Amant Josifi, i shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle për një skemë mashtrimi miliona euro ndaj qytetarëve europianë përmes Call Center-ave, është arrestuar në Dubai.
Më 8 dhe 9 nëntor 2022, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, SPAK bastisi 6 qendra thirrjesh telefonike në Shqipëri të lidhura me “Milton Group” dhe arrestoi 4 të dyshuar. Ndërkohë, nga hetimet rezultoi se këto qendra janë në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifi, një ish-këshilltar politik i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka si dhe ish-ortak në biznes me vëllanë e kryeministrit të vendit, Olsi Rama.
Operacioni i iniciuar nga autoritetet spanjolle zbuloi se Amant Josifi ishte një prej lojtarëve kyç i një organizatë të mirëfilltë kriminale, që kishte mashtruar mijëra qytetarë europianë, për një vlerë prej të paktën 2.4 miliardë euro.
Gjatë aksionit të kryer në Shqipëri, policia dështoi të arrestonte Amant Josifin, duke ngritur dyshimet e forta se aksioni ishte dekonspiruar. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama, se ka bërë gjithçka që Josifi t’i shpëtonte prangosjes. Amant Josifi dhe Olsi Rama kanë qenë ortak të hershëm, që prej vitit 2014, në një kompani që ofron shërbime telekomunikacioni. Kreu i PD-së Berisha ka denoncuar se Olsi Rama ishte pronar de facto në call centerat mashtrues të tipit “Forex” në Shqipëri.
Denoncimin Berisha e ripërsëriti dhe sot gjatë seancës parlamentare. Nga foltorja e Kuvendit, ai tha se Josifi është arrestuar prej 1 jave, ndërsa ky informacion është mbajtur i fshehtë me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
“Prej një jave, kupola e krimit të organizatës kriminale të qeverisë shqiptare, i fshehin publikut një operacion spektakolar të autoriteteve ligjvënëse spanjolle, të cilat idenifikuan dhe arrestuan në Dubai, mikun e ngushtë gjer në ortakëri të Olsi Ramës, Amant Josifi. Amant Josifi është një hajdut i paimagjinueshëm, i cili përmes call-center ka plaçkitur pensionistë europianë në shumën totale rreth 2.2 miliardë euro.Si ndodhi kjo? Amant Josifi ishte këshilltari i Olta Xhaçkës dhe djali i nëpunëses së parë civile të shtetit, Strakosh. Por Amant Josifi kishte lidhje shumë më të fuqishme sesa Oltën dhe Strakoshën, kishte vetë Olsi Ramën. Nëse call-centerat e tjera sulmoheshin ditë e natë nga tatimorët, nga policitë e ndryshme, kishte një call-center e cila zmadhohej çdo javë. Punonjësve të call-centerave u thuhej të vinin të punonin te ne, se kemi mbrojtje politike, se mbrojtja jonë është Olsi Rama, Edi Rama faktikisht. Në këtë rast del që mbahet një javë fshehtas në Dubai nga Taulant Balla dhe Edi Rama”, deklaroi Berisha.
Disa orë pas raportimeve mediatike, lajmin e arrestimit të Josifit e konfirmoi zyrtarisht dhe policia.
“Në vijim të punës hetimore, gjurmuese dhe kërkimore, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të hetimit të përbashkët ndërmjet autoriteteve policore shqiptare dhe atyre spanjolle, u kap në Dubai, për llogari të autoriteteve spanjolle, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar A.J. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e La Seu de Urgell, Spanjë, me vendimin nr. 2, të datës 03.11.2022, i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale “Mashtrime me rrethana rënduese”,’“Krim kibernetik’, ‘Skema piramidale’ dhe ‘Organizata kriminale’, të parashikuara nga Kodi Penal spanjoll”, njoftoi policia.
Lexo edhe:
Ekskluzive/ Mashtrimi 2.4 mld euro, si funksiononte organizata e Amant Josifit