Profesori i gjuhësisë Shezai Rrokaj e mbështet heqjen e mesatares për degët prioritare dhe përdor argumentin se çdo student që ka diplomë, mund të konkurrojë për të vijuar studimet e larta. Në një intervistë për Report Tv u shpreh se mesatarja nuk shihet në asnjë vend të botës dhe bëri një krahasim me Finlandën.
Rrokaj në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj tha se në Finlandë, 15% e maturantëve më të mirë vijojnë studimet për t’u bërë pjesë e sistemit më të mirë ndërsa në Shqipëri shkojnë 15% maturantët më të dobët. Sipas tij, kjo do të sjellë cilësi më të dobët të shkollës.
Mesataret u vunë për të frenuar aksesin në universitete të gjithkujt me idenë që të krijojmë cilësi të lartë. Parimisht kjo është e padrejtë se në momentin që ke një diplomë, mund të konkurrosh me diplomë A. Në asnjë vend të botës nuk shihet mesatarja. Te bursa po. Por ata që janë me rezultate shumë të mira të stimulohen, por ka një problem shumë të madh. Në Finlandë, në sistemin arsimor shkojnë 15% e maturantëve më të mirë. Në Shqipëri shkojnë për mësuesi 15% e maturantëve më të dobët. Nëse nuk shkojnë 15% e maturantëve më të mirë, cilësia e shkollës që do të kemi do të jetë shumë më e dobët”, tha Rrokaj.
Profesori kritikon nismën për të mbajtur ‘peng’ studentët e mjekësisë që të ndalet largimi i mjekëve të rinj nga vendi duke iu bllokuar diplomën ose të paguajnë vlerën 5 mijë euro, tarifë që është përmendur nga studentët por qeveria nuk e ka specifikuar në asnjë moment.
“Nuk është e drejtë. Cënon parimin kushtetuës të lëvizjes së lirë. Nga njëra anë, shteti ka nevojë për mjekë dhe të gjithë investimin përpiqet ta kthejë në vendin e vet që t’i shërbejnë shoqërisë shqiptare. Nga ana tjetër nuk kanë shpresë sepse kushtet që jepet mësimdhënia, kushtet në të cilat ushtrojnë profesionin, garancitë për jetën, tundimi i pagave më të lartë në Perëndim bën që të kemi konflikt. Ne duhet të rrisim pagat në nivele të krahasueshëm”, tha Rrokaj.
Po ashtu thotë se universitetet nuk duhet të presin nga qeveria për rritje të rrogave por të marrin projekte pasi janë struktura të pavarura.
“Universitetet nuk bëhen agresive për të marrë projekte por presin që qeveria t’i rrisë rrogat. Nuk duhet që qeveritë ta konsiderojnë si strukturë të tyre. Universitetet duhet të konsiderohen si partnere sepse nuk janë struktura të qeverisjeve. Duhet të dalin nga akademizmi i mbyllur dhe i papërshtatur”, tha Rrokaj.
Profesori Shezai Rrokaj sugjeron që shteti të shpenzojë 5% të prodhimit të brendshëm bruto në arsim në mënyrë që të ngjallet shpresa te të rinjtë dhe të mos largohen nga vendi.