Përbytjet në Shkodër kanë hyrë në javën e tretë, ku uji është Zot i vendit, duke shtrirë përmbytjet në një zonë të gjerë, gati në kufijtë e të papërballueshmes. Ana e Malit dhe Oboti nisën të lageshin pak kohë para Ditës së Verës, ditë kur kryeministri dhe qeveria “shelleheshin” në paradën e radhës në Elbasan. Shi nuk po binte, por përmbytjet u shtrinë në mënyrë të shpejtë. Gjithçka vjen nga shkarkimet pa kriter të hidrocentraleve mbi kaskadën e Lumit Drin. Tre hidrocentralet Fierza, Komani dhe Vau i Dejës aktualisht janë në nivele të larta shkarkimi. Zyrtarisht raportohet me mbi 1500 metër kub ujë në sekondë derdhet nga diga dhe bashkohet me lumin, por dyshohet se shifra është më e lartë, duke marrë parasysh shtrirjen e përbytjeve.
Gjendja është alarmante dhe vetëm tre ditët e fundit është dukur paksa “dora qeveritare” me vizita pak minutëshe të personaliteteve me “çizme të gjata” dhe më pas banorët futen në hallin e madh të përditshëm. Loja me këta banorë shkon deri në kufijtë e ironisë, ku KESH (Korporata Energjitike Shqiptare) i ofroi një fond prej 10 milionë leke Ministrisë së Mbrojtjes për të përballuar situatën e përmbytjeve, kryesisht në zonën e Nënshkodrës. Specialistët, nën zë komentojnë se përbytjet mund të menaxhohen, pikërisht nga mirëadministrimi në tre kaskadat e Lumit Drin. Në kohë reshjesh dëbore, ndonëse nuk ka rritje të nivelit në hidrocentrale, është i nevojshëm shkarkimi gradual i ujit, pasi është vërtetuar se me shkrirjen e dëborës në zonat e thella malore, prurjet shtohen dhe përbytjet në zonën e Shkodrës janë çështje orësh.
Kjo ka ndodhur me situatën e fundit ku KESH kishte synimin për prodhimin e energjisë, duke mos kryer shkarkimet një muaj më parë. Dy njësitë më të prekura administrative janë Ana e Malit dhe Oboti. Mijëra familje prej tre javësh qëndrojnë të izoluar, ndërsa media vetëm ditët e fundit ka rendur për të paqyruar situatën problematike, në ndonjë kronikë të thatë, diku nga mesi i edicioneve qëndrore të lajmeve.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi kanë kërkuar prej disa ditësh që të shpallet gjendja e emergjencës, por hasën në hezitimin qeveritar. Për drejtuesit e lartë të politikës qëndrore, situata është “nën kontroll”, por shifrat reale janë të frikshme me mbi 5500 hektarë tokë nën ujë dhe mijëra shtëpi e banorë të cilët jetojnë me frikën se uji mund tu marrë edhe jetën. Dëmet në bujqësi dhe blegtori janë të shumta, ndërsa si ndihmë “konkrete”, u ka shkuar pako me makarona dhe vaj…