Në fazën që Sot, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka marrë vendimin e tij të parë si pjesë e procedurës për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe pikërisht ky vendim ka rezultuar në shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo në përputhje me nenin 61 të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
nuk kemi ende në dispozicion një vendim të zbardhur të Komisionit të Pavarur të Kulaifikimit siç e kërkon neni 57 i ligjit të sipërcituar i cili parashikon se:
“Vendimi i Komisionit
- Relatori i çështjes arsyeton me shkrim vendimin e Komisionit.
- Vendimi përmban hyrjen, pjesën përshkruese-arsyetuese dhe urdhëruese.
- Hyrja e vendimit përmban:
- a) emërtimin zyrtar të Komisionit;
- b) trupin gjykues që ka shqyrtuar çështjen dhe punonjësin administrativ;
- c) orën dhe vendin e vendimit të dhënë;
ç) emrin dhe identitetin e subjektit të rivlerësimit, si dhe përfaqësuesve të tij;
- d) mendimin e subjektit të rivlerësimit dhe/ose të përfaqësuesit të tij.
- Pjesa përshkruese-arsyetuese përmban:
- a) rrethanat e çështjes, siç janë vlerësuar gjatë procesit, dhe përfundimet e nxjerra nga trupi gjykues;
- b) provat dhe arsyet mbi të cilat mbështeten vendimet;
- c) raportin dhe rekomandimin e relatorit;
ç) dispozitat ligjore në të cilat mbështetet vendimi.
- Pjesa urdhëruese, ndërmjet të tjerash, përmban:
- a) alternativën që ka vendosur trupi gjykues;
- b) nëse trupi gjykues ka vendosur të caktojë një masë disiplinore;
- c) të drejtën e ankimit dhe afatin për paraqitjen e tij”.
i referohemi aludimeve në media se shkarkimi nga detyra i gjyqtarit Fatos Lulo ka ardhur si pasojë e pasurisë së tij çka nënkupton se jemi në një nga kushtet e parashikuara në pikat 1 ose 3 të nenit 61 të po këtij ligji ku parashikohet se:
“Shkarkimi nga detyra
Shkarkimi nga detyra i subjektit të rivlerësimit jepet si masë disiplinore në këto raste:
- Kur rezulton se ka deklaruar më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme gjatë vlerësimit të pasurisë, përfshirë edhe personat e lidhur me të.
…
- Kur rezulton se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë, sipas parashikimeve të neneve 39 dhe 33 të këtij ligji.
…”.
Ajo që është për t’u theksuar në këtë moment është se nuk kemi të bëjmë me një vendim të formës së prerë, pra është një vendim i ankimueshëm megjithëse me pasoja sa i përket ushtrimit të detyrës nga ana e gjyqtarit përkatës. Është pikërisht neni 62 i ligjit i cili parashikon se:
“Neni 62
Te drejtat e subjektit të rivlerësimit pas dhënies së vendimit të Komisionit
- Subjekti i rivlerësimit, i cili ka ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimit të Komisionit për masën disiplinore për shkarkimin nga detyra, pezullohet ex lege nga detyra e tij në pritje të vendimit të Kolegjit të Apelimeve. Gjatë periudhës së pezullimit atij i njihet e drejta e pagës në masën 75 për qind të saj, në përputhje me nenin F, pika 5, të Aneksit të Kushtetutës.
- Në këtë rast, subjekti i rivlerësimit nuk ka të drejtë të shqyrtojë dhe të gjykojë çështje. Ai është i detyruar të ofrojë një adresë elektronike alternative për vazhdimin e komunikimit me institucionet e rivlerësimit, gjatë gjithë procesit.
…”.
Më tej, është Kolegji i Posaçëm i Apelimit që funksionon pranë Gjykatës Kushtetuese, organi që jep vendimin e formës së prerë pas ankimit qëme shumë gjasë do të bëjë gjyqtari Fatos Lulo. Ky kolegj, në bazë të nenit 66 të ligjit, pas shqyrtimit të çështjes vendos:
- a) lënien në fuqi të vendimit të Komisionit;
- b) ndryshimin e vendimit të Komisionit;
- c) prishjen e vendimit të Komisionit.
Vendimi i këtij kolegji, në rastet që vendos shkarkimin nga detyra, ka efekt të menjëhershëm ex lege.
Deri këtu nuk duket të ketë asgjë shqetësuese, të paktën proceduralisht, por ajo çka rezultoi jo dhe aq e papritur për frymën nën të cilën po ushtrohen kompetencat nga organet e vettingut, është flamuri i ngritur nga Kryeministri Rama nëpërmjet një statusi në Facebook menjëherë pas vendimmarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Jo pa vetëkënaqësi të tepruar ai shprehet se “Të gjithë shqiptarët që e mbështetën fort Vetingun, sot duhet të ndjehen mirë sepse nisja është e mbarë. Pas 17 gjykatësve e prokurorëve që i ikën Vetingut pa filluar, procesi nisi e i pari që u mor në pyetje s’e justifikoi dot pasurinë dhe ra! Jam i bindur s’kemi parë gjë akoma”.
Ky reagim është më se i tepruar nga kreu i qeverisë i cili që me marrjen e detyrës në vitin 2013 është sjellë si një gjyqtar suprem i një pushteti që të paktën sipas Kushtetutës konsiderohet i pavarur nga pushteti që ai drejton. Lidershipi i tij në këtë reformë ndoshta kishte sens për aq kohë sa ishte ende në fazën e hartimit dhe të miratimit të legjislacionit përkatës, por tani që kërkon të ruajë të njëjtin status edhe në vendimmarjet e këtyre organeve kushtetuese tregon se në rastin më të mirë kërkon të ushtrojë presion në vijim pranë organit të Kolgjit të Posaçëm të Apelimit ose në rastin më të keq euforia e tepruar tregon se ushtarët e tij të zgjedhur në këto organe po nënshkruajnë dhe vulosin vullnetin e tij prej linçuesi gjyqtarësh dhe prokurorësh.
Gjithsesi reagimi i nxituar i Kryeministrit Rama, për nga momenti, duket që nuk është thjesht euforik, por edhe deri diku pragmatist. Me pezullimin ex lege të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, Gjykata Kushtetuese, tashmë me 5 anëtarë, nuk ka më kuorum për t’u mbledhur për vendimmarje dhe kjo korrespondon pikërisht me çështjet e shumëdebatueshme kushtetuese të marrëveshjes së detit me Greqinë si dhe me shtetëzimin e pronave në bregdet së fundmi si pjesë e fondit të investimeve strategjike. Ky pragmatizëm jo i rastësishëm shkon në të njëjtën linjë edhe me qëndrimin e Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili për vakancat në Gjykatën Kushtetuese mban qëndrim të kundërt me atë të zgjedhjes së Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme që u emëruar pa kaluar procesin e vetingut.
Në fund të kësaj analize që tregon se procesi i vetingut po politizohet dhe keqpërdoret nga qeveria që në gjenezë të impementimit të tij, Boldneës i bën thirrje ambasadroëve Lu dhe Vlahutin, si lobues dhe garantues të Reformës në Drejtësi, që të mbajnë nën frerë kryeministrin Rama.