Katër persona, tre pjesëtarë të një familje dhe një i afërm i tyre dyshohet se janë mbytur në liqenin në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës në fshatin Drizë të Gramshit.
Burime zyrtare nga policia konfirmuan se rreth orës 19:00, salla Operative e Komisariatit të Policisë Gramsh ka marrë një telefonatë se 4 persona dyshohet se janë mbytur në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë, grupi hetimor dhe zjarrfikësit.
Nga verifikimet e grupit hetimor, ka rezultuar se Arben Zogu, 46 vjeç dhe dy djemtë e tij – Ruben Zogu 19 vjeç, e E. Zogu 14 vjeç si dhe kushëriri i tyre Melsi Zogu 20 vjeç, sipas deklarimeve të familjarëve, janë futur në liqen për tu larë dhe nuk kanë dalë më, njoftoi policia.
Gjithashtu, në drejtim të liqenit janë nisur polumbarët e Reneas për të bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e katër shtetasve nga liqeni.
Grupi hetimor ka gjetur në buzë të liqenit dy motoçikleta, tre celularë dhe teshat e trupit.
Në drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, shtuan të njëjtat burime.