Nga Boldnews.al
“Nëse nuk u pëlqen, të mos më votojnë”. Në këtë mënyrë i është përgjigjur kryeministri Edi Rama një ndërtuesi të fuqishëm në Shqipëri, i cili i druhej reagimit të publikut, në rast se ai niste ndërtimin e një kulle pranë qendrës së Tiranës.
Kjo bisedë, në fakt konfidenciale, e zhvilluar mes dy burrave para dy vjetësh, tashmë është përhapur gjerësisht në radhët e biznesmenëve. Ajo është një dëshmi e raportit që kryeministri i vendit ka me interesat e qytetarëve. Ky duket se është edhe prologu i asaj që po ndodh aktualisht në kryeqytet.
Një numër i lartë kullash shumë-katëshe janë në proces zhvillimi. Ato po ndërtohen pas një serie lejesh të dhëna nga Këshilli i Rregullimit të Territorit, të kryesuar nga Edi Rama. Lejet janë konfirmuar edhe nga beniamini i tij në Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj.
Në të gjitha rastet, kullat që do të bllokojnë tërësisht hapësirën e qendrës së Tiranës janë në duar të pak personave, të njohur gjerësisht si “oligarkët” që kontrollojnë qeverinë “Rama”.
Zamir Mane, njeriu më i pasur në Shqipëri, duket se nuk e ka aspak problem të bindë kryeministrin Rama. Ai i ka marrë kryeministrit firmën për të ndërtuar një shumëkatëshe në ish-parkun e lojërave për fëmijë “7 xhuxhat”.
Për ironi të fatit, parku i lojërave është inaguruar me pompozitet në fillim të viteve 2000 nga vetë Edi Rama, në atë kohë kryebashkiak i Tiranës.
Thuajse dy dekada më pas, Rama, tashmë kryeministër, ka vendosur që këtë hapësirë të lakmuar ta shndërrojë në ndërtim gjigand. Leja për këtë ndërtim i është dhënë kompanisë “Doën Toën 1”.
Konfigurimi i aksionarëve të kompanisë ‘DownTown1’ rezulton si më poshtë:
- a)35% të aksioneve i zotëron kompania ‘BFI Invest’, filial i grupit ‘Balfin’, në pronësi të Samir Manes.
b)35% të aksioneve i zotëron ‘Kastrati’, në pronësi të Shefqet Kastratit.
c) 30% të aksioneve i zotëron kompania ‘Diagonal P&Z’ në pronësi të Nikolin Jakës.
Shefqet Kastrati, bosi i naftës, që është përfshirë vonë në biznesin e ndërtimeve, po sheh ditë të arta nën qeverisjen e Edi Ramës.
Ai ka krijuar lidhje të fuqishme me Partinë Socialiste, sidomos pas vitit 2013. Falë këtyre lidhjeve, ai siguroi, ndër të tjera, edhe mandatin e deputetit për krushkun e tij, Vexhi Muçmata, ish-kryeprokurorin e Tiranës.
Kastrati, krahas pjesës në ndërtimin te “7 xhuxhat”, po përfundon ndërtimin e një godine luksoze, pas Pallatit të Kulturës, në Tiranë, pronë e familjes Turdiu.
Gjithashtu, ai po ndërton një kompleks rezidencial në zonën e ish-fushës së Aviacionit.
Ndërkohë, me një hyrje të bujshme, Kastrati deklaroi blerjen e ish-hotel “Sheraton”. Brandi i njohur ndërkombëtar u largua nga Shqipëria, për shkak të problemeve të theksuara të legjislacionit tatimor.
Për të shuar zhurmën e dëmshme që shkaktoi largimi i “Sheraton-it” për qeverinë, u gjet shumë shpejt zgjidhja. “Kastrati Group” nuk lejoi që objekti shumë pranë Parkut të Liqenit të shndërrohej në një “kokëçarje” për kryeministrin Edi Rama.
Të dhënat në korridoret e biznesit flasin se, bashkë me Kastratin, në blerjen e ish-Sheraton është përfshirë edhe deputeti Tom Doshi. Investimi për blerjen e kësaj godine, në dukje me humbje për biznesmenët, duket se fsheh një tjetër histori kullash.
Pak ditë më parë, tv “Top Channel” aludoi se, për blerjen e “Sheratonit”, dy biznesmenët kanë marrë dakordësinë e kryeministrit për ndërtimin e dy kullave shumëkatëshe në të njëjtin territor.
Artan Dulaku, pronar i “Edil-al” dhe i televizionit “Vizion Plus”, i deklaruar si mik i kryeministrit Edi Rama, ka marrë pjesën e tij në listën e kullave. Ai ka nisur ndërtimin e “Syri i Tiranës”, një kullë gjigande në zonën ku bashkohet Rruga e Durrësit me Rrugën e Kavajës, në qendër të Tiranës.
Dikur një zonë shlodhëse për të rinjtë e kryeqytetit, ky territor ka qenë shumë i lakmuar nga ndërtuesit. Garën e fitoi miku i kryeministrit, Dulaku, i cili do të ndërtojë një kullë 26 kate të lartë. Dulaku, gjithashtu, është në përfundim të një kompleksi rezidencial në zonën e Don Boskos, “Fiori del Bosco”.
Media të ndryshme kanë mësuar se emri i Dulakut figuron si një prej investitorëve të mundshëm të kullave të pritshme, pranë Teatrit Kombëtar.
Për këto kulla, të cilat kanë shkaktuar reagimin e ashpër të trupës së aktorëve, Dulaku do të bashkëpunojë me dy ndërtues të tjerë, gjithashtu pranë qeverisë:
– Kastrati Group, i cili po korr suksesin e afërsisë me Edi Ramën, dhe;
– “Fusha” shpk, me pronar Shkëlqim Fusha.
Fusha, një lidhje e vjetër e të djathtëve, ka siguruar aksesin e plotë të zyra e Erion Veliajt. Kompania e tij realizoi ndërtimin e sheshit “Skënderbej”, si edhe aktualisht ka fituar të drejtën të jetë pjesë e projektit për inceneratorin e Tiranës.
Alban Efthimi, njohje e vjetër e kryeministrit Rama dhe një prej përfituesve më të mëdhenj prej tij që kur ka qenë në krye të Bashkisë së Tiranës, vijon të ketë një pjesë të konsiderueshme të “tortës” së kullave në Tiranë.
Kompania e tij “Atelier 4” ka pjesën më të madhe të kullës që po kryhet në ish-stadiumin “Qemal Stafa”. “Atielier 4” ndërtoi edhe parkun e fëmijëve në zonën e Liqenit Artificial, projekt I kundërshtuar nga shoqëria civile dhe opozita, për shkak se betonizon parkun e gjelbër.
Në ndihmë të investimit të Efthimiut, qeveria dhe bashkia angazhuan forcat e tyre të sigurisë, për të zmbrapsur revoltimin e qytetarëve.
Në ndërtimin e kullës së stadiumit “Qemal Stafa”, së bashku me Ethmiun, janë të përfshirë edhe dy kompani të tjera, gjithashtu shumë pranë kryeministrit Rama:
– “Sfera Studio”, në pronësi të Daniel Gjonit. Ky i fundit, së bashku Artan Shkrelin, kanë qenë pjesë e hartimit të vizionit urbanistik të Edi Ramës kryebashkiak, në fillim të viteve 2000.
– Albstar, në pronësi të Sadik dhe Idajet Ismilaj. Kjo kompani fierake ka krijuar një bashkëpunim të hershëm me krye-këshilltarin aktual të kryeministrit, Fate Velaj.
Ram Geci, tropojan dhe i djathtë i deklaruar për shumë vite, gjeti rrugën për të bashkëpunuar me eksponentët e lartë socialist, kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Pas disa transaksioneve, të realizuara ndër vite, sot Ram Geci rezulton pronar i vetëm i hotelit simbol të kryeqytetit, “Hotel Tirana” (15-katëshi).
Qeveria “Rama” pranoi kërkesën e tij për ndërtimin e një kulle gjigande, 30 kate, ngjitur me hotelin ekzistues 15-katësh. Me këtë leje, kompania “Geci” siguron ndërtimin e kullës më të lartë në Tiranë, por edhe në Shqipëri.
Këto kompani të drejtuara nga oligarkë dhe njerëz të pasuruar në mënyrë të dyshimtë sikundër kanë bërë me biznesin e tyre po bëjnë edhe me qeverisjen e vnedit. Kryeministri i cili i ka miq të vjetër dhe të rinj këta njerëz i mjafton të marë pjesën e vetë të tepsisë nga këto ndërtime.
Kryebashkiaku Veliaj Kanakari i kryeministrit i cili deklaroi zero ndërtime në fushatë, i mjafton që këta oligarkë i fshehin krimet si vrasja e Ardit Gjoklajt. Kullat mbijnë në Tiranë pastrojnë paratë e drogës dhe të krimit të organizuar, qyteti bëhet gjithmonë e më shumë i pabanueshëm, ndërsa qytetarët ulin shpinën para grabitjeve të Dulakëve dhe klientëve të Edi Ramës.