zinxhir të trazirës dhe dhunës në rajon. Në zhvillimin e tij përfshihen gjithnjë e më shumë grupime dhe shtete në një spirale dhune, në fund ndoshta edhe SHBA dhe Rusia. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant tha, se ofensiva e planifikuar tokësore mund të zgjasë disa muaj. “Dhe në fund nuk do të ketë më Hamas.” Qeveria izraelite reagoi ndaj sulmit brutal terrorist të Hamasit më 7 tetor, në të cilin humbën jetën të paktën 1400 vetë, fëmijë, gra dhe të moshuar u vranë, më shumë se 200 vetë u morën peng.
Parë thjesht nga pikëpamja ushtarake, aksioni izraelit mund të jetë i suksesshëm, beson eksperti i Lindjes së Mesme, Guido Steinberg nga Fondacioni gjerman në Berlin, Shkenca dhe Politika. Në një program të Deutsche Welles, “To thë Point” ai tha se “beson që ushtria izraelite është në gjendje të shkatërrojë strukturat e Hamasit në Rripin e Gazës.” Por në çdo rast do të vdisnin shumë civilë, pavarësisht sa me kujdes vepron ushtria izraelite.
Viktimat civile si shkak i mundshëm
Pikërisht kjo mund të jetë edhe llogaria e Hamasit, analizon Hans-Jakob Schindler nga organizata ndërkombëtare Counter Extremism Project. “Hamasi dëshiron të prodhojë pamje të tmerrshme të civilëve palestinezë të vdekur dhe me këtë të tërheqë Iranin dhe përfaqësuesit e tij (Proxys) në këtë konflikt” shprehet Schindler për DW. Si “Proxys” njihen grupet e armatosura përfaqësuese të Iranit në vende të tjera të rajonit si Hizbollahu në Liban. Që tani Hizbollahu e sulmon Izraelin rregullisht me raketa, por tregohet e përmbajtur për një ofensivë të gjerë.
Ende nuk është e sigurtë një ofensivë tokësore, është i mendimit Schindler. Por: “Nëse vjen puna tek shkallëzimi, (…)atëherë i pari do ishte Hizbollah që do të sulmonte në mënyrë masive veriun e Izraelit. Shkalla e dytë e shkallëzimit do të ishte që në Siri do të ndërmerreshin sulme kundër bazave amerikane aty. Shkalla e tretë do të ishin ndoshta milicët shiitë në Irak që do të sulmonin objektiva amerikane ose perëndimore.”
Biden: Izraeli nuk duhet të udhëhiqet nga zemërimi
Pikërisht një zinxhir i tillë nuk duhet as që të vihet në lëvizje. Për këtë presidenti amerikan, Joe Biden ka bërë dy gjëra: Si paralajmërim ndaj Hizbollahut dhe Iranit ai dërgoi dy aeroplanmbajtëse në pjesën lindore të Detit Mesdhe. Dhe Izraelit megjithë mirëkuptimin për të drejtën për vetëmbrojtje, i kërkoi të përmbahet. Izraeli nuk duhet të përsërisë gabimet e SHBA pas 11 shtatorit dhe sulmeve terroriste, tha Biden në Tel Aviv. Izraeli nuk duhet të “lejojë të digjet nga zemërimi”. Tani është koha që “Iranit dhe Proxys t’u tregohet që një shkallëzim i situatës sigurisht do të çojë në një dobësim të ndjeshëm të strukturave të tyre”, sipas Schindler. Nga ana tjetër bashkësia ndërkombëtare duhet të kujdeset të përmirësojë gjendjen humanitare në Gaza që ky konflikt të mos prekë të pafajshmit.
Në një telefonatë me krerët e qeverive dhe presidentët e Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Kanadasë, Biden ishte i një mendimi, se Izraeli do të mbështetet dhe se respektohet e drejta e tij për vetëmbrojtje. Në të njëjtën kohë u kërkua respektimi i së drejtës ndërkombëtare, që do të thotë: Izraeli duhet të tregojë kujdes për popullsinë civile palestineze.
SHBA konsiderohet e njëanshme
“Nëse nuk e bëjmë ne, kush” pyet Biden në fillim të misionit të ndërmjetësimit dhe përforcoi me këtë pretendimin e SHBA si fuqi e rendit në Lindjen e Mesme. Problemi që ka SHBA është, se në pjesë të mëdha të rajonit ajo konsiderohet e njëanshme në favor të Izraelit.
Pas shpërthimit në një spital në Gaza me shumë viktima, Hamasi bëri përgjegjës Izraelin. Presidenti amerikan Biden mbështeti variantin izraelit, sipas të cilit një raketë e devijuar e Xhihadit Islamik ishte shkaku i shpërthimit në spital. Kështu u shprehën më vonë shumë ekspertë perëndimorë. Por pas shpërthimit në spitalin në Gaza, presidenti i Egjiptit, Abdel Fatah al-Sisi, Mbreti i Jordanisë, Abdullahu II dhe presidenti palestinez, Mahmud Abas anuluan një takim të planifikuar me presidentin amerikan.
Imazhi i SHBA si aleate e Izraelit krijon hapësirë për ndërmjetësim nga vende të tjera, për shembull Gjermania. Pasi takimi me Biden dështoi, presidenti egjiptian doli në konferencë shtypi me kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Kancelari gjerman ishte i vetmi që brenda dy ditësh u takua si me kryeministrin izraelit, Netanjahu, ashtu edhe me Mbretin Abdullah II dhe presidentin al-Sisi.
Qeveria gjermane nga njëra anë është vendosur pa asnjë ngurrim të krah të Izraelit. Nga ana tjetër Berlini pranohet më shumë në rajon si partner neutral. Schindler thotë se ky është “një nga kontributet më të mira që mund të arrijë Gjermania këtu”. Nga ana ushtarake, Gjermania mund të bëjë pak, veç ofrimit të furnizimeve ushtarake shtesë për Izraelin.
Rusia ka interesa të paqarta
E nëse gjërat shkallëzohen më tej? A mundet që Rusia të tërhiqet në konflikt për shkak të lidhjeve të saj me Damaskun dhe Teheranin? Hans-Jakob Schindler nuk e shikon të mundur këtë. Rusisë i vjen për shtat konflikti në Lindjen e Mesme, sepse ai largon vëmendjen nga lufta në Ukrainë. Rusia është e interesuar që të zgjatet ai, me qëllim që fokusi i perëndimit të vendoset aty. Nga ana tjetër presidenti Putin do ta mbajë këtë konflikt në një nivel të ulët, “që të mos e shohë veten të detyruar të përdorë resurse në Lindjen e Mesme, të cilat atij i mungojnë që tani në Ukrainë.”/Dw