Në Korrik të vitit 2018, qeveria shqiptare miratoi një vendim, i cili kaloi 46 mijë metër katrorë tokë së bashku më objektet ekzistuese nga Ministria e Brendshme tek Ministria e Financave dhe Bashkia e Tiranës. Bëhet fjalë për truallin në hyrje të liqenit tek ish Komanda e Gardës së Republikës.
Sipas vendimit, ministrisë së financave i kaloi 21.2 mijë metër katrorë së bashku me 2800 metër ndërtesë, ndërsa Bashkisë së Tiranës i kaloi 25 mijë metër katrorë tokë së bashku me 2 mijë metër ndërtesë.
Në atë kohë ministër i Brendshëm ishte Fatimir Xhafa. Zoti Xhafa u dorëhoq në tetor të vitit 2018 duke u zëvendësuar nga Sandër Lleshi.
Të dy ministrat nuk e firmosën vendimin për transferimin e pronës. Në shtator të vitit 2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një raport auditimi mbi Gardën e Republikës, ku mes të tjerash konstantonte:
“Rezulton se VKM për transferimin e pronës nuk ka gjetur zbatim dhe nuk janë kryer, pasi nuk është nxjerrë urdhri i Ministrit të Brendshëm për të procedura sipas VKM-së,” thuhej në raportin e KLSH.
Nuk dihet nëse dy ish ministrat e brendshëm socialist, njëri pas tjetrit e po e mbanin pezull firmosjen e transferimit të pronës. A ishte kjo një çështje burokratike apo Fatmir Xhafa në fillim dhe Sandër Lleshaj më vonë, nuk donin ta lëshonin pronën në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës? Megjithatë pas ndryshimeve të shumta në ministrinë e brendshme, dikush e firmosi urdhrin.
Në verën e vitit 2022, qeveria nxorri një tjetër vendim. Sipërfaqen 21.2 mijë metër katrorë që i ishte dhënë ministrisë së Financave ia kaloi Ministrisë së Kulturës për ndërtimin e Teatrit të Kukullave. Ndërsa pjesa që iu kalua Bashkisë së Tiranës pati një fat ndryshe.
Në skenë hyjnë lojtarë privatë
Në 23 dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli Bashkiak i Tiranës kaloi pa zhurmë një vendim për ngritjen e një qendrë të trashëgimisë kultore të quajtur Garda. Qendra e re do të zotërohej në partneritet nga Bashkia e Tiranës dhe një OJF e quajtur Qendra Shqiptare e Trashëgimisë AHC.
Sipas marrëveshjes, AHC do të financonte 2 milionë dollarë për ngritjen e Qendrës Garda duke rijetëzuar godinën e ish Komandës së Gardës për ta kthyer atë në një qendër ku ekspozohet trashëgimia kulturore e vendit. Në këmbim Bashkia e Tiranës dha ish komandën e Gardës dhe një truall me sipërfaqe 5 mijë metër katrorë.
Një OJF shqiptare me 2 milionë dollarë buxhet nuk është një gjë krejt e zakonshme. Por përtej kësaj, mbeten shumë pikëpyetje të tjera.
Dy ditë më parë, këshilltarët e opozitës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak kërkuan informacion zyrtar për projektin, mënyrën e përzgjedhjes së AHC si partner në Qendrën Garda, kush janë anëtarët e bordit drejtues të kësaj qendre dhe dokumentacionin për transferimin e fondit 2 milionë dollarë nga AHC tek qendra Garda.
Hija e një socialisti
Qendra Shqiptare për Trashëgiminë AHC është një OJF me NIPT L01719451M. Sipas regjistrit të OJF-ve ajo rezulton të jetë themeluar nga Artan Lame, ish drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Në nënshkrimin e marrëveshjes me Bashkinë e Tiranës për krijimin e Qendrës Garda, AHC është përfaqësuar përmes drejtoreshës së saj ekzekutive, Ejona Giu.
Sipas vendimi të këshillit bashkiak, edhe pse projekti parashikon krijimin e një qëndre trashëgime jofitimprurëse, rezulton se brenda saj do të ketë aktivitet ekonomik dhe nënkontraktime tek privatët e tretë.
Në objektin e veprimtarisë së Qendrës Garda parashikohet:
1-Dhënia me qira e hapësirave për shërbime për publikun të përcaktuara në Planin e Biznesit, sipas procedurave të përzgjedhjes të Qendrës;
2- Bashkëpunimi me subjektet private dhe publike, autoritetet rajonale dhe vendore, komunitetet e rrethit artistik dhe shkencor, bizneset, shoqërinë civile dhe individët, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, organizata vendase e të huaja për përmbushjen e qëllimit të Qendrës.
Me pak fjalë, nën petkun e trashëgimisë kulturore, në truallin e ish Gardës në hyrje të liqenit do të ketë aktivitet të mirëfilltë tregtar dhe fitimprurës nga disa subjekte private, të cilat do të përzgjidhen nga qendra e re Garda. Kjo e fundit qeveriset si OJF përmes një bordi me 5 veta, 3 nga të cilët janë të AHC-së dhe 2 të Bashkisë së Tiranës.
Emrat e këtyre nuk janë publikë. Por ajo që dihet është se tek ish komanda e Gardës tashmë do të ketë aktivitet ekonomik nga disa biznese që do të përzgjidhen sipas vullnetit të qendrës.