Artan alias Marjus Tafani, bashkëpunëtori i prokurorisë e përkufizon Laert Haxhiun si një person të pamëshirshëm dhe të gatshëm për të vrarë këdo që mendon se e ka kundërshtar, i sjell probleme apo qoftë dhe nëse Haxhiut, i ka lindur dyshime mbi besueshmërinë e personit.
Një gjë e tillë ka ndodhur me kushëririn e tij, Fridman Xhaferaj të vrarë dhe hedhur në rezervuar, vetëm se pse Fridmani kishte thyer besimin e të afërmit të tij, Laert Haxhiu.
Një fakt të tillë e kishte nuhatur dhe Artan Tafani, i cili i ka treguar prokurorit Kreshnik Ajazi, se kishte kuptuar që besimi i Laert Haxhiu ishte lëkundur karshi tij, dhe ai ka dyshuar se vetë grupi ku bënte pjesë dhe kryente krime, po e ndiqte për ta vrarë.
Burgu psikik i krijuar në mendjen e Marjus Tafanit dhe frika e eliminimit të tij me të njëjtat forma siç Laert Haxhiu, kishte vrarë shokët e tjerë, ka qenë një nga arsyet e forta, që menjëherë pas arrestimit nga policia, Tafani të pranojë të flasë për krimet e kryera.
Sipas bashkëpunëtorit të prokurorisë Laert Haxhiu, kishte futur në listë për të vrarë të gjithë personat që ishin pjesë e bandës së Aldo Bares dhe këdo që shoqërohej me familjarë të personave që ai kishte vrarë më parë dhe interesohej në polici për gjendjen e hetimeve.
Në këtë listë ishte Kujtim Vata, shok i ngushtë i Besnik Hidës, i mbetur i vrarë nga Laert Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Ardian Ahmeti në 1 Tetor 2019 në verandën e një lokali në Lushnjë.
Për vrasjen e Hidës, prokuroria e Fierit ka arrestuar në burgun e Drenovës, Orgest Bilbilin dhe ka shpallur në kërkim dy miqtë e tij, Laert Haxhiun dhe Ardian Ahmetin.
Para se të vritej Besnik Hida, daja i Zamir Latifit, i vrarë edhe ky në 2017 nga Laert Haxhiu, i kishte shkuar mesazhi përmes disa njerëzve të njohur në Lushnjë se:
“…është shprehur Laerti, për mua se nuk do e ha Vitin e Ri.., më kanë dërguar haber, Laerti bashkë me Orgestin dhe Kaloshin…janë betuar se do më vrasin…”.
Dhe në fakt pa mbërritur data e Vitit të Ri, Besnik Hida është vrarë vetëm për shkak se ishte daja i Zamir Latifit dhe interesohej në polici dhe prokurori për fatin e hetimeve dhe kapjen e Laert Haxhiut.
Për të njëjtin shkak, në 20 prill 2022 në qytetin e Lushnjës Laert Haxhiu, së bashku me Artan Tafanin, Lulzim Arapin dhe Dorian Shurdhin, organizohen dhe qëllojnë me armë për të vrarë, Kujtim Meta.
Meta ishte shok i ngushtë i Besnik Hidës dhe punonte si shofer kamioni në Lushnjë, pa pasur asnjë precedent penal apo lidhje me krimin. Por vetëm fakti se ai shoqërohej dhe frekuentonte anëtarët e familjes Hida, mjaftoi për tu vënë në rreth të kuq nga Laert Haxhiu.
Kujtim Meta, teksa qëndronte në një lokal duke pirë kafe në zonën “Stacioni i Trenit” është qëlluar plot 8 herë nga Dorian Shurdhi, por pa mundur ta vrasi. Meta, është plagosur rëndë, dhe fatmirësisht shpëtoi. Pas ngjarjes policia dhe prokuroria e Lushnjës identifikuan Shurdhin, duke e shpallur në kërkim.
Sipas dëshmitarit të prokurorisë, Laert Haxhiu në muajin Maj 2023 vuri në shënjestër për të vrarë dhe Genci Hida. Ky person është vëllai i Besnik Hidës të vrarë me 16 plumba kallashnikovi në 2019. Artan Tafani ka treguar se për vrasjen e Genci Hida, është impenjuar Laert Haxhiu, ai vetë dhe Kristi Bixheku.
Sipas bashkëpunëtorit të prokurorisë gjithçka ishte bërë gati dhe vrasjen do e kryente Tafani së bashku me Kristi Bixhekun. Por arrestimi i Laert Haxhiut në muajin Maj 2023 në Janinë të Greqisë, solli shtyrjen e planit, duke mos realizuar sulmin me armë.
Bujar Turku, ishte një tjetër objektiv për tu vrarë nga Laert Haxhiu dhe banda e tij. Shkak sepse në vitin 2017 Bujar Turku ka qenë rastësisht prezent në lokalin ku Laert Haxhiu, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili, shkaktuan masakrën me dy të vrarë Jurgen Hoxhën dhe Zamir Latifin.
Në këtë masakër i plagosur mbeti dhe Bujar alias Arben Turku, i cili më vonë u kthye në dëshmitarin kryesor të policisë dhe prokurorisë në procesin penal kundër tre autorëve të masakrës. Por Turku si pasojë e kërcënime iku së bashku me familjen në Angli.
Për të kërcënuar dëshmitarin Bujar Turku, në datën 1 nëntor 2022 si dhe në natën e Vitit të Ri, 31 dhjetor 2022, Laert Haxhiu së bashku me Artan Tafanin, Lulzim Spahinë dhe Erisiano Abedinin, kanë vendosur tritol në banesën e Bujar Turkut, duke sjellë dëme të konsiderueshme materiale. Në kohën kur është vendosur tritoli, në banesë qëndronte familja e Altin Lamçes, kunat i Bujar Turkut.
Një tjetër emër që ishte futur tek lista e Laert Haxhiut për tu vrarë është dhe Rexhep Gina. Gina, ka qenë anëtar i bandës së Lushnjës dhe rezulton i dënuar me 10 vite burgim nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë. për tentativën e vrasjes së Arben Kicja në vitin 2005 në Lushnjë.
Prezenca e Ginës në qytetin e Lushnjës ka tërhequr vëmendjen e Laert Haxhiut për të bërë përgatitjen e vrasjes, por në rrethana të paqarta nuk u realizua.
Në këtë krim të planifikuar në 6 korrik 2022, sipas dëshmitarit të prokurorisë ishin impenjuar Laert Haxhiu, Artan Tafani, Lorenc Lala, Ederin Çaushi dhe Fatjon Veliu nga Berati.
/Ora News