Të tjera detaje zbardhen në lidhje me ngjarjen e dhunshme dje në Borizanë të Krujës ku anëtarë të fisit Rraja rrahën barbarisht dy persona.
Duket se gjithçka ka nisur pas një proteste të bërë nga banorët e fshatit Borizanë, mes tyre dhe dy të dhunuarit, për një gurore që ishte në përdorim nga Xhelal Rraja, vëllai i deputetit të PS-së, Rrahman Rraja.
Gazetari Igli Çelmeta i ‘News24’, tha se në konflikt ishin përfshirë 8 persona nga fisi Rraja, ndërsa shtoi se 3 prej tyre janë në kërkim, mes tyre 2 vëllezërit e deputetit të PS-së, Xhelal dhe Flamur Rraja, të cilët rezultojnë ende në Shqipëri, sipas sistemit TIM-s.
“Ishte një protestë e banorëve të fshatit Borizan për një gurore. Jashar dhe Bilbil Maja deklaruan se shpërthimet po iu shembin banesat. Në një lokal në Fushë-Krujë u mësynë dhe dhunuan dy personat, me të cilët arritën të dilnin sot nga spitali i Traumës, por me plagë të rënda në kokë e trup. Policia e Shtetit nuk ka reaguar për shumë orë. Nga ora 11 deri në 19:00 nuk kishte asnjë reagim zyrtar apo dhe lëvizje për të arrestuar agresorët. Asnjë nga personat nuk është larguar nga territori shqiptar. Këto persona janë shpallur në kërkim dhe policia po kryen kontrolle.”, tha Çelmeta.
Xhelal Raja e Flamur Rraja, vëllezërit e deputetit të PS-së, Rahman Rraja, si dhe djali i këtij të fundit, Rexhep Rraja, kanë ushtruar dhunë barbare ndaj dy personave, sic shihet në video. Veç kësaj, me bluzë të bardhë në foto shfaqet Flamur Rraja, vëllai i deputetit të PS-së, që i drejton pistoletën në kokë një prej të dhunuarve.
Policia e Shtetit u kujdes maksimalisht të thotë që Rrajat kanë leje për guroren, por deri më tani nuk kanë kryer asnjë arrestim për dhunën barbare ndonëse të gjithë dhunuesit janë lehtësisht të identifikueshëm.
Kjo nuk është hera e parë që Rrajat përfshihen në konflikte të tilla dhe ngjarje kriminale në atë zonë. Kujtoni historinë me Xhisiela Malokun dhe më pas me Rramazan Rrajën e arrestuar për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji.
- Ngjarja e rëndë
Policia ka reaguar në lidhje me dhunën brutale të regjistruar ditën e djeshme në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, ku grupi i fisit Rraja, i përfshirë dhe Xhelal Rraja, vëllai i deputetit socialist Rrahman Rraja rrahën brutalisht Bilbil dhe Jashar Majën.
Policia bën me dije se ka ndaluar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë.
Blutë kanë ndaluar shteasit Ineid Rraja, 23 vjeç, Eni Kullaj, 27 vjeç, Kujtim Përdaku, 57 vjeç, Andi Rraja, 28 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Në kërkim është shpallur shtetasi Xhelal Rraja, 65 vjeç (vëllai i deputetit socialist Rrahman Rraja), F. Rr., 55 vjeç, dhe K. Rr., 31 vjeç. Vlen të theksohet fakti se ditën e djeshme, Policia bëri me dije se e kishte shoqëruar në komisariat Xhelal Rrajën, por siç duket e ka lënë sërish të lirë dhe sot e shpall në kërkim
Nga pamjet e publikuara nga mediat, shiheshin rreth 10 persona të cilët me shkopin bejsbolli, grushte dhe shqelma sulmojnë Bilbil dhe Jashar Majën që ishin të ulur në lokal për të pirë kafe. Ata shihen teksa i shajnë dhe i godasin pa pushim me shkopinj në trup e kokë dy “shënjestrat”.
Njëri prej të dhunuarve, i cili ndodhet aktualisht në gjendje të rëndë në spital, shihet i gjakosur në kokë teksa përpiqet të largohet. Por sërish autorët e sulmit i vihen pas, deri sa aie bie në tokë dhe ata ende vazhdojnë e godasin akoma. Në sfond dëgjohen zëra që thonë “vrite, vrite” dhe vijojnë gjuajtjet me shkopinj e shqelma. Siç mund ta dalloni dhe në fotot e mëposhtme, një prej tyre shihet dhe me armëzjarri tip pistoletë në dorë.
Sherri ka ndodhur për një gurore, në pronësi të Rrajave. Bilbil dhe Jashar Maja janë ankuar dhe kanë denoncuar në polici për tronditjet që u japin shpërthimet dhe dëme në banesa. Kjo ka sjellë dhe “hakmarrjen” e Rrajave, duke i rrahur brutalisht.















