Nga Boldnews.al
Prej më shumë se dy javësh, e gjithë paria e Partisë Socialiste ka ndërmarrë aksionin për “denigrimin” e kundërshtarit të saj, Partisë Demokratike, me atë që quhet “lobimi rus”.
Situata është shumë e qartë- pa asnjë fakt, provë apo të dhënë të besueshme, mekanizmat qeveritarë duan të lidhin partinë alternative qeverisëse, PD, me lobingje ruse.
Sipas mediave pro-qeveritare, Partia Demokratike ka paguar lobistin amerikan Nick Muzin për të realizuar disa takime të lidershipit të PD me zyrtarë të lartë amerikanë, para zgjedhjeve 2017. Dhe, këto para janë paguar nga një kompani off-shore, me seli në Skoci, “Biniatta Trade LP”, e cila është nën kontrollin e kompanive ruse.
Në këtë mënyrë, synohet që, të paktën mediatikisht, të krijojnë idenë se Partia Demokratike është përfshirë në një lojë vrasëse, “ruletë ruse”. Por, gjithçka nuk është as më shumë e as më pak se një “sallatë ruse”, e ideuar, organizuar dhe zbatuar nga qeveria shqiptare, me mbështetjen e pakursyer të fondacionit Soros.
Fakti 1- Kush e publikoi
Kontratat e lobimit, të deklaruara sipas ligjit nga Partia Demokratike, janë publikuar nga dy media, të njohura botërisht të lidhur me fondacionin “Soros”.
- Së pari, u publikuan nga BIRN-Albania, në nëntor 2017. Kjo agjenci është e njohur për fondet që merr nga fondacioni Soros;
- Së dyti, u publikuan nga revista amerikane “Mother Jones”, në shkurt 2018. Kjo revistë, e ekstremit të majtë, e financiar nga George Soros.
Fakti 2- Koha e publikimit
Është interesant fakti se “investigimet” e mediave të mbështetura nga Soros kanë publikuar çështjen e kontratave të lobimit, pikërisht në momentet kur Partia Socialiste Shqiptare dhe vetë Edi Rama kanë qenë në pozita shumë të vështira, për shkak të keq-qeverisjes së tyre.
-BIRN-Albania e publikoi “investigimin” e tij në 22 nëntor 2017. Në atë kohë, Edi Rama, prishi paktin e xhentëlmenëve me Lulëzim Bashën, nënshkruar në Maj 2017, duke marrë me forcë Prokurorin e Përgjithshëm në një moment kritik kur prokuroria po kërkonte me forcë arrestimin e bashkpunëtorit të tij të ngushtë Saimir Tahiri.
Ai e dinte që kjo sjellje do të acaronte situatën politike. Për t’i paraprirë, ndikoi në publikimin e kontratave të lobimit të PD, nëpërmjet BIRN-Albania, e cila është nën kontrollin e tij, nëpërmjet Soros.
-Mother Jones e publikoi “investigimin” e saj në Shkurt 2018, në një kohë kur në Shqipëri u zbulua rreth 613 kg kokainë, sasia më e madhe e kapur në vendin tonë. Policia nxitoi të arrestonte një roje objekti dhe një shofer kamioni me qëllim që të mos prekeshin padronët e vërtet të kokainës. Situata që pasoi ishte dërrmuese për Edi Ramën dhe qeverinë e tij.
Për ekspertët e luftës kundër kriminalitetit, një ngarkesë e tillë, e ardhur nga Kolumbia, mund të mbërrinte vetëm me sigurim nga strukturat shtetërore. Qeveria “Rama” është e shënjuar me njollë të zezë për raportet me drogën.
Në këtë situatë, qeverisë i duhej një çështje për të larguar vëmendjen dhe angazhon “Mother Jones” për t’iu rikthyer historisë së lobimit të PD-së në SHBA. Për ta bërë më interesant artikullin, “Mother Jones” përfshin edhe një sallatë pikante ruse, e cila mund të konsumohej lehtësisht në tregun publik shqiptar.
Fakti 3- Nuk ka asnjë fakt
Mediat që publikuan investigimet e tyre për kontratat e “dyshimta” të lobimit të PD, nuk kanë asnjë fakt që të lidhin Lulëzim Bashën apo opozitën me “Biniatta Trade LP” dhe aq më tepër me kompani ruse.
E vërteta, e dokumentuar plotësisht, është që Partia Demokratike ka nënshkruar kontratë lobimi me Nick Muzin dhe kompaninë e tij “Stonington Strategies” për një shumë në total prej 125 mijë dollarë.
BIRN-Albania, në “investigimin e tij, i referohet dokumentave që kompania e Nick Muzin ka dorëzuar në zyrën e FARA-s, në Departamentin e Drejtësisë.
Nick Muzin e ka deklaruar pranë FARA-s kontratën me Partinë Demokratike në mars 2017. Shuma e kontraktuar është 125 mijë dollarë.
Më pas, BIRN publikon një dokument shtesë të Nick Muzin, në nëntor 2017, ku deklaron se ka marrë edhe 650 mijë dollarë nga Partia Demokratike. Sipas dokumentave të FARA-s, kjo shumë është paguar nga “Biniatta Trade LP”. Kjo shumë, nuk rezulton e deklaruar nga Partia Demokratike dhe ky është “zbulimi” i BIRN.
Por, në fakt, asnjë investigim nuk e provon me dokumenta lidhjen e PD-së me “Biniatta Trade”. As mediat e financuara nga Soros nuk kanë arritur të zbulojnë një kontratë të tillë, pasi ajo nuk ekziston.
E pyetur nga BIRN për kontratat e mësipërme, Partia Demokratike mohoi si pagesat në vlerën e 525 mijë USD për “Stonington Strategies” ashtu edhe çdo marrëdhënie financiare me kompaninë guackë “Biniatta Trade LP”.
BIRN nuk arriti të provojë asgjë në këtë drejtim, por u rrek që me këtë investigim të shpërndante tymnaja në tregun publik shqiptar.
Strategjia e tymnajës vijoi tre muaj më pas, me “Mother Jones”. Në të njëjtën linjë me BIRN, ajo shkruan për kontrata lobimi të PD të padeklaruara, duke i shtuar edhe përfshirjen e kompanive ruse.
Në kontratën ndërmjet “Stoningtone Strategies” dhe “Biniatta Trade LP” nuk rezulton në asnjë vend Partia Demokratike.
Kjo kontratë synon:
– promovimin e rolit të komunitetit të biznesit shqiptaro-amerikan në ekonominë e SHBA
– kërkime për raste të suksesshme biznesi shqiptar në Europë dhe krijimin e modeleve për kompanitë shqiptaro-amerikane
– promovimin e historisë së Shqipërisë në shtete të ndryshme të Amerikës
– Evidentimin e diasporës shqiptare dhe komunitetit shqiptaro-amerikan të biznesit
Pra, në asnjë vend nuk përmendet Partia Demokratike dhe, për më tepër, asnjë prej elementëve të kontratës nuk përfshihet në interesat strategjikë të PD-së. (Lexo kontratën e plotë)
Me një kapërcim “taulant-ballare”, revista “Mother Jones arrin në përfundimin se PD është lidhur me lobingje ruse. Por, edhe vetë revista është munduar që të mos arrijë në përfundime tërësisht të sakta, pasi nuk kishte asnjë mundësi provueshmërie.
Në asnjë dokument dhe në asnjë zyrë ligjore nuk mundën të gjenin një dokument që e lidhte PD me “Biniatta Trade”.
“Mother Jones” ka kontaktuar zëdhënësin e Muzin, i cili deklaron se “Muzin besonte se Biniatta Trade ishte një kompani private në pronësi të mbështetësve të Partisë Demokratike të Shqipërisë”.
Pra, edhe nëse konsiderohet i saktë ky citim, rezulton që as Nik Muzin nuk ka gjetur ndonjë lidhje të PD me “Biniatta…”, por vetëm “besonte se ….” ato kishin lidhje.
Në vijim, zëdhënësi i Muzin thotë për “Mother Jones” se, “….gjatë punës së tij për PD-në nuk doli ndonjë lidhje ruse e asnjë lloji…”.
Pra, e gjithë historia rezulton një “sallatë ruse”. BIRN flet për kontrata të padeklaruara, por nuk ka asnjë provë për ekzistencën e kontratës ndërmjet PD dhe “Biniatta Trade”.
Nga ana tjetër, “Mother Jones” flet për lidhje të PD me lobingje ruse, por nuk sjell asnjë provë në këtë drejtim.
“Fjalë, vetëm fjalë, zotërinj”!