Skandali i vjedhjes së të dhënave të sistemit TIMS, për të cilin i shprehu shqetësimin ministrit të Brendshëm Taaulant Balla, edhe i ngarkuari me punë i SHBA-ve, H. Martin McDowell, tashmë do të jetë një çështje e drejtësisë.
Kjo pasi, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës rrjedhjen e të dhënave nga sistemit TIMS i policisë së shtetit.
Fillimisht, vjedhja e të dhënave të sistemit TIMS në Policinë e Shtetit u raportua nga gazetari Ferdinand Dervishi, ku këtë herë nuk ishin iranianët që kishin ndërhyrë në sistem, por vetë zyrtarë e Policisë. Vjedhja u denoncua nga një tjetër drejtues policie, i cili dërgoi një e mail për mediat.
Më pas, vjedhjen e të dhënave të sistemit të TIMS në Policinë e Shtetit ishte kryer nga drejtori i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit, Ervin Muça, qëmë pas u pezullua nga puna. Ai eksportoi të gjithë bazën e të dhënave të TIMS në një harddisk të jashtëm.
Sipas PD-së, Ervin Muça, për të kryer këtë akt ka përdorur punonjës të dy kompanive private të IT Soft & Solution të Ermal Beqirit, dhe kompaninë “Horizon”, të cilët kishin shkuar gjatë orarit të mbasdites pranë laboratorit të DTI-së, në rrugën “Mine Peza” dhe kishin kryer eksportin e të dhënave.
PD denoncoi se databaza e të dhënave te sistemit TIMS ështe eksportuar në Qipro dhe se gjatë eksportit kanë qenë të pranishëm nga DTI e Policisë, Albana Vrapi nga Sektori i databazës, Enkli Hoxha nga Sektori i serverave, Egis Hidri nga Sektori i Serverave, Xhulja Çollaku nga Sektori i Serverave, Elvis Hysi nga Sektori i Serverave.
Sakaq, SHBA-të përmes përfaqësuesve të tyre bënë apel për një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe vendosën theksin te mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri, duke ofruar mbështetje amerikane në hetim.
“I Ngarkuari me Punë i Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDowell u takua sot me Ministrin e Brendshëm Taulant Balla. Ata diskutuan bashkëpunimin SHBA-Shqipëri në fushën e zbatimit të ligjit dhe mbështetjen për një sërë çështjesh të lidhura me sigurinë. I ngarkuari me Punë McDoëell vuri në dukje shqetësimet e SHBA në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit. Ai nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri. McDoëell i tha gjithashtu Ministrit Balla se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre”, thuhej në postimin e ambasadës amerikane në rrjetet sociale.